BESA i thotë po kandidatit të përbashkët në Kërçovë, por vendos kushte

Aug 20, 2017 | 17:36
SHPËRNDAJE

Lëvizja BESA ka përkrahur idenë e një këshilli vetëinicativ të mërgatës që kërkon që shqiptarët të kenë një kandidat të përbashkët në Kërçovë për zgjedhjet e ardhshme lokale. Nga komunikata e kësaj partie kërkohet që kandidati unifikues të jetë jopartiak. Me këtë nënkuptohet që kjo parti është kundër rikandidimit të Fatmir Deharit.

levizja-besa-1111-1-750x430-348wt145f3c9q72m9aqyoa

Komunikata:

Duke vlerësuar lart përpjekjet, angazhimin dhe sakrificën Tuaj, tani dhe në të kaluarën, për t’i mbajtur gjallë lidhjet e forta me vendlindjen, por edhe për ta parë sa më mirë vatrën Tuaj të lindjes, dëshirojmë t’ju falënderojmë përzemërsisht dhe t’ju përgëzojmë për iniciativën e marrë si mërgatë.

Pas pranimit të memorandumit Tuaj, të nënshkruar nga anëtarë të shoqatave të cilat funksionojnë në mërgatë gjithandej dhe shqyrtimit të saj nga organet dhe anëtarët tanë në kuadër të Lëvizjes BESA – Kërçovë, si dhe konsultimeve me organet e Lëvizjes në nivel qendror, arritëm në këto konkluzione:

Mërgata shqiptarë të marrë parasysh politikën e deritanishme manipuluese të partisë shqiptare në pushtet ndaj Komunës së Kërçovës dhe, në veçanti, mënyrën e menaxhimit të saj. Sa për ta rikujtuar, si pasojë e Ligjit për organizimin territorial, të miratuar në vitin 2002, Kërçova nuk u bashkua në vitin 2005, madje as në vitin 2009, gjë që ndikoi në shpërnguljen e mijëra shqiptarëve dhe tani kemi arrit në situatë që Kërçova edhe pse e banuar me shumicë evidente shqiptare të rrezikojnë menaxhimin e saj nga një shqiptar.
Ndonëse Kërçova në vitin 2013 u fitua në frymën e një projekti kombëtar, ashtu siç thuhet edhe në memorandumin që na është dërguar nga ana Juaj, për fat të keq ajo fitore kombëtare u shndërrua në fitore partiake, ndërsa kjo qasje vazhdoi edhe në vitet e qeverisjes me komunën, duke e parë atë si pronë të partisë e jo si sukses të popullit shqiptarë kërçovarë dhe nga një diskriminim etnik u shndërrua në diskriminim politik të atyre që mendojnë ndryshe nga ata. Duke e ditur kapacitetin e funksionarëve të BDI-së, klanet, interesat dhe inatet e tyre ndërmjet veti e të cilat janë aq të mëdha nuk na habit shumë fakti se kanë dështuar në zgjidhjen e disa problemeve shume jetike për shqiptarët e kësaj ane. Ajo që më së shumti na brengos është qasja dhe mënyra e menaxhimit me financat publike të Komunës, për çka në Kërçovë ka dhjetëra argumente që të lënë pa fjalë. Tjetër argument nënçmues është edhe fakti se gjatë këtyre viteve nuk u arrit që së paku një institucion më shumë të udhëhiqet nga shqiptarë krahasuar me kohën para 2013.
Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe pse Kërçova u fitua në saj të angazhimit të mërgatës kërçovare, sot në Kërçovë, pas 4 vitesh udhëheqjeje me Komunën e Kërçovës, nuk kemi asnjë projekt ekonomik të realizuar nga mërgata shqiptare, kjo si pasojë e moskrijimit të kushteve për investim nga ana e Komunës ose abuzimit tashmë të ditur me pronën publike nga funksionarë partiakë të Komunës ose të afërt me ta.
Nisur nga gjithë ajo që përmendëm më lartë, ne e përshëndesim angazhimin Tuaj, e inkurajojmë dhe ju falënderojmë, por kërkojmë të insistoni që kësaj radhe Kërçova të përfaqësohet nga një kandidat jopartiak, i cili vërtet do t’i bashkojë kërçovarët dhe nuk do të bëjë dallime partiake e politike. Përveç kësaj, nuk mbart mbi supe barrën e dështimeve apo hipotekave të partisë që e propozon.

Lëvizja BESA – Kërçovë, për dallim nga partitë e tjera politike, ka qenë dhe është konsekuente në qëndrimin, se Kërçovës i duhet një kandidat jopartiak, i vendosur me konsensus nga të gjithë faktorët relevantë në Kërçovë.

Shpresojmë që Kërçova kësaj radhë do të drejtohet nga një kandidat i cili është profesionalisht i përgatitur, jopartiak dhe unifikues, e i cili do t’i çlirojë kërçovarët nga frika e ndëshkimit nga militantë të ndryshëm politikë dhe do ta bëjë Kërçovën atdheun e shqiptarisë ku të gjithë puqen për interesin e përbashkët kombëtar.

Në rast të injorimit të mundshëm dhe vendimeve të njëanshme ashtu siç është bërë në të kaluarën, ne si Lëvizje BESA nuk mbajmë përgjegjësi për rrjedhat e ardhshme politike”, thekson kjo parti. (INA)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura