BERZH: Jepini rrugët dhe hekurudhat me koncesion

Oct 22, 2013 | 13:50
SHPËRNDAJE

Kalimi i rrugëve dhe hekurudhave te privati mbetet sfida më e madhe për Shqipërinë, sa i përket transportit. Të paktën kështu gjykon Bordi i Drejtorëve i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në strategjinë e transportit për vendet ku operon Banka. Më 16 tetor ishte edhe miratimi i dokumentit që jep një situatë të përgjithshme mbi sektorin e transportit dhe sfidat që hasin një sërë vendesh.
STRATEGJIA
Për Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Shqipëria ka pasur një ecuri të mirë sa i përket dhënies me koncesion të aeroporteve dhe është drejt rrugës së dhënies me koncesion të rrugëve përmes tenderëve ndërkombëtarë. “Sektori i transportit në Shqipëri, ku BERZH është e angazhuar në një sërë projektesh në të gjithë vendin dhe në një sërë aspektesh (rrugë, aeroporte, porte) qëndron mbi të gjitha vendet sa i përket impaktit të tranzicionit në rajon. Banka ka luajtur një rol kyç në koncesionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe ka pasur përfshirje të thellë në reformën e sektorit përmes dialogut dhe projekteve të ndryshme”, thuhet në strategji. Sfidat e tranzicionit, sipas BERZHit, janë rrugët dhe hekurudhat, madje më së shumti këto të dytat, të cilat janë në një gjendje vërtet alarmante. Madje, sipas BERZH-it, hekurudhat duhet të kalojnë te privati në një mënyrë më emergjente, dhe kjo përbën në vetvete sfidën më imediate, por përjashtim nuk bëjnë as rrugët. “Ka shumë përjashtime, por nëse u referohemi hekurudhave në Shqipëri, ka shumë boshllëqe. Sfida më dominante e tranzicionit lidhet me zhvillimin e tregut privat”, thuhet në raport.
PROJEKTET
Vendi ynë ka nisur prej kohësh procedurat për të kaluar te privati edhe një prej rrugëve kryesore në vend, siç është Rruga e Kombit. Operimi dhe mirëmbajta e kësaj të fundit do t’i kalojë një kompanie private, por edhe pse procedurat kanë filluar në shkurt të vitit 2012, ende nuk është finalizuar asnjë marrëveshje. Në fakt, BERZH ka propozuar që rrugët e reja që kanë një kosto të madhe për mirëmbajtjen nga buxheti, duhet të kalojnë te privati, dhe për këtë duhet të ngrihen edhe stacione pagese. Rruga e parë që do të kalojë është ajo e Kombit, por edhe për Tiranë-Elbasan apo për bysass-in e Vlorës dhe të Fierit është menduar një procedurë të tillë.

Ankohen qytetarët, kontroll karburanteve
Qytetarët kanë shprehur ankesa rreth praktikës së ndjekur nga një sërë karburantesh që kanë “abuzuar” me sasinë, dhe për këtë i janë drejtuar Drejtorisë së Metrologjisë. Kjo e fundit dje ka bërë dhe kontrollet e radhës në autostradën Tiranë- Fier, duke parë nga afër dokumentacionin dhe parametrat teknikë të karburanteve lidhur me sasinë e gazit dhe naftës që hidhen në makina. Ky është kontrolli i dytë në valë të gjerë për karburantet, pas atij të kryer pak kohë më parë në Tiranë, ku u konstatuan edhe një sërë shkeljesh si nga ana e dokumentacionit, ashtu dhe nga ana e parametrave që aplikonin pikat e karburantit. Në atë kohë u vendosën edhe një sërë gjobash për ata që kishin shkelur ligjin.

HAXHINASTO, TAKIM ME HOMOLOGUN E MALIT TË ZI
Rritja e bashkëpunimit në një sërë projektesh të përbashkëta mes dy vendeve fqinje ka qenë synimi i takimit të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, me homologun malazez, Ivan Brajoviç. Në fokus të takimit u vendos një nga çështjet që shqetëson të dyja palët, siç është mbrojtja e zonës kufitare nga vërshimet e liqenit të Shkodrës, një problematikë kjo e hasur shpesh për vite me radhë. Haxhinasto në fjalën e tij e cilësoi këtë takim si një nisje të re për bashkëpunim më të afërt mes dy vendeve dhe, nga ana tjetër, e cilësoi kufirin si një pikë bashkimi, dhe jo ndarjeje. Ministrat u shprehën për një plan të përbashkët lidhur me transportin si përsa u përket rrugëve, ashtu edhe transportit detar apo hekurudhor.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura