Berisha: Veliaj e ka inat Shkëlzenin pse i tha “zogu i Ramës” dhe ashtu i ngeli

May 22, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ish-kryeministri Sali Berisha kritikoi kandidatin e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, për mënyrën se si ai po zhvillon fushatën elektorale si dhe qëndrimet që po mban ndaj kandidatit të PD-së, Halim Kosova. 

Sali Berisha ne emisionin “Studio e Hapur” ne televizionin “News24”

Gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së enjtes në televizionin “News24”, në emisionin “Studio e Hapur”, Berisha komentoi edhe qëndrimet kritike që ka mbajtur djali i tij Shkëlzen Berishën, ndaj kandidatit të PS-së. “Ky ka inat se në një status Shkëlzeni i tha zogu i Ramës dhe i mbeti atij zogu i Ramës.”,-deklaroi Berisha.
Duke folur për akuzat që bëhen ndaj djalit të tij për çështjen e Gërdecit, Berisha tha se nuk ka as dhe një frazë të vetme që akuzon djalin e tij nga drejtësia. “Ka në Shqipëri një proces gjyqësor. Ka verifikuar çdo gjë prokuroria. Nuk besoj se Ina Rama do ta kursente, kur dihet se ajo ishte një marionetë në duart e Edi Ramës”,-tha ish-kryeministri. 

Në intervistën e tij ish-kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e Ben Blushit në Kumanovë dhe qëndrimet e mbajtura ndaj çështjes në Maqedonisë, ndërsa i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të lobojë për një hetim të plotë ndërkombëtar të ngjarjeve që vendin fqinj. “Zoti Blushi është për t’u përgëzuar, për aktin e tij. Edhe deklaratat po ti marrësh, se shkrimtar është ai… por tek vizita e Blushit shoh anë pozitive.”,-deklaroi Berisha, ndërsa kritikoi qëndrimet e mbajtura nga kryeministri shqiptar. “Rama s’u kujtua me fol gjithë javën. Nuk duhet të bllokojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, kemi shqiptarët atje. Duhet të insistojnë për një hetim ndërkombëtar. Qeveria shqiptare duhet të lobojë fuqishëm për një hetim të vërtet. Për NATO-n, unë jam kundër politikave të bllokimit”,-tha ish-kryeministri.

Berisha foli edhe për vizitën e Erdogan në Shqipëri. Edhe për këtë çështje Berisha bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se i ka premtuar presidentit turk një gjë që nuk mund ta realizojë siç është mbyllja e shkollave të lëvizjes “Hyzmet”, pasi ligjet e vendit nuk e lejojnë këtë tha ai. “Rama shkoi dhe premtoi edhe Hyzmetin edhe votën. Kaloi Koha, as nuk mbylli Hyzmetin sepse ka ligje dhe s’ka pse të mbyllen. Po të jetë puna ne të gjithë bashkëpunimin e kemi me Turqinë, ama të akuzojë për terroristë, ne jemi një vend anëtar i OKB-së. Po të ndjekim këtë listë i teket Edi Ramës dhe thotë ky është terrorist”,-theksoi Berisha.

Sipas ish-kryeministrit, marrëdhëniet e tij me Erdogan u prishën për një votë që Shqipëria nuk ia dha Turqinë në Lindjen e Mesme, por që sipas tij, nuk mund të merrej një vendim kundër interesave kombëtare. “Që para zgjedhjeve, ai mbeti zemërthyer për të për një votë, por unë ndjek interesat kombëtare.”,-tha Berisha, ndërsa theksoi se pavarësisht nga një problem që ka pasur, nuk ngatërronte interesin kombëtar me interesa vetjake. “Nuk duhet mashtruar Presidenti i Turqisë. Ka dhënë një kontribut shumë të madh në pavarësinë e Kosovës. Por këto marrëdhënie, se ky është axhami 2 metra”,-tha ish-kryeministri Berisha. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura