Berisha: Rama më thotë më lër vendin se je i lodhur

Jun 13, 2013 | 12:12
SHPËRNDAJE

Berisha mbrëmë gjatë mitingut në Njësinë Bashkiake Nr. 11
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje fushatën elektorale në Elbasan dhe Tiranë, dy ndër qarqet e pavendosura sa u përket zgjedhjeve dhe me ndikim shumë të madh në rezultatin e 23 qershorit. Kreu i maxhorancës përuroi fillimin e një rruge dhe ndërtimin e një shkolle në Elbasan dhe më pas prezantoi kandidatët e PD-së për deputetë në komunën Tregan. “Ndaj dhe ju ftoj më 23 qershor ta lëmë shokun në kuti në autobusin mavi, se tani edhe timonin ia ka marrë Koço (Kokëdhima) dhe nuk ia lëshon më. Nuk është më në timon. T’i themi edhe një herë çlodhu o shoku Rama, çlodhur, se ne do të vazhdojmë çdo ditë të lodhemi, të lodhemi për mirëqenien tonë, të lodhemi për bizneset dhe fermat tona, të lodhemi për edukimin e fëmijëve tanë, të lodhemi për të fituar më shumë për shkolla të reja, për rrugë të reja, qendra shëndetësore. Të lodhemi për të ecur para në integrimin tonë në Europë. Ndërsa ti vazhdo në kuti, vazhdo në gjumë, vazhdo çlodhu”, u shpreh kreu i qeverisë. Nga Elbasani Berisha bëri të ditur se në tri ditët e ardhshme do të hapet edhe rruga që lidh këtë qytet me Tiranën. “Kam besim të madh se ajo rrugë që këto 2- 3 ditë do të hapet, ajo rrugë bashkon Tiranën me Elbasanin, por, mbi të gjitha, bashkon tregjet e këtyre dy qyteteve. Është një zhvillim i jashtëzakonshëm për mbarë Shqipërinë, sepse zhvillimi, rritja, zmadhimi i gjeneratorit të zhvillimit Tiranë- Elbasan-Durrës çon përpara gjithë Shqipërinë”. Gjatë pasdites, kreu i qeverisë zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Njësisë Bashkiake Nr. 1 në Tiranë. Ai tha se kundërshtari politik i kërkon vendin e Kryeministrit me argumentin se lideri i PD-së ndihet i lodhur. Berisha tha se Rama ka humbur çdo betejë ndaj tij. “Tani, ky zotëri, pasi ka humbur çdo betejë me Sali Berishën, nga e para tek e fundit, pasi ka një mungesë totale argumentesh, alternativa e tij është tërësisht e braktisur. Faktikisht, vërejani sheshet. Ai ka blerë lente të kamerave për ta bërë njeriun trefish. Pasi ka paraqitur alternativën më të rëndë, me rritje të taksave për vendin, tani ka gjetur alternativë të re dhe thotë ma lësho ti se je lodhur, të vij unë i çlodhur. Është aq vulgar e aq naiv, sa nuk ka ku të shkojë. Ka humbur çdo betejë me mua dhe tani ka dalë me tezën ma lësho se nuk e marr dot. Dhe unë kam tezën time. Ne do të vazhdojmë të lodhemi çdo ditë, se njeriu punëtor do të lodhet, se ai që ka ndër mend të bëjë punë, e ka kënaqësi lodhjen, e ka pjesë të jetës së tij”, tha Kryeministri. Në mbrëmje Berisha prezantoi kandidatët për deputetë në Njësinë Bashkiake 11 në kryeqytet, ku iu kthye edhe një herë debatit për monumentin me dy gishta, që simbolizon demokracisë në Kavajë. “Këto ditë që na ndajnë nga votimet ngrini lart e më lart me krenarinë më të madhe dy gishtat, gishtat e fitores. Të rinj dhe të reja, mos harroni se motrat dhe vëllezërit tuaj më të mëdhenj me dy gishta lart përmbysën diktaturën më të egër. Zoti Rama, që vërsulesh me urrejtje kundër dy gishtave, je i gabuar se me këta dy gishta përmbysëm regjimin e etërve të tu, me dy gishtat anëtarësuam Shqipërinë në KiE, firmosëm MSA-në, anëtarësuam Shqipërinë në NATO, me këta dy gishta lart hoqëm vizat, merituam statusin e vendit kandidat. Shqipërinë nuk e bëri grushti stalinist, por e bënë dy gishtat e djemve dhe vajzave fitimtarë”, deklaroi Berisha.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura