VIDEO E PLOTE/ Berisha publikon ‘bombën’ tjetër për Ramën: Drejtorët që s’arrijnë objektivin tek kutia për Bazhdarin, të hapin vendin më 22 qershor

May 7, 2015 | 7:55
SHPËRNDAJE

 

UPDATE/ Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar videon e plotë ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi me strukturat e PS-LSI-së në Shkodër.
Më herët Berisha kishte njoftuar se pasditen e mërkurës do të publikonte materialin e plotë në të cilin kreu i qeverisë dëgjohet duke i dhënë urdhra drejtorëve që të angazhohen për mbledhjen e votave më 21 qershor.

Materiali audio i publikuar nga Berisha në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, është pasqyruar bashkë me trasnkriptin.
Në video dëgjohet kryeministri Rama duke udhëzuar drejtorët që të trokasin derë më derë në mbledhje të votave dhe nëse objektivi nuk arrihet sipas tij, disa prej tyre do të mbajnë përgjegjësi në 22 qershor.  

Transkripti i plotë i videos i publikuar nga Sali Berisha:

RAMA: “…Çdo drejtor, çdo shef, çdo pergjegjës, çdo person që ka marr një fije pushtet nga PS, dhe nga LSI por për këtë do t’ju flasë kryetari, një fije pushtet, duhet të garantojë që do ta ketë prapë në 22 qershor (shënim i yni: bëhet fjalë për postin). Ne jemi të vetëdijshëm që në të gjithë territorin kemi bërë dy gabime, me burimet njerëzore dhe me emërtesat. Jam i vetëdijshëm që në të gjithë territorin jo të gjithë drejtorët kanë, janë në vlerësimet e duhura. Jam i vetëdijshëm që në në çdo qark, çdo rreth, në çdo bashki ka drejtorë që po na nxjerrin bojën.

Shtabit drejtues, që është shtabi i përbashkët i kandidates dhe i deputetëve që janë këtu në sallë iu tha vetëm një gjë, që të gjithë këtyre drejtorëve, nëndrejtorëve që janë dhe shefa dhe pergjegjësa, do t’u caktojnë detyrën konkrete. Dhe detyra konkrete do të jetë: Sa kuti votimi do të kesh ti nën përgjegjësinë tënde personale. Që do të thotë, dikush një zonë, dikush 5 qëndra, dikush 2 qëndra e kështu me radhë, por ama, aty në krah secili nga ju do të marri në dorë letrën dhe do ju thuhet: Këto janë votat që ne presim të dalin nga kjo qëndër votimi. Shko tani derë më derë, shtëpi më shtëpi, trokit dhe fol për Keti Bazhdarin, dhe kush është i Partisë Socialiste të kërkojë votat për Partinë Socialiste, kush është me LSI të kërkojë votat për LSI, por të gjithë bashkë për Keti Bazhdarin në radhën më të parë, se kjo është kryesorja, dhe në fund fare në qoftë se rezultati, objektivi nuk do të arrihet tek kutia, dmth që koha për ti hapur vendin dikujt tjetër ka ardhur me datën 22.

Historia e Partisë Socialiste në pushtet, dhe ata që janë këtu e njohin historinë e Partisë Socialiste në pushtet, ka qënë historikisht që kush bëhej drejtor i kthente shpinën betejës, nëpër kafe, nëpër historira, dhe shumica dërrmuese u bë edhe shkaku që filloi edhe degjenerimi i pushtetit të PS.

Kjo nuk ka për të ndodhur prapë, kjo nuk ka për të ndodhur prap dhe ne nuk do ta lejojmë këtë që të ndodhi, sepse ne kemi bërë mirë që kemi investuar mbrapsht tek ju besimin që ju të merrni përgjegjësi dhe kështu me rradhë, por kjo nuk është e ndarë nga domosdoshmëria që shumica jonë, që qeveria jonë, jo vetëm të performojë, jo vetëm të japë rezultate, por edhe të marrë mbrapsht nga populli atë që i takon. Dhe është rasti që disa prej jush këtu të shlyejnë një pjesë edhe të degradimit që kanë shkaktuar në imazhin e PS me punën e tyre si drejtora, ta shlyejnë duke i kthyer mbrapsht Partisë Socialiste kreditë që ka marrë me 23 qershor në Shkodër, bashkë me LSI, padiskutim. Dhe për këtë arsye nuk kemi shumë për të diskutuar kjo është e thjeshtë dhe e qartë. Çdo njëri nga ata që ka një përgjegjësi më shumë se sa punonjësit e thjeshtë, aty tek punonjësit e thjeshtë gjëja është pastaj tek organizimi i natyrshëm dhe detyra të natyrshme…”

Sali Berisha

Ish-kryeministri Berisha paralajmëroi me heret publikimin e ‘bombës’ së rradhës, regjistrimin e plotë të Ramës “ne takim me zyrtaret e administrates ne Shkoder, ku ai kerkon votat ose do t’iu marre atyre kafshaten e gojes’, siç shprehet Berisha në një postim në Facebook. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura