Berisha ‘non grata’ nga DASH/ Deklarata e fortë e Yuri Kim pas takimit me Bashën: Do ishte një ironi historike dhe tragjedi nëse partia do hante bar për hatër të një deputeti

Jul 30, 2021 | 21:59
SHPËRNDAJE

Kryediplomatja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka dalë me një deklaratë të fortë pas takimit që ka zhvilluar në selinë blu me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Mesazhi i ambasadores përçonte në mënyrë indirekte apelin që PD të distancohet nga deputeti i zgjedhur, ish-lideri historik i kësaj partie, Sali Berisha.

Duke iu referuar në fjalën e saj për gazetarët tërthorazi vendimit të DASH për ish-kryeministrin Sali Berisha i cili u shpall familjarisht person non grata, Yuri Kim, tha se do të ishte “një ironi historike dhe tragjedi, nëse partia do duhet të hante bar për hatër të një deputeti të saj”.

Ambasadorja Amerikane tha se e ardhmja e vendit pret që të ketë bashkëpunim dhe Shqipëria të ecë përpara, “për këtë arsye ka vendime të vështira përpara për të gjithë”, theksoi Kim.

Deklarata e Yuri Kim:

“Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryertarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë parliament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje. Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura.

Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara. E ardhmja po pret.

Ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë gjatë gushtit, por shpresoj edhe që kur të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura