Berisha dopietë në Australi, tre legjenda e duan në Europian

Jan 9, 2016 | 13:14
SHPËRNDAJE

Besart Berisha nuk di të ndalet në Australi. Dje, sulmuesi nga Prishtina ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asist për gol në barazimin 3-3 të skuadrës së tij, Melburn Viktori. Në ndeshjet e luajtura në transfertë kundër Central Coast Marinersin, skuadra e Berishës ishte në disavantazh 3-0, por në pjesën e dytë Melburni baraspeshoi gjithçka falë shqiptarit nga Kosova.

besart-berishaFillimisht, Berisha realizoi nga pika e bardhë në minutën e 60-të, ndërsa më pas dha asistin e golit të dytë, që u realizua nga Thompson. Në fund, kur luhej minuta e katërt e shtesës, pas një krosimi nga krahu i majtë, Berisha u vidhet mbrojtësve dhe kërcen bukur me kokë, duke barazuar shifrat. Sulmuesi i dha një pikë të çmuar Melburnit, që ndodhet aktualisht në vendin e pestë të Superligës australiane (A-League).

Kombëtarja

Në fillimin e edicionit historik, në Shqipërinë e Xhani De Biazit kishte vend edhe për Besart Berishën. Mirëpo, 30-vjeçari e refuzoi dy herë pjesëmarrjen e tij me kuqezinjtë, për shkak të largësisë nga Australia në Europë dhe që nuk do të kishte mundësi të ishte në gatishmëri për kualifikueset. Refuzim që, me gjithë arsyen e dhënë, nuk la një shije të mirë dhe u diskutua në atë periudhë, edhe për shkak se ai po kalonte një formë të mirë dhe mund të ishte një vlerë e shtuar në repartin e sulmit të Kombëtares. Tashmë që Shqipëria arriti kualifikimin dhe Europiani do të luhet në verën e këtij viti, nuk do të jetë problem largësie për Berishën, i cili në deklaratat e fundit ka shprehur gatishmërinë për të qenë me fanellën kuqezi në Francë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi që do të marrë trajneri i Kombëtares. Nga njëra anë, është forma e mirë e sulmuesit 30- vjeçar javë pas jave në kampionatin australian dhe, nga ana tjetër, është deklarata e De Biazit, ku theksoi se në edicionin historik kishin kontribuar 32 lojtarë dhe prej këtij grupi do të dilte edhe lista përfundimtare me 23 emra që do të grumbullohen në Europian. Pas kësaj situate dhe ecurisë fantastike të Berishës, “Panorama Sport” mori mendimin e tre ish-sulmuesve të shquar të Kombëtares: Sokol Kushta, Erjon Bogdani dhe Alban Bushi. Të tre janë të një mendimi: përtej asaj që ka ndodhur, Besart Berisha meriton një shans në Francë.

Sokol Kushta: “Nëse Berisha rikthehet, nuk ka asgjë të keqe”

Sokol-KushtaËshtë një nga legjendat e gjalla të futbollit shqiptar. Karriera e tij me Kombëtaren, Flamurtarin, Partizanin, opinionet dhe vlerësimet për çështjet e futbollit në vend e bëjnë atë që të jetë një njeri i respektuar, jo vetëm në sferën sportive. Sokol Kushta është ishsulmuesi i shquar i Kombëtares shqiptare, që mbahet mend për atë që ka bërë me fanellën kuqezi. Edhe pse numëron vetëm 31 paraqitje me këtë fanellë, karriera e tij ka qenë e tillë, me të cilën ai ka lënë gjurmë pozitive. Në lidhje me formën që po tregon sulmuesi prishtinas në Australi me ekipin e Melburn Viktorit, si vazhdimësi e paraqitjeve mjaft pozitive edhe kur ishte pjesë e skuadrës tjetër Brisbane Roar, Kushta ka opinionin e vet kur vjen puna për përfshirjen e tij në Kombëtare apo jo. Bëhet fjalë për një kompeticion të rëndë- sishëm që Shqipëria merr pjesë për herë të parë dhe në të cilin, përveçse mungon eksperienca, duhen bërë zgjedhje të kujdesshme për lojtarët që do të kenë shansin që të jenë në Europian. I pyetur nëse Berisha duhet të ketë apo jo një mundësi për të qenë me kuqezinjtë në Francë, Sokol Kushta shprehet: “Besart Berisha ka qenë në Australi dhe mendoj se nuk e ka refuzuar Kombëtaren, po ai ka thënë se është larg dhe nuk mundet të vijë nga ky shkak. Edhe nëse ai vjen, nuk ka asgjë të keqe. Ato janë vendime të trajnerit, por gjykoj se një sulmuesi cilësor si Berisha duhet t’i jepet shansi”, ka deklaruar Sokol Kushta për gazetën “Panorama Sport”. Kushta është renditur i 30-ti në vitin 1987 sa i përket vlerësimit si “Futbollisti Europian i Vitit”, mes shumë yjeve të futbollit në ekipe të shumta europiane që kanë bërë histori.

Erjon Bogdani: “Besarti e meriton të jetë në Europianin e Francës”

Erjon_bogdaniPër këdo që është në një pozicion në ekipin kombëtar është e vështirë që të flasë, megjithatë për vetë të shkuarën e tij me fanellën e ekipit kombëtar dhe si golashënuesi më i mirë, Erjon Bogdani jep një opinion në lidhje me çështjen “Berisha”. I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i kuqezinjve arrin që të japë një mendim, duke u munduar të dalë nga roli aktual që ka si ndihmës i Xhani De Biazit, por mundohet të flasë si ish-lojtar i Kombëtares. I pyetur nëse Besart Berisha, për atë që është duke kaluar në skuadrën e tij në Australi dhe për vetë dëshirën që ka shprehur të afrohet, a meriton që të jetë në Kombëtare, Bogdani shprehet: “Nuk diskutohet që duhet të ketë një shans. Nëse tani ai është i gatshëm për Shqipërinë, mendoj që mund ta ketë një të tillë”. Një përgjigje që duket se vjen menjëherë në bazë të opinionit që krijohet për sulmuesin nga Prishtina, për vetë formën që ai ka kaluar duke qenë një golashënues i rregullt dhe një futbollist me shumë peshë në skuadrën e tij. Më tej, “Bogu” vijon: “Unë e di që trajneri ka folur me Berishën dhe për shkak të largësisë nuk ka preferuar që të vijë të luajë me ekipin kombëtar kur bëhej fjalë për ndeshjet kualifikuese. Megjithatë, në punën tonë si trajneri edhe ne që jemi pjesë e stafit të tij ndihmës, vëzhgojmë me kujdes çdo futbollist që luan dhe bën ndeshje të mira. E gjithë kjo, që kur vjen momenti i ndeshjeve me Shqipërinë, ne t’u japim atyre mundësinë në Kombëtare”, përfundon Bogdani. Ai është golashënuesi më i mirë i ekipit tonë kombëtar.

Alban Bushi: “Duhet t’i jepet një shans, por në fund vendos trajneri”

bushiAi aktualisht mban edhe një post në ekipin kombëtar si menaxher dhe kjo e bëri të vështirë që gazeta të merrte një prononcim nga Alban Bushi. Megjithatë, pas insistimit, Bushi pranoi që të dalë pak nga roli aktual i menaxherit të ekipit kombëtar dhe të flasë vetëm si një ish-sulmues i skuadrës sonë kombëtare. I pyetur nga gazeta “Panorama Sport”, jo në cilësinë e menaxherit të ekipit kombëtar, por si një ish-sulmues i kuqezinjve, Alban Bushi ka këtë koment në lidhje me vetofrimin që ka bërë rishtazi Besart Berisha për të qenë në ekipin kombëtar, nëse e meriton apo jo: “Unë mendoj që Besart Berisha është një nga sulmuesit më të mirë shqiptarë të dy-tre viteve të fundit. Është një futbollist që ka arritur të realizojë jashtëzakonisht shumë gola në kampionatin ku ai aktivizohet, në Australi”, shprehet fillimisht Bushi në lidhje me formën që po kalon 30-vjeçari me ekipin e tij në Australi. Sa i përket çështjes nëse meriton një shans apo jo, Bushi ka këtë koment: “Përpara dy viteve, stafi i ekipit kombëtar i ka bërë një ftesë Besartit që të vinte në skuadrën tonë kombëtare, por ka qenë distanca shumë e largët mes Europës dhe Australisë dhe për këtë arsye nuk është afruar. Tashmë, është më se normale që çdo shqiptar të kërkojë të luajë në një kompeticion siç është Europiani. E kam të vështirë sepse do të paragjykohem për postin, megjithatë mendoj se e meriton një shans, por në fund është trajneri ai që vendos se kush do të jetë pjesë e ekipit që do të marrë pjesë në këtë kompeticion”, ka deklaruar Alban Bushi, jo në cilësinë e menaxherit të ekipit kombëtar, por si ish-futbollist i Shqipërisë.

Ja çfarë tha De Biazi

“Ai është ftuar që në fillim të edicionit dhe nuk ka pranuar të vinte te ne. Nëse nuk ka qenë në fillim, nuk do të jetë as tani që do të shkojmë në Francë. Nuk është e drejtë që unë të anashkaloj punën dhe përpjekjet e atyre lojtarëve që na kanë çuar deri në Francë e të marr të tjerë”, u shpreh De Biazi kur u pyet për Berishën. Gazeta kontaktoi me ndihmësin e tij, Paolo Tramexani, por ai refuzoi të përgjigjej.

10 gola në 13 ndeshje

Besart Berisha luan sezonin e tij të pestë në Australi. Gjatë këtij kampionati, në 13 ndeshje të luajtura me Melburn Viktori, që është edhe skuadra kampione në fuqi, ka arritur të shënojë 10 gola. Berisha do të tentojë këtë sezon të thyejë rekordin personal, pikërisht të sezonit debutues me Brisbane Roar, ku realizoi 21 gola në 29 ndeshje. Për momentin, Berisha është i dyti në listën e kryegolashënuesve të kampionatit, me një gol më pak se rivali, Bruno Fornaroli.

Përgatiti: OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura