Berisha dhe Cana mundin Hysajn

Apr 13, 2015 | 14:45
SHPËRNDAJE

Thjesht perfekte! E tillë ka qenë Lacio e djeshme kundër Empolit, e cila brenda 90 minutave ka marrë një fitore të dyfishtë; shkatërron kundërshtarët në shifrat 4-0 dhe ngjitet e dyta në renditje, duke parakaluar “kushërinjtë” e urryer të Romës.
 

Një derbi shqiptarësh më të bukur se ky nuk mund të kishte pasur për Etrit Berishën e Lorik Canën (përveçse Thoma Strakoshën në stol) nga një krahë dhe Elseid Hysajn, nga ana tjetër, i cili duhet të përulet përpara shokëve të tij të repartit në kombëtare, me tre kuqezinjtë titullarë dhe për 90 minuta në fushë.

Nëse Mauri, Klose, Kandreva dhe Andersoni bëjnë rolin e kanibalit të zonës së rreptësisë, portieri lacial vesh “rrobat” e “Supermenit” duke frenuar çdo tentativë që paraqitet në kuadratin e tij, duke mos gabuar asnjë dalje në zonë dhe brenda saj, përveçse shmang radhazi duelet me Makaronën, përpara mrekullisë ndaj Valdifiorit.

Etrit Berisha konfirmon se është një garanci, prandaj Marketi mund të rikuperojë i qetë nga dëmtimi në hundë, i shkaktuar nga Cana.

Pas ndeshjes së djeshme, gardiani 26-vjeçar shprehu të gjithë lumturinë e tij:

“Jam i lumtur që edhe sot (dje) pata mundësinë të luaja dhe të ndihmoja ekipin që të fitonte”.

Etrit, në dy ndeshjet e fundit keni bërë pritje madhështore. Cila ishte ajo që ju pëlqeu më shumë?

Ajo e bërë kundër Hamshikut, në Napoli, edhe pse arbitri nuk e pa, duke mos akorduar një goditje këndi për rivalët tanë. Por, më mirë kështu për ne, apo jo… Por edhe Luliç u tregua një portier i zoti në minutat e fundit në Napoli, kur largoi golin e sigurt të Insinjes nga vija fatale.

Çfarë ju tha veçmas pas atij rasti?

Nuk më kërkoi asnjë ryshfet, rrini të qetë, ai nuk i bën të tilla gjëra… Përveç shakave, mendoj se ai largim i Luliçit vlente njësoj sikur të kishim fituar kupën. Ishte jetike të mos pësonim gol në Napoli dhe mendoj se e merituam finalen. Gjithsesi, tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat, kundër Juventusit, ndaj të cilëve do të shfrytëzojmë momentin pozitiv. Do të shkojmë me bindjen se mund ta dalim me tri pikë kundër tyre.

Cili është sekreti i përmirësimit tuaj të vazhdueshëm?

Përgatitësi ynë, Adalberto Grigoni, i cili na detyron të bëjmë një punë shumë intensive. Falë stërvitjeve të tij, unë dhe kolegët e mi kemi mundësinë që të bëjmë diferencën në fushë, detyrë që i takon një portieri. Ai të kërkon që të punosh përtej orareve, sepse fundja është ai trajneri im në stërvitje dhe unë nuk jam tërhequr kurrë pas.

Një tjetër karakteristikë e juaja shumë pozitive është ftohtësia, qetësia juaj në fushë. Si arrini të vetëpërmbaheni kështu?

Është një veti që më ka shoqëruar gjithë jetën, që fëmijë. Jam rritur kështu dhe nuk besoj se do të ndryshoj ndonjëherë. Edhe kur më ndodh të gaboj, apo të bëj ndonjë pritje të rëndë- sishme, vazhdoj të qëndroj i ftohtë, sepse ndeshjet zgjasin 90 minuta. Pastaj, edhe eksperienca te Kalmari më ka ndihmuar shumë në këtë aspekt, pasi njerëzit atje ishin shumë më të qetë sesa këtu.

Sa e rëndësishme ishte fitorja me Armeninë?

Shumë e rëndësishme për sa i përket rrugës që kemi nisur në këto kualifikuese. Ishte e vështirë të pësonim gol dhe të përmbysnim gjithçka. Megjithatë, jam i kënaqur që ia dolëm.

Sipas jush, cili ishte faktori që ndikoi në përmbysje?

Ne kemi një skuadër me kualitete. Na u vështirësua disi puna me golin e shpejtë që pësuam, por mblodhëm forcat dhe arritëm që të reagonim me dy golat dhe me rastet e shumta që patëm për shënim.

Sa shanse ka Shqipëria që të kualifikohet në “Euro 2016″?

Shanset për kualifikim janë reale. Fitorja e fundit ndaj Armenisë na i ka hapur dyert drejt Francës dhe tashmë gjithçka varet vetëm nga ne. Në 4 ndeshjet e mbetura luajmë fatin e një kombi të tërë.

A besoni se do të marrim 3 pikët në Lozanë?

Ajo që ka ndodhur, është parë nga të gjithë dhe është diçka që nuk ka të bëjë aspak me një ndeshje futbolli. Ato janë 3 pikë që do të na jepnin një shtysë të madhe, jo vetëm neve, por të gjithë shqiptarëve, ndaj shpresoj se vendimi do të jetë në favorin tonë. Ato tri pikë na takojnë me të drejtë.

Sa e rëndësishme është transferta ndaj Danimarkës, duke qenë se është rivali ynë për vendin e dytë?

Për ne, çdo ndeshje ka qenë e rëndësishme dhe të tilla do të jenë të gjitha. Janë katër sfida dhe neve na duhet që të grumbullojmë sa më shumë pikë që të jetë e mundur, pasi çdo pikë mund të rezultojë një biletë drejt Francës. Duhet të bëjmë maksimumin e mundshëm, pasi vendi i dytë nuk është i pamundur.

Përgatiti: Jeton Stamolla

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura