Partia Demokratike vijon t’i kërkojë me ngulm maxhorancës të distancohet nga personat e inkriminuar dhe t’i bashkohet Komisionit të Dekriminalizimit për të larguar çdo të dënuar nga të gjitha nivelet drejtuese.
Pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilin përmendej edhe një deputet i dënuar për trafik të qenieve njerëzore, ishkryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga Kryeministri Rama të mos e fshehë, por ta denoncojë deputetin e tij të Lezhës, Arben Ndoka. “Të gjithë e dinë, përveç qeverisë, se deputeti i dënuar për trafik prostitucioni në Itali është Arben Ndoka. Rama, të nesërmen, sikur të mos dinte shqip, u deklaroi shqiptarëve nëpërmjet zëdhënëses së tij se raporti i DASH lavdëron qeverinë”, shprehet Berisha. Duke vlerësuar mbështetjen e dhënë nga SHBA-të në luftën ndaj dekriminalizimit, Berisha i kërkoj Ramës të mos mbrojë të inkriminuarit, siç bëri në zgjedhjet vendore.
REAGIMI
Nëpërmjet një reagimi publik lidhur me denoncimit nga PD të vendimeve të gjykatave italiane, deputeti i PS, Arben Ndoka duke anashkaluar tërë- sisht raportin e publikuar nga DASH e cilëson dënimin e dhënë ndaj tij të padrejtë.
“20 vite më parë, ndaj meje ka nisur një proces gjykimi në Itali në mungesë time, pa dijeninë time, akuza të cilat nuk i kam pranuar dhe jam në një proces për rihapjen e gjykimit kundër tyre. Jam njohur me atë vendim në vitin 2002, dhe kam bërë transferimin e dosjes në Shqipëri, duke e shlyer dënimin e dhënë padrejtësisht në mungesë time. Unë kam jetuar dhe punuar gjithmonë në Shqipëri dhe gjatë gjithë jetës sime kam vetëm dy qëndrime, njërin 6 muaj dhe tjetrin 7 muaj jashtë Shqipërisë. Unë kam kryer një dënim për një faj që nuk e kam kryer dhe të ngarkuar në adresë time nga njerëz të tjerë, por shpresoj që procesi që po rihapet ta pastrojë këtë histori aksidentale ndaj meje”, shprehet Ndoka. Deputeti i PS-së kujton se në vitin 2005 ka punuar në administratën e PD-së dhe në atë kohë i është kërkuar të kandidonte si deputet nga të djathtët.
“Në kohën që PD ka qenë në pushtet, pas vitit 2005, kam punuar në INUK. Prej andej jam larguar me dorëheqjen time, për të kandiduar për deputet në listën e PS-së në Lezhë. Para se të merrja këtë vendim, kam pas oferta të hapura dhe të fshehta nga PD për të kandiduar në emër të tyre, por nuk i kam pranuar. Ata që m’i kanë bërë, janë ende në politikë në PD, mundësisht në Parlament. Basha tenton të më bëjë pis për shkak të bizneseve të mia të ndershme, ndërsa Lulzim Basha është një politikan që sillet si biznesmen. Ai s’jep dot asnjë shpjegim se si është bërë milioner, duke qenë politikan. Unë mund të dokumentoj çdo qindarkë timen, se ku e kam fituar e si e kam fituar”, deklaron Ndoka.
NGA JUXHIN MUSTAFARAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al