Berisha bën diversion: Me konsensusin e Reformës fitoi PD dhe…Ilir Meta

Jul 25, 2016 | 13:21
SHPËRNDAJE

Ish kryeministri Sali Berisha nuk i ndal diversionet ndaj maxhorancës edhe në seancën e fundit të Kuvendit.

Berisha

Në një fjalim të mbajtur pak ditë pas miratimit të Reformës në Drejtësi me 140 vota, Berisha tha se fitues përveç shqiptarëve ishin Partia Demokratike dhe…Ilir Meta.

“Kush fitoi? Fitoi e vërteta, dinjiteti njerëzor, dinjiteti kombëtar dhe sovraniteti i vendit. Kush humbi? Humbi gënjeshtra, poshtërimi i shqiptarëve. Në rrafshin social fitoi konsensusi dhe ujdia shoqërore e kombëtare. Në veçanti fitoi PD-ja, e cila nga e përjashtuara e madha e në fillim të procesit, u bë promotore e reformës. PD ia doli që një mision i cili në dukje paraqitej i pamundur, të kthehej në një sukses të plotë. PD nisi pjesëmarrjen në këtë proces e dënuar marrëzisht nga përpjekja për konsensus”, tha Berisha.

Sipas tij “Megjithë qëndrimin e Edi Ramës që në fillim të punës, gjer orën e fundit punoi pa u lëkundur dhe qëndroi e gatshme të paguante çdo çmim për konsensusin që i duhej Shqipërisë. Në këtë arritje historike të PD-së një rol thelbësor ka luajtur mbështetja e fuqishme e qëndrimeve të PD-së nga aleatët tanë si dhe qëndrimi i vendosur pro konsensus i zotit Ilir Meta. Në këtë proces fitoi edhe LSI që në momente kritike mes konsensusit dhe bashkëqeverisjes zgjodhi konsensusin”.

Ish kryeministri u shpreh se “Humbësi më i madh dhe më i turpshëm është Edi Rama. Ai përdori miliona euro për të groposur konsensusin, por kësaj radhe donte të groposte edhe PD-në dhe për të votuar me votat e krimit anti- reformën. Edi Ramën me Xhafën e drogës kapën kazmat ditën e fundit për të varrosur konsensusin. Ai do përmbyste marrëveshjen për të përdorur të njëjtën praktikë për emërime si në komisionet e vetingut ashtu edhe në komisionet e tjera. Rama futi në paketën e reformës propozimin sipas të cilit drejtuesit do zgjidheshin me votë të transferuar, e refuzuar kjo nga opozita si një praktikë e korruptuar”.

Sipas Berishes “Këtu fitoi edhe LSI e cila pas rrëzimit të projektit u nda nga maxhoranca. Ajo me ekspertët e vet hartoi një projekt solid që e dërgoi paralel me projektin Rama- Xhafa në komisionin e Venecias. Ajo i bëri me dije anëtarëve të Komisionit se ajo nuk ndante qëndrimin për të kapur drejtësinë. Le të shohim tani kush humbi? Humbi përpjekja e shqiptarëve dhe të huajve për të kapur drejtësinë. Humbësi më i madh është Edi Rama dhe ekipi i tij që me projektin e Xhafës dhe drogës donte të kapte për fyti drejtësinë. Byronë e Hetimit Rama e donte nën këmbët e tij, në drejtorinë e Policisë së Shtetit te çunat e krimit. Humbës të turpshëm janë edhe ekspertët e nivelit të lartë të Edvin Kristaq Ramës”.

Berisha deklaroi me tej se “Rama në fund luajti edhe letrën e turpit, përpjekjen për të kapur drejtësinë përmes të huajve. Ai ishte i gatshëm të bënte çdo pazar, mendoi se gjeti mënyrën për të kthyer Botën kundër PD-së. Po përsëri kush fitoi? Fitoi dinjiteti i Shqipërisë, gjykatësit dhe prokurorët e saj nuk do ti emërojnë të huajt si në vendet protektorat, por do ti emërojnë shqiptarët”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura