“Bëri epokë në humor”/ Regjisori i njohur: Koço Devole nuk përdori kurrë banalitet, ishte artist aristokrat

Nov 8, 2020 | 17:09
SHPËRNDAJE

Regjisori i mirënjohur Leka Bungo thotë se Koço Devole bëri epokë në skenën e humorit shqiptar. Teksa tregon bisedën e fundit me aktorin Devole para intubimit, regjisori thotë se ai bëri edhe shaka.

bungo

“Koço nuk ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve, por me krijimtarinë e tij bëri shkollë vetë. Kjo është humbje e një njeriu të veçantë. Koço Devole qëndron në ajkën e artistëve shqiptarë. Koço bëri epokë në skenën e humorit shqiptar. Unë me të kam komunikuar një natë përpara se të dilte nga spitali, ku thuhej se kishte dalë nga spitali, bëri dhe shaka e kjo bëri të ishte mirë. Ndërsa, më pas ishte intubuar”, tha Bungo në një intervistë për News24.

Teksa vlerësoi aktorin Devole, Bungo u shpreh se ai nuk bëri asnjëherë humor banal.

“Kam punuar 15 vjet me Koço Devolen. Ka qenë aktor në filmat e mi televizivë. Ajo që ngelet për mua është “Gjuetia e fundit”, ndër veprat më të mira të tij. Koço ka qenë autor i shumë veprave artistike. Ai ishte aktor i humorit realist. Koço nuk ra kurrë në banalitet, ai kishte humor fin, humor aristokrat.

Ai ishte mjeshtër i skenës së vërtetë. Koço hyn në rangun e artistëve, që pushtetarët kujtohen për ta vetëm pas vdekjes. Hyn në rangun e artistëve si Lako, si Trebicka etj. Koço humbi jetën duke jetuar në një apartament me qira në Tiranë dhe kjo është falë atyre pushtetarëve që flasin sot për të me hidhërim.”, u shpreh Bungo.

Bungo ka treguar sesi Koço Devole u dënua me riedukim në kohën e komunizmit, sepse ishte kundër skematizimit të humorit në atë kohë.

“Koço, për mendimet e tij liberale, ai u hoq nga estrada, iu hoq e drejta e profesionit dhe ka punuar disa kohë në disa fabrika, se gjoja do riedukohej. Arsyet ishin se ishte artist i vërtetë, që nuk ishte skllav i atyre periudhave. Koço oshte natyrë artistike rebele. U dënua sepse ishte shumë i zoti”, deklaroi regjisori Bungo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura