Bëri bono thesari në BSH paratë që djali i fitoi me drogë në Francë, Prokuroria-Gjykatës: Konfiskojani

May 28, 2015 | 12:03
SHPËRNDAJE

Prokuroria për Krime të Rënda i ka kërkuar gjykates të bëjë konfiskimin e shumës 3.5 milionë lekë të reja, të investuara në bono thesari pranë Bankës së Shqipërisë nga ana e shtetases Zenepe Cenaj. Sipas akuzës, kjo shtetase banuese në Shkodër, i ka përfituar paratë nga aktiviteti i paligjshëm i djalit të saj, Ylber Cenaj, i arrestuar në Francë për “trafik lëndësh narkotike”.

Gjykata e Krimeve të Rënda

“Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për hetim pasuror, pasi informacionit të mbërritur nga autoritetet franceze mbi arrestimin e shtetasit Ylber Cenaj. Sipas të dhënave nga Franca, ky shtetas, sëbashku me 25 shtetas të tjerë, janë arrestuar në kuadër të një operacioni të zhvilluar në qytetin e Perige (pranë Bordos), Francë, në të cilin policia franceze ka zbuluar një rrjet që trafikonte dhe shpërndante lëndë narkotike cannabis, kokainë, etj., në lokalet e natës së zonës”- njofton prokuroria.

Sipas prokurorisë, autoritetet franceze kanë njoftuar se aktiviteti i këtij grupi shtrihet të paktën që prej vitit 2011. “Pikërisht, në këtë kohë, shtetasi Ylber Cenaj ka dërguar në Shqipëri një sasi parash, të cilat janë investuar nga e ëma e tij në bono thesari pranë Bankës së Shqipërisë”- thuhet ne kerkesen e akuzes.

Nga hetimi i kryer prej Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se shtetasja Zenepe Cenaj nuk ka pasur asnjë mundësi reale që të krijojë të ardhura. Për këtë arsye, Prokuroria ka krijuar bindjen e plotë se paratë e investuara prej saj kanë prejardhje nga veprimtaria kriminale e të birit, shtetasit Ylber Cenaj. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura