“Berati, qarku pa asnjë krim”/ Gledis Nano në analizën vjetore të policisë: Të rrisim forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimit

Jan 18, 2022 | 18:23
SHPËRNDAJE

Berati është qarku që gjatë vitit 2021 nuk ka regjistruar asnjë krim kundër jetës dhe pronës. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano mori pjesë në analizën vjetore të këtij qarku, ku theksoi se fakti që nuk ka ndodhur asnjë vrasje, ka të bëjë me forcën parandaluese të kësaj policie.

Përtej rezultateve pozitive të vitit 2021, Nano shpalosi edhe synimet për vitin 2022, duke theksuar se duhet të rritet forca parandaluese, forca goditëse ndaj krimit me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve.

“Më vjen mirë që dëgjoj vlerësime pozitive, lidhur me rezultatet e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Shifrat flasin qartë, flasin vetë.

Ashtu siç u përmend edhe nga Drejtori i Policisë, fakti që nuk ka ndodhur asnjë vrasje, ka të bëjë me forcën parandaluese të kësaj policie, lidhur me këto vepra të rënda penale, të cilat janë një indikator shumë domethënës në sigurinë publike të të gjithë qytetarëve dhe për këtë vlen të përgëzohet gjithë stafi i drejtorisë tuaj.

Po kështu, dhe rezultatet në drejtim të ndjekjes, parandalimit apo dhe dokumentimit të veprave të tjera penale, janë të mira. Bashkëpunimi, siç edhe u përmend, është në nivele më të larta, dhe mua për këtë më vjen mirë. Ajo që ne duhet të synojmë gjatë vitit 2022, pa harruar të rezultatet e mira që kemi patur gjatë vitit 2021, në qarkun e Beratit, është të rrisim forcën parandaluese, forcën goditëse ndaj krimit në të gjitha fushat dhe tipologjitë e krimeve që ka qarku problematikë, duke rritur kështu dhe besimin me qytetarët, të cilët janë aleati ynë dhe nuk janë sot në këtë sallë.

Jam shumë i bindur që Drejtoria Vendore e Policisë Berat do të vazhdojë dhe do të ketë rezultate shumë të ardhmen dhe ashtu siç në të vërtetë është një qytet muze Berati, ashtu do të jetë një qytet muze apo t’i reflektojë këto vlera dhe në raport me sigurinë dhe rendin në qytet, jo vetëm për qytetarët e Beratit, por për të gjithë turistët që vijnë dhe vizitojnë të gjithë qarkun, jo vetëm qytetin.

Kështu që, unë edhe një herë ju përgëzoj të gjithëve ju, sepse e gjithë puna është bërë nga ju, nga stafi juaj, dhe këto falënderime i shkojnë edhe stafit me të cilët ju punoni. Ju inkurajoj që të punoni akoma më shumë, për rritjen e rezultateve, pasi nuk mund të vetëkënaqeni me ato që kemi arritur deri më tani, por duhet të synojmë edhe të kërkojmë akoma më shume tek vetja në fillim dhe pastaj tek partnerët apo institucionet e tjera ligjzbatuese apo të inteligjencës me të cilët ne bashkëpunojmë, për t’ia arritur qëllimit tonë”, u shpreh Nano në fjalën e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura