BERAT/ Privatizimi i urbanëve, PD e PS votojnë në unanimitet

Apr 1, 2015 | 21:22
SHPËRNDAJE

Privatizimi i linjës urbane në Berat ka sjellë bashkimin e votave të anëtarëve të Këshillit, duke votuar thuajse në unanimitet.
 I vetmi që ka votuar kundër ka qenë anëtari i Partisë Komuniste në Këshillin Bashkiak. Rrallë ka ndodhur që kahet e kundërta të bëhen bashkë në Berat, por këtë herë kjo ka ndodhur. Privatizimi ka krijuar debate të ashpra midis këshilltarit komunist, Aleko Boçe dhe kryetares së Këshillit Bashkiak, Valbona Zylyftari. Ai i është drejtuar Zylyftarit duke i thënë se është e paaftë dhe nuk njeh ligjet. Boçe ka marrë shkas nga kthimi i shkresës sërish në Këshill nga prefekti me argumentimin se nuk ishte përgatitur sipas ligjit. Zylyftari është detyruar të kërkojë edhe ndërprerjen e mbledhjes. Por gjendja është qetësuar pas ndërhyrjes së kryebashkiakut të Beratit, Fadil Nasufi. Në fund të mbledhjes, privatizimi i linjës urbane u aprovua me 35 vota pro dhe një kundër, që ishte e Boçes.
Ky i fundit është shprehur se me privatizimin e parkut të autobusëve shumë kryefamiljarë mbesin pa punë, ndërsa dhe urbanët që do të vihen në funksion, sipas tij nuk do të jenë të kohës. Por, nga ana e këshilltarëve të tjerë është deklaruar se autobusët e rinj që do të vijnë nga privati do të jenë modernë. Këtë fakt e tha dhe anëtari i PD-së në Këshillin Bashkiak, Tritan Haznedari. Ai u shpreh pro votimit, duke deklaruar se qytetarët sot kërkojnë një shërbim më të mirë dhe autobusët ekzistues janë tejet të amortizuar. Këshilli Bashkiak i Beratit ka 36 këshilltarë gjithsej, 15 prej të cilëve të koalicionit të djathtë dhe 21 të së majtës. Ndërkohë është shtyrë për një datë tjetër vendimi nëse do të lejohet apo jo parkimi në rrugën Mangalem- Agjenci. Për këtë pikë të rendit të ditës ka pasur përplasje mes këshilltarëve. Të djathtët kërkojnë që parkimi të lejohet pasi qytetarët dhe tregtarët nuk kanë ku lënë makinat, ndërsa e majta kërkon që të lihet e lirë rruga dalëse nga qyteti, për të mos shkaktuar trafik.

BERAT/ DILAVER XHELILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura