Beqaj: Testimi i mjekëve, masat pas daljes së rezultateve

Apr 25, 2015 | 13:21
SHPËRNDAJE

Pavarësisht kontestimit nga ana e bluzave të bardha, duket se testimi i tyre është një rrugë e nisur që me të gjitha gjasat nuk do të ketë kthim pas. Qeveria ka shprehur vullnetin e njëherazi bindjen e palëkundur për ta çuar deri në fund këtë nismë. Zv.kryeministri, Niko Peleshi, e konsideroi një domosdoshmëri zhvillimin e provimit për mjekët dhe infermierët. 

Ministri Ilir Beqaj

I pranishëm në Kongresin Ndërkombëtar të Mjekësisë, Peleshi tha se provimi i planifikuar është një nxitje për të njohur më mirë realitetin. Por pikëpyetja më e madhe që kanë bluzat e bardha është se çfarë do të ndodhë me rezultatet e dala nga ky provim? 

Pavarësisht deklaratave të herëpashershme të ministrit të Shëndetësisë se nuk do të largohet askush nga puna dhe se ky është vetëm një fotografim për të parë se ku ndodhemi, personeli shëndetësor nuk është qetësuar, duke vijuar të shprehë revoltën për këtë vendim.

Por dje, zv.kryeministri deklaroi se pas njohjes me situatën reale do të jetë Ministria e Shëndetësisë institucioni që do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura. 

“Testimi është një nismë e shëndetshme për burimet njerëzore të kujdesit shëndetësor në vend. Është një nxitje pozitive dhe mënyrë për të njohur realitetin. Më pas, Ministria e Shëndetësisë do të marrë masat e duhura. Në një kohë shumë të shkurtër, kjo politikë e qeverisë do të kuptohet siç duhet”, tha Peleshi. 

BEQAJ 
Edhe për ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, provimi i bluzave të bardha është kërkesë e kohës për të matur aftësinë e tyre në punë, është një tregues për të parë nevojat që ata kanë. Beqaj kërkoi që të mos hidhen hije dyshimi në mënyrën sesi do të bëhet ky provim, duke theksuar se ka një dakordësi për nevojën e këtij testimi. 

“Ka një konsensus të përbashkët që ky testim na duhet dhe nuk duhet kompromentuar me mënyrën si do të bëhet”. Një ditë më parë, ministri ishte edhe më i ashpër në qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje. Ndërsa e cilësoi si sfidën më të vështirë këtë nismë, ai vuri në dukje mungesën e një trupe profesionistësh të Shëndetësisë të mirëkualifikuar. 

“Kemi mjete të kufizuara financiare, por edhe aty ku kemi bërë investime, me vështirësi gjejmë burime njerëzore të afta, sepse nëse paratë mund t’i gjejmë nesër dhe qeveria mund t’i prioritizojë nga një sektor në sektorin tjetër, formimi i një mjeku shkon të paktën në një cikël, nga matura deri sa del specialist, të paktën 10 vjet dhe janë boshllëqe të krijuara në vite, do na duhet kohë që t’i rikuperojmë”, tha Beqaj. 

MUNGESA E MJEKËVE 
Një nga problemat më të mëdha që ka sektori i shëndetësisë në vend është mungesa e mjekëve specializantë. Zv.kryeministri, Niko Peleshi, ndërsa e vuri në dukje këtë fakt propozoi aplikimin e bonuseve. Kjo do të thotë që të suportohen kandidatët e Mjekësisë për të zgjedhur një specialitet që nuk është shumë i kërkuar. 

“Ne kemi mungesa në mjekë reaminatorë, po kemi dhe mungesë interesi për t’u specializuar në këtë specialitet. Tregu me sa duket dështon për një pjesë të specialiteteve. Ne kemi mungesa të theksuara në spitalet rajonale për shembull të mjekëve të specializuar, që marrin përsipër të gjithë risqet e thyerjes së kontratës, gjithë sanksionet dhe nuk shkojnë të plotësojnë vendet vakante në këto spitale rajonale. Ky është shembull tjetër se si tregu dështon në plotësimin e nevojave për burime njerëzore në institucionet tona të kujdesit shëndetësor”, tha Peleshi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura