Beogradi “këshillon” Listën Serbe: Ja çfarë të bëni për Qeverinë në Kosovë

Jul 25, 2017 | 12:59
SHPËRNDAJE

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Beogradi e ka këshilluar Listën Serbe se çfarë duhet bërë në raport me situatën e re politike të krijuar pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë.

lista

Duke folur në televizionin Pink, Gjuriq ka thënë se “Beogradi i ka këshilluar përfaqësuesit e Listës serbe të jenë të duruar dhe t’i lejojnë partitë shqiptare të debatojnë me njëra tjetrën”.

Kujtojmë se Lista Serbe, përmes shefit të Zyrës për marrëdhënie me media i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë më parë se kjo parti nuk do të hyjë në koalicion, pa iu plotësuar kushtet dhe kërkesat e veta.

Lista serbe ende nuk ka vendosur cilit koalicion do t’i bashkohet pas zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme të 11 qershorit, kishte thënë nënkryetari i kësaj Liste, Slavko Simiq, transmeton Koha.net.

Lista Serbe madje as që i shkoi në takim presidentit Hashim Thaçi, që ftoi partitë parlamentare në një takim konsultues për mbajtjen e seancës konstituive.

“Si president i Listës Serbe, e falënderoj për ftesën për konsultime rreth datës së mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe mund të them se Lista Serbe nuk do të shkojë në atë takim. Përfaqësuesit e Listës Serbe do të marrin parasysh thirrjen për verifikim të mandateve në pajtim me ligjin, por nuk dëshirojmë që përfaqësuesit serbë dhe populli serb të jetë në mes të çekanit dhe kudhrës” ka thënë Rakiq.

Rakiq u ka thënë mediave serbe se vendimi për koalicionin e ardhshëm do të vendoset në Beograd.

“Ne jemi të gatshëm për bisedime dhe dialogu nuk ka alternativë. Jemi të gatshëm për të biseduar mbi politikën e paqes. Nuk jemi të interesuar për pozita, por që serbët të kenë jetë më të mirë në Kosovë”, ka thënë ai.

Data e mbajtjes së seancës është caktuar 3 gushti, ndërsa Srpska ka nëntë deputetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura