Historitë e Shqipërisë komuniste frymëzojnë Anisa Markarian të shkruajë një roman

Apr 15, 2019 | 11:27
SHPËRNDAJE

Ata që kanë marrëdhënie me aktoren mjeke në rrjetet sociale, Anisa Markarian, nuk do të çuditen fare nga lajmi i botimit të librit të saj të parë. Janë aq të shumta copëzat nga jeta e saj që i ka shkruar për t’i ndarë me miqtë, me aq detaje e përkushtim, saqë ardhja e një libri me emrin e saj ngjan vetëm si një zgjatim i gjithë atyre tregimeve të bukura që kemi lexuar nga Anisa në këto vitet e fundit.

Ah po, mund të mos besosh pasurinë dhe pastërtinë e shqipes së saj, por të tjerat janë për t’u mirëpritur. “Kur isha studente në Mjekësi, gjatë muajit të praktikës në Shërbimin e Ortopedisë, të udhëhequr nga prof. Panajot Boga, pata njohur një pacient 21-vjeçar me këmbën e djathtë të cunguar gjer në gju.4545454112121

Një histori sa e dhimbshme aq edhe e përveçme, që m’u ngulit në mendje e më frymëzoi një nga personazhet më të dashur të romanit tim të ri “15 ditë prilli”. Ja përse, në pritje për të marrë librin ndër duar, vendosa t’ju prezantoj Teon. Njohje të këndshme! (Jam e sigurt që do t’ju bëjë për vete).

PJESË NGA LIBRI “15 DITË PRILLI”

DITA E TRETË E mërkurë, 10 prill

– A u mësove me patericat? – iu drejtua mjeku specializant pacientit të shtrirë në divanin e ekzaminimit, një djalosh 21-vjeçar me emrin Teo.

– S’bëj dot më shumë se 40-50 metra, se më therin rrëzat e krahëve. Plagë i kam sqetullat, – u ankua ai, i ngërdheshur në fytyrë nga përjetimi i dhimbjes.

– Me siguri i mëshon trupit më shumë se ç’duhet. I gjendet dermani, mos u bëj merak. Duhen lidhur dy jastëkë të vegjël mbi tërthorëset e patericave, që të zbutet fërkimi me lëkurën. T’i sajon ndihmësinfermieri kur të shkosh në pavijon,- e qetësoi mjeku. Nën bluzën e bardhë kishte veshur uniformën e oficerit rezervist – specializimin në ortopedi e kryente në Spitalin Madhor të Forcave të Armatosura.

Qëndronte përballë kornizës me ndriçim qumështor, që shërbente për të lexuar radiografitë. Mbi xhamin e saj ishin radhitur 4 filma të sapozhvilluar. Paraqitnin, ballas e në profil, eshtrat e legenit e të kërdhokullit dhe kupën e gjurit të djathtë të Teos. Ishte kontrolli i tretë radiologjik pas operacionit. Specializanti dukej i kënaqur.

– Kur do të ma vini protezën doktor?

– Hëpërhë është e pamundur. Cungu i gjurit vazhdon të kullojë,- i shpjegoi djaloshit duke trokitur mbi njërin nga filmat me majën e stilolapsit. I sëmuri ndodhej në spital që prej tre muajsh. Përfaqësonte një nga ato rastet e dëshpëruara, për të cilat mjekësia kërkon ndihmën e një ndërhyrjeje hyjnore, ngaqë e vetme nuk ia del dot. Shërimi i tij mund të quhej me plot gojën një mrekulli. Por të sëmurit aq i bënte. Në vend që t’i puthte dorën Zotit, përpiqej me të gjitha forcat ta zemëronte. Voziste në një batak mëkati pa as më të voglin teklif.

– Do të zgjasë shumë kjo gjendje? – u interesua të dinte Teo

. – E vështirë të parashikohet. Disa javë? … Disa muaj?

– Jooo…?! – Durim! Më e rënda u krye. Nesër do të të transferojmë në “Kosheren e Heronjve”.

– Erdhi përgjigjja, më në fund? – u gjallërua djali.

– Po. Falë mbështetjes së Komisionit MjekoLigjor. Pasi e studioi imtësisht rastin tënd, profesor Torrezi pranon të të marrë në mjekim. Nuk i bëhet kujtdo ky privilegj Teo, ta dish!

– Ouu?! – S’ta merr mendja se ç’do të thotë të jesh bujtës i Kosheres…

Njëlloj si të të ishin hapur portat e parajsës.

– Ideja ime mbi parajsën është paksa e veçantë doktor, – nënqeshi Teo.

– Më mirë të mos e dini.

– E di, e di! – ia ktheu specializanti.

– Më kanë ardhur në vesh bëmat e tua, – dhe ktheu kokën nga dritarja për t’i dhënë të kuptonte që e njihte edhe vendin ku i kryente zullumet.

– Secili ka parajsën e vet… – u shfajësua Teo duke ngritur supet. Dritarja e vetme e zyrës së mjekut shihte nga dushkaja shekullore e mbjellur me bungëbuta, shpardhe e valanidhe.

Një pyllishtë mëse e rëndomtë në dukje, sidomos po ta gjykoje nga qetësia që mbretëronte gjatë ditës. Por natën ishte tjetër hesap. Me të perënduar dielli, shndërrohej në një fjetore qejfi në qiell të hapur. Çiftohej kush të mundte! Të divorcuarit rishtas, vejushat dhe vejanët, dashnorët e pashpallur, nimfat e panginjura, burrat e pakënaqur…

Bënin seks në pozicionet më të pagjashme, të frymëzuar nga shembulli i profesionisteve me tarifa gjakpirëse. Një çetë arixheshkash si hyri xheneti, që e ushtronin zanatin me bindje e kompetencë. Arrinin të zbrunin vendin më të gungët të trupit të klientit në vetëm një çerek ore (tarifa bazë).

Sfidonin edhe patrullat e “Ruajtësve të Dëlirësisë Morale”, që s’linin vrimë pa gërmuar. Po t’i kapnin “me faktin në dorë”, rrezikonin 10 vjet burg për bamirësi të ndaluar. Por nuk u bënte syri tërr amazonave të dushkajës! Sidomos, qëkurse u kishte dalë nami që zotëronin edhe dhunti hyjnore. Të zhgënjyer nga mjekimet konvencionale, shumë nga të sëmurët e Spitalit Madhor gjenin lehtësim veç në krahëkofshët e tyre. Vizitat te xherahet zeshkane kryheshin gjithnjë pas mesnatës. (Përdornin melheme e teknika hënore).

Me t’u dhënë sinjali, ndihmësinfermierët transportonin pacientët nga shtrati i lëngimit në zemër të pyllishtës. Kë shtrirë në barelë, kë kruspulluar në karrigen me rrota. Ua linin arixheshkave në dorë gjysmë të vdekur e kur shkonin t’i merrnin, i gjenin të esëlluar. Me të njëjtat metoda kishin shëruar edhe Teon.

Veçse për të ishin nevojitur ndërhyrje grupore të përnatshme. I sëmuri u tregonte muskulin e ngurtësuar (gjithnjë i njëjti!) dhe ato përveshnin llërët e i futeshin punës. E fërkonin, e lëpinin, e vajosnin, e thëthinin, por ai veç ankohej. Dhe ato rifillonin; ia bënin adetet një për një. E kolovitnin, e troshitnin, e ndrydhnin, e shkrydhnin, por ngërçi nuk i kalonte. Atëherë ndërhynte Kleopatra, matka e profesionisteve të qejfit.

E pickonte, e thumbonte, e fshikullonte, e asfiksonte… dhe ai ringjallej gjeth! Mjekët nuk kishin të drejtë ta qortonin. E kishin ndjellur vetë, me lutjet e tyre, ndërhyrjen hyjnore…

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura