“Ben Qimja” trafikoi në Itali gjashtë ngarkesa me kokainë

May 16, 2014 | 14:06
SHPËRNDAJE

Arben Isufaj (Ben Qimja )
Zbardhet dosja hetimore italiane ndaj biznesmenit fierak Arben Isufaj, i njohur edhe si “Ben Qimja”.  Sipas autoriteteve italiane të drejtësisë, biznesmeni dyshohet të jetë përfshirë në disa episode të trafikut të kokainës nga Holanda në Itali gjatë periudhës 2004-2005. Të dhënat nga hetimet e vendit fqinj zbardhen në vendimin e Gjykatës së Tiranës që vendosi ekstradimin në Itali të biznesmenit Isufaj. Në vendimin e shpallur më 8 maj, i zbardhur ditët e fundit, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta, citohen edhe emrat e të dyshuarve si bashkëpunëtorë të Isufajt, si dhe sasitë e lëndës narkotike të trafikuar. 
EPISODET
Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që lejoi ekstradimin e biznesmenit, Isufaj dyshohet të jetë përfshirë në të paktën gjashtë episode trafiku. “Procedimi penal për të cilin është caktuar masa e sigurimit bën fjalë për disa episode në të cilat subjekti i kërkuar për t’u ekstraduar, Arben Isufaj, në bashkëpunim me Vasilis T., Altin M. e Jetnor K., për të cilët procesi është kryer më vete, sepse janë arrestuar në flagrancë, importonin nga Holanda në Itali, transportonin dhe mbanin me qëllim që ta shpërndanin një sasi kokaine prej 3.5 kg. Vepra penale është kryer me rrethanën rënduese se është kryer me më shumë se tre persona, në bashkëpunim. Ngjarja ka ndodhur më 11 dhjetor 2004 në Melegnano. Më 18 shkurt 2005 Arben Isufaj mbante me qëllim që ta shpërndante 3 kilogramë kokainë, të sjellë nga Holanda dhe ia dorëzonte për transportim Anbreas G. Më 27 mars 2005, në bashkëpunim me Artur L. kanë transportuar dhe shpërndarë 5.8 kg drogë të llojit kokainë. Më 20 e 21 prill 2005, në bashkëpunim me Kelmend D., Fatjon A., mbajnë me qëllim për ta shpërndarë, transportojnë dhe importojnë sasi kokaine prej 2994 gramësh. Më 25 gusht 2005, në bashkëpunim me Arben G., mbanin me qëllim që ta transportonin një personi, me emrin Adi një kilogram kokainë. Këto vepra penale në mënyrën e mësipërme janë kryer edhe në bashkëpunim me persona si Erion D. për shtatë kilogramë kokainë më 2 tetor 2005, në bashkëpunim me Arben G. për 50 gramë kokainë më 6 dhjetor 2005, në bashkëpunim me Dritan Leshanakun më 28 shkurt 2006 etj.”, zbardheshin në vendimin e gjykatës episodet për të cilat akuzohet biznesmeni Isufaj në Itali.
ARRESTI
Arben Isufaj u arrestua më 9 mars të këtij viti në Fier, për shkak se më 22.06.2010 Gjykata e Torinos në Itali kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij për akuzën e “pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Me një vendim të Gjykatës së Tiranës, më 11 mars ai u la në masën e sigurisë “arrest në burg”. Kjo masë u kundërshtua nga Isufaj në Apel, i cili vendosi që kjo masë të ishte me afat 30-ditor. Në një kohë që afati përfundonte më 9 prill, dy ditë me herët Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest në burg” pa afat për biznesmenin.
Ekstradimi
Më 8 maj 2014, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e biznesmenit Arben Isufaj. Sipas gjykatës, kërkesa për ekstradimin e Isufajt përmbante dokumentacionin e nevojshëm, urdhrin e arrestit të autoriteteve italiane, qëllimin për të kërkuar ekstradimin e biznesmenit, si dhe llojin dhe masën e dënimit për veprat për të cilat ai është i dyshuar. Isufaj kërkoi refuzimin e kësaj kërkese, duke pretenduar shkelje procedurale, që nisin që me momentin e arrestimit të tij.

Armand Bajrami

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura