“Ben Qimja” del nga burgu, gjykata e lë arrest shtëpie

Jul 18, 2014 | 8:15
SHPËRNDAJE

Arben Isufaj (Ben Qimja )

FIER- Arben Isufaj, apo siç njihet ndryshe si Ben Qimja, ka lënë dje qelinë. Gjykata e Fierit dha vendimin e ndërmjetëm në “arrest shtëpie” ndaj tij, deri në përfundim të shqyrtimit në themel të çështjes së ekstradimit. Lirimi i të kërkuarit nga drejtësia italiane për trafik droge bëhet dy ditë pasi Gjykata e Fierit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së këtij rrethi për zgjatjen e afateve të masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij.

Gjykata e Fierit dha vendimin e ndërmjetëm në “arrest shtëpie” ndaj tij, deri në përfundim të shqyrtimit në themel të çështjes së ekstradimit. Lirimi i të kërkuarit nga drejtësia italiane për trafik droge bëhet dy ditë pasi Gjykata e Fierit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së këtij rrethi për zgjatjen e afateve të masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. Akuza kërkoi zgjatjen e afatit me 30 ditë të tjera ndaj Ben Qimes për shkak se afati ligjor 90 ditë i burgimit ishte drejt limitit. Por 5 ditë para se të mbaronte ky afat, gjykata rrëzoi kërkesën e prokurorisë dhe pranoi të merrte në shqyrtim kërkesën e mbrojtjes së Isufaj për të shuar masën e sigurisë dhe për ta liruar atë. Seanca është mbajtur dje rreth orës 08:45, me masa të rrepta sigurie. Në fund të saj gjykata ka vendosur që të caktojë një masë më të lehtë ndaj Isufajt, atë të arrestit në shtëpi, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Ai do të qëndrojë në arrest shtëpie deri në dhënien e një vendimi të formës së prerë nga gjykatat shqiptare për ekstradimin ose jo të tij. Shqyrtimi i themelit të çështjes së ekstradimit do të nisë nga e para po në Gjykatën e Fierit. Çështja më pas pritet t’i kalojë Apelit të Vlorës. Pak kohë më parë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shpalli moskompetencën e Gjykatës së Tiranës për shqyrtimin e kësaj çështjeje dhe dosja i kaloi Fierit. Gjatë kësaj kohe, dy gjyqtarë dhanë dorëheqjen nga çështja, çka po favorizonte afatet ligjore të të arrestuarit për qëndrimin në qeli të tij. Ndërsa gjyqtarja e tretë që i ra shorti për shqyrtimin e dosjes vendosi ta linte në arrest shtëpie Arben Isufajn. Rrëzimi i kërkesës për 30 ditë të tjera burg ndaj Isufajt solli dy ditë më parë edhe reagimin e Prokurorisë, e cila e konsideroi këtë si një veprim të paprecedentë, duke theksuar se ligji e ka parashikuar këtë mundësi për organin e Prokurorisë nisur nga fakti se procedurat e ekstradimit mund të kenë vonesa të justifikuara të dokumenteve nga shteti që kërkon të pandehurin. Por Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 15 korrik, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e afatit të masës së sigurisë “arrest me burg” për Arben Isufajn (Ben Qimja), ndaj të cilit po shqyrtohet kërkesa e autoriteteve italiane për ekstradim, për “trafik të lëndëve narkotike”. Nuk konfirmohet nëse vetë Ben Qimja ka qenë i pranishëm dje në sallë, pasi seanca është bërë me dyer të mbyllura dhe vetë gjykata ishte hermetike në dhënien e detajeve në lidhje me këtë çështje. Ben Qimja u arrestua në muajin mars të këtij viti. Arrestimi i tij u bë pas kërkesës së drejtësisë italiane për ekstradim për veprën e mësipërme. 

REAGIMI
Prokuroria e Përgjithshme reagoi dy ditë më parë, pas rrëzimit të kërkesës së saj për zgjatjen e afatit të burgimit. “Gjykata e Fierit, me vendimin e datës 15 korrik, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e afatit të masës së sigurisë “arrest me burg” për Arben Isufajn, ndaj të cilit po shqyrtohet kërkesa e autoriteteve italiane për ekstradim, për ‘trafik të lëndëve narkotike’. Kjo është e paprecedentë, pasi ligji e ka parashikuar këtë mundësi për organin e Prokurorisë, nisur nga fakti se procedurat e ekstradimit mund të kenë vonesa të justifikuara të dokumenteve nga shteti që kërkon të pandehurin”, thuhej në njoftimin e Akuzës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura