Ben Blushi: Ramës nuk i bën mirë të lexojë “Kandidatin”

Nov 13, 2015 | 18:41
SHPËRNDAJE

Shkrimtari dhe deputeti i majtë Ben Blushi deklaroi se “Rilindja si doktrinë nëse mund të quhet doktrinë, me të cilën socialistët fituan zgjedhjet e 2013-ës, falimentoi dhe sot kjo është më e vërtetë se kurrë”. “Gjendja ime, mënyra se si e shoh Shqipërinë sigurisht që ka lidhje me librin “Kandidati”, tha Blushi gjatë një rrëfimi të gjatë në “Wake Up” në “Top Channel”, për botimin e tij të fundit por edhe për qëndrimet e tij në politikë. Ai u shpreh se nuk ka kurozitet nëse kryeministri Edi Rama e ka lexuar apo jo “Kandidatin”, por tha se “beson se Ramës nuk i bën mirë që ta lexojë këtë libër”.

1447421721blushi-wake-up
“Për mua ka rëndësi sot se çfarë mendojnë shqiptarët. Sigurisht që unë nuk i përfaqësoj të gjithë, por jam i bindur që një pjesë e madhe e shqiptarëve ndajnë të njëjtin mendim; se Shqipëria po rrokulliset në një drejtim të paditur. Pse na ikin 100 mijë vetë në ditë në Gjermani?! Kjo bisedë është e trishtuar, por është e vërtetë. Nëqoftëse hapet ky vend, rrezik do të ikin edhe 500 mijë të tjerë, nëqoftëse Merkeli del në TV dhe thotë “pranoj shqiptarë sa të doni”. Po 200 mijë për llotarinë amerikane?! Janë 70 përqind e të rinjve të papunë, mbarojnë shkollën por nuk gjejnë një punë. Rritja ekonomike më e ulët në rajon, raporti me bizneset dhe thithja e investimeve të huaja më e vogël se Maqedonia dhe Kosova. Pra pyetja është: ku po shkojmë? Përveçse krizë ekonomike, të cilën ndoshta nuk e zgjidhim dot, fatkeqësia është se jemi futur edhe në një krizë të madhe morale, sepse ajo që po ndodh në Parlament nuk janë ato çfarë njerëzit donin të shihnin”, tha Blushi. Sipas tij, njerëzit mund ta pranojnë varfërinë deri në një masë, por padrejtësinë nuk e pranojnë dot, as pabarazinë. “Nëqoftëse qeveria jep pabarazi dhe padrejtësi, sigurisht që njerëzit thonë: “duhet të ikim nga ky vend!”. Ne duhet ta frenojmë këtë gjë. Ky është plani im, nëqoftëse ka ndonjë plan”, tha ai.

Blushi foli edhe për debatin se sa janë të ngjashëm personazhet letrarë tek “Kandidati”, me personazhe të njohur të politikës dhe medias. “E di që është bërë ky debat. Por libri nuk është një gjëegjezë. Unë nuk shkruaj gjëegjëza që dikush të përpiqet t’i gjejë. Nuk është ky qëllimi im. Por nëqoftëse ju identifikoni njerëz që ju pëlqejnë, njerëz që i njihni dhe besoni që filan personazh është në fakt ky, atëherë unë e kam arritur qëllimin tim. Pse?!… Sepse ju aty shihni njerëz që i njihni realisht. Dhe nëse letërsia përshkruan botën që jetojmë, ajo ia ka arritur qëllimit”, u shpreh ai.

Libri, sipas Bushit, “lindi nga zgjedhjet e shkuara në të cilën shumë qytete të Shqipërisë u detyruan të votojnë njerëz të pavotueshëm”. “Dhe kur ti sheh sesi një qytet për arsye që nuk i kupton dot, voton për njerëz që nuk mund të votohen dhe ua thua që ky njeri është i pavotueshëm, ai jo vetëm që votohet në mënyrë të ekzagjeruar por nuk ka asnjë lloj rezistence; atëherë pikëpyetja është: Po këta njerëz mendojnë para se të votojnë?”, u shpreh Blushi. “Është e pamundur që një qeveri apo klasë politike të jetë komplet e pandjeshme sa të mos kuptojë që populli është i mërzitur dhe është gati për të reaguar. Unë prandaj them në fund (të librit) si alegori; A ka ardhur dita që shqiptarët të mendojnë pak më shumë? Unë them që po!”, tha ai.  /Top Channel/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura