Bëmat e diktatorit shqiptar në librin e panjohur “Shqipëria e Enver Hoxhës”, i gazetarëve të TANJUG-ut, botuar në Beograd në ’81-in

Oct 31, 2019 | 8:23
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa pjesë nga libri i panjohur për lexuesit shqiptar, të titulluar “Shqipëria e Enver Hoxhës” i cili është botuar në vitin 1981 në Beograd, nga një grup gazetarësh të agjensisë së shtetërore të lajmeve “TANJUG”, të ish-Jugosllavisë së Titos dhe të përkthyer më pas dhe botuar në gjuhën shqipe në Prishtinë. Çfarë thuhet në atë libër për regjimin komunist të Tiranës dhe personalisht për diktatorin Enver Hoxha?

1

Kur nuk kishin kaluar më shumë se tre katër muaj nga fillimi i demostratave masive të mbarë popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it të cilët u ngritën për të drejtat dhe liritë e tyre të nëpërkëmbura dhe të shtypur nga regjimi titist i Beogradit, një grup gazetarësh të agjensisë shtetërore të lajmeve të Jugosllavisë së asaj kohe, TANJUG, nxorrën nga shtypi një libër të titulluar “Shqipëria e Enver Hoxhës”, libër i cili në korrik të atij viti u përkthye dhe u botua edhe në shqip në Kosovë nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës, duke i cilësuar si “Botim i posaçëm”?!. 2

Edhe pse libri në fjalë ishte një pasqyrë më se reale e asaj ç’ka ndodhte prej vitesh në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, duke filluar që nga: izolmi i plotë i vëndit nga bota e jashtëme, mënyra e jetesës e shqiptarëve, mungesa e automjeteve private, turistët e huaj që i kontrollonin që sapo zbrisnin nga avioni në aeroportin e Rinasit për veshjet, mjekrrat dhe flokët e gjata, sindroma e shtetrrethimit dhe bunkerizimi i vëndit nga frika e armiqve imagjinarë, propaganda e fryrë zyrtare me të gjithë mjetet e komunikimit masiv (Radio-Televizioni, gazeta “Zëri i Popullit” etj), ku thuhej se “Shqipëria është i vëtmi vënd socialist në botë dhe lufton i vetëm imperializmin ameriakn dhe revizionizmin sovjetik”, parrullat gjigande ku shkruhej “Të çajmë bllokadën dhe rrethimin imperialisto-revizioniste” apo “kromi çan bllokadën”, etj., delegacionet dhe grupet e huaja marksiste-leniniste që thirreshin në Kongreset e PPSH-së për të krijuar imazhin se Shqipëria komuniste kishte miq kudo nëpër botë, turistët e huaj të paktë që vizitonin vëndin dhe ishin të kontrolluar kudo, gjëndja tejet e vështirë ekonomike ku e kishte katandisur vëndin udhëheqja komuniste e Tiranës, dhe për të përfunduar te spastrimet që po bënte diktatori komunist bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, botimi i atij libri pikërisht në atë kohë kur e gjithë bota po ndiqte më vëmëndje ngjarjet në Kosovë, duket qartë se ka qenë me një prapavijë të dukshme politike.  3

Pasi duke paraqitur anët më të errrta të regjimit komunist të Tiranës dhe diktatorit komunist të saj, Enver Hoxhës, propaganda e Beogradit synonte të ulte imazhin e shqiptarëve në sytë e botës dhe gjithashtu vetë kosovarëve, të cilët i kishin sytë tek atdheu amë. Pa hyrë në këto analiza, nga libri në fjalë kemi përzgjedhur vetëm një kapitull, të cilin po e publikojmë pa asnjë ndryshim nga versioni origjinal, gjithnjë sipas përkthimit në shqip të botimit të Prishtinës në vitin 1981.

Sindroma Shqiptare e shtetrrethimit

“Mirësevini në të vetmin vend vërtet demokratik të botës”. Me këto fjalë të shqipëtuara me tonin e patetikës zyrtare, priti në prill të këtij viti “ciceroni turistik” zyrtar grupin e turistëve britanikë ndërsa i afrohej i hutuar vijës kufitare. Para kësaj, udhëtarëve iu ndanë “ciceronët turistikë” në gjuhën angleze, në të cilët mysafirëve të huaj u jipeshin udhëzime dhe informata preçize, se si mund të hyjnë në Shqipëri, si mund të sillen, dhe nga mund të qarkullojnë. Në këtë udhëtim, të cilin “ciceroni” e përsërit për rastin që ndokush të mos e ketë lexuar, thuhet se pantallonat e turistëve nuk mund të jenë shumë “këmbanorë” e as në “ngjyra shumë të çelëta”. Turistët me mini ose maksi funda nuk mund të hyjnë, e as t’i shfrytëzojnë këto derisa të jenë në Shqipëri.

Nëse nënpunësit kufitarë çmojnë se rrobat e ndonjë turisti janë të “pahijshme”, përkatësisht të papranueshme për shqiptarët, mund të kërkojnë prej tij të ndërrohet përpara se të kalojë kufirin. Natyrisht nëse këtë e refuzon, për të rampa (trau) do mbetet i lëshuar…! Meshkujve me flokë të gjata dhe me mjekër, hyrja gjithashtu nuk u është lejuar. Nënpunësit e doganës shikojnë gjithashtu me kujdes edhe bagazhin personal, dhe të marrin librat e revistat për të cilat çmohet se kanë përmbajtje politike, fetare, pornografike.

Pas këtij ceremoniali, që në shumë turistë të mësuar me të hapurit e kufijve evropianë do të ndikojë në mënyrë hutuese, të huajt do të shkelin në truallin e këtij vendi në të cilin, përmendoret e Stalinit janë një nga karakteristikat e dukshme. Kështu me këto “udhëzime” dhe “informata” zyrtare, turisti do të hyjë në këtë vend, të cilin kronikët e quajtën “i vetmuari evropian”, e disa madje “shkretëtirë evropiane”.

Opsesioni i armiqësisë

Këto vite të vetmisë së Shqipërisë ia solli Enver Hoxha, njeriu në hijen diktatoriale të të cilit ky vend jeton tash gati katër dekada. Në këtë periodë, që në historinë e një populli nuk është e shkurtër, Shqipëria përkundër proçesit evropian të hapjes së kufijve dhe afrimit të popujve, u bë gjithnjë e më e vetmuar dhe gjithnjë e më e izoluar. Sot gati do të mund të thuhej se ajo, përkah disa gjëra në këtë botë është vetëm. Në karrierën e vet politike Enver Hoxha bëri bukur shumë për krijimin e “armiqve” të jashtëm të Shqipërisë. Kjo është bërë obsesioni i tij, nga i cili nuk po lirohet as sot. Kundër Shqipërisë së vogël është kthyer tërë bota, edhe vëndet kapitaliste e edhe ato imperialiste, edhe Jugosllavia fqinjë “revizioniste” edhe” revizionistët nga Moska e pasardhësit e tyre nga Pekini e shumë të tjerë.

Janë të rralla, shumë të rralla rastet kur Enver Hoxha flet për miqtë e Shqipërisë. Të gjithë librat e tij, çfarë ka më se tridhjetë, fjalimet, shkrimet e tij flasin për “armiqtë” e Shqipërisë, për ata që vetëm sa nuk kanë gëlltitur vëndin e tij. Nga kjo gradualisht lindi sindroma e shtetrrethimit të Shqipërisë, që në mënyrë aq bindëse karakterizon momentin e sotëm të Shqipërisë.

Kjo sindromë e shtetrrethimt që ju imponua dhe, do të mund të thuhet, ju mboll tërë kombit, nxiti para disa vitesh edhe fushatën e “bunkerizimit të Shqipërisë”. Në Shqipëri bunkerët prej betoni mbijnë si kërpudhat pas shiut. Për këta bunkerë prej betoni, një gazetar francez shkroi nga fundi i vitit 1980 këto impresione: ”Po sa shkelet në truallin shqiptar një dukuri bie në sy. Ngado që njeriu hedh shikimin-përgjatë rrugëve, nëpër qytete dhe fshatra, në shpatet e brigjeve, në fusha dhe në bjeshkë-kudo si pjata të përmbysuar shihen këta bunkerë të çuditshëm, të cilët sot janë gati pjesë e pejsazhit të zakonshëm të Shqipërisë, si në fshatra ashtu dhe nëpër qytete.

Në formë sfere, të punuar prej betonarmesë dhe të ngritura mbi gropa të thella, zakonisht të kamufluara me shkurre e dhe, me një ose më shumë frëngji, këto fortifikata të vogla fotografimi i të cilave, është i ndaluar rigorozisht, janë të parapara në rend të parë për mbrojtjen nga desanti ajror. Udhëheqësit shqiptarë, sigurisht krenarë për këta bunkerë, pohojnë se këta mund t’i shkatërrojë vetëm arma bërthamore…” Ky ndërtim i bunkerëve është bërë gati sëmundje në këtë vënd. Disa udhëtarë të huaj pohojnë se në disa lokalitete në brendësinë e vëndit qytetarët ndërtojnë shtëpi me frëngji! Ata gjithashtu pohojnë se Shqipëria shpenzon më shumë hekur dhe beton për ndërtimin e këtyre bunkerëve, se sa për ngritjen e ndërtesave të banimit.

Tërë vëndi jeton nën ankthin e shtetrrethimit dhe të agresionit të mundshëm. Por, prej kujt? Këtë as vetë shqiptari nuk mund t’ua thotë me përpikmëri, megjithëse kjo sindromë e shtetrrethimit po mbillet tek të gjithë. Nëpërmjet faqeve të gazetave, prej mureve të shtëpive dhe parrullave nëpër rrugë, nëpërmjet radios kombëtare, popullsia vazhdimisht bombardohet me porositë për “vigjilencë” dhe thirret të jetë e gatshme për mbrojtjen e vëndit, se socializmi duhet të ndërtohet “me kazmën në njërën dorë dhe me pushkë në tjetrën”.

Enver Hoxha trilloi bllokadën e vëndit të vet megjithëse atë nuk e bllokoi askush. Në hyrjen e qytetit në Shkodër, udhëtarin kalimtar e pret parrulla: ”Të realizojmë të gjitha obligimet tona dhe të thejmë bllokadën”! Një parrullë e tillë haset edhe në Tiranë: ”Do të thyejmë bllokadën dhe rrethimin imperialisto-revizionist”. Jetën e Enver Hoxhës, në përpjekjet e tij plot ngërç që të ruajë pushtetin personal, trillimi i “armiqve” dhe zhdukja e “armiqve”, pati rol vendimtar. “Armiqtë” edhe të jashtëm, Enver Hoxha i sulmoi dhe i shau, e ata të vëndit i zhduku. Këta të dytët, shkurt, sipas pohimit të vet, “i hodhi në bërllog” (koshin e plehrave. Shënimi ynë, D.K.). Pse Enver Hoxha dhe idhtarët e tij trillojnë “armiqtë” të shqipëtarëve, pse përherë friksojnë popullin e vet me agresionin, që vetëm sa nuk ka filluar?

Pse Tirana “lufton” me të gjitë, kur të gjithë vëndet evropiane, e gjithashtu e tërë bota, përpiqen me të gjitha forcat të gjejnë gjuhë të përbashkët, t’i bëjnë të mundshme proçeset e uljes së tensionit dhe të eliminojnë gjithnjë e më shumë ndarjet kufitare ndërmjet popujve? Pse Shqipëria është i vetmi vënd në Evropë që nuk është i inkuadruar në proçeset e KSBE-së? Këto pyetje është më vështirë të kuptohen se sa të shpjegohen. Enver Hoxha u grind me botën. Armiqtë e tij janë të gjithë–edhe vëndet socialiste, edhe ato kapitaliste, edhe të pasurit edhe të varfërit, edhe Jugosllavia fqinje, edhe Kina e largët. Thjesht Enver Hoxha nuk pajtohet me botën tjetër.

Guaska ideologjike

Në krejt këtë ekziston një ligjshëmri, një fije e përhershme e kuqe, sipas së cilës u sollën hoshilacionet akrobatike në qëndrimet dhe në mendimet e Enver Hoxhës. Hoxha ishte dhe mbeti deri në fund konsekuent i Stalinit. Ai prej stalinizmit, prej komponentës më të keqe, më të përbetuar të stalinizmit, krijoi “guaskën ideologjike”, në të cilën u fut për tërë jetën përgjithmonë. Kjo besnikëri ndaj Stalinit është njëra prej dy konstantave të mendimit ideologjik dhe të vepritarisë politike të tij. Enver Hoxha u frikësua më së shumit prej ndryshimeve, reformave, dhe zbutjes në krahun e lëvizjes punëtore komuniste në cilindo vend socialist me të cilin qe në aleancë dhe në marrdhënie miqësore.

Si demagog i dalluar, ai e kuptoi se pikërisht nga demokracia dhe të hapurit, i kërcënohej rreziku më i madh. Për këtë arsye rasti “jugosllav” qe dhe mbeti cak i sulmeve dhe i preokupimeve të tij të përhershme. Regjimi i tij diktatorial, i mbyllur dhe represiv, sigurisht frikësohet deri në panik nga veprimi infektues i “shëmbullit të veriut”. Për këtë arsye Hoxha përqafoi me të dy duart anatemën staliniste të Jugosllavisë së Titos, e pastaj vetëm, në mënyrë më të rreptë dhe më të ndytë se të tjerët, u nis në sulm kundër “revizionizmi jugosllav”. Kur njeriu i shfleton librat e Hoxhës dhe fjalimet e tij të tri dekadave të fundit, nxjerr lehtë konkluzionin që është gati frapant: Enver Hoxha miqtë e vet kryesorë i pranoi dhe i çregjistroi më së shumti, sipas asaj se çfarë ishte qëndrimi i tyre ndaj revizionizmit jugosllav.

Më vonë në gjirin e lëvizjes komuniste dhe punëtore u arrit ndrrimi dhe demokratizimi i marrdhënieve, kur partitë e ndryshme komuniste rishikuan qëndrimet e veta ndaj Jugosllavisë, Enver Hoxha jo vetëm që mbeti në pozitat e vjetra, por filloi edhe të shkëpusë marrdhëniet me ato parti. Parrullë e tij atëhere ishte, e duket se mbeti edhe sot “miku i armikut tim, nuk mund të jetë miku im”. Në këtë obsesion të vetin të krijimit të armiqve të jashtëm, Hoxha, gati nuk zgjodhi mjete. Përmbysi madhësitë e vjetra, shau miqtë e deri djeshëm, fyu shokët për kah ideologjia dhe arma, shau burra shteti dhe politikanë të shquar. Të gjithë ata, sipas tij janë: “bandit”, “tradhëtarë”, “të marrë”, “budallenj”, “fashistë”, “llomotitës”, “megalomanë” etj.

Vetëm Stalini, siç shkroi një gazetar i huaj, shpëtoi pa hyrë në galerinë e hajdutëve të Hoxhës. Gjërat rrjedhin kështu tash disa dekada, por pyetja që shtrohet patjetër është kjo: si arriti Hoxha të qëndrojë kështu vetëm dhe i vetmuar, si arrin ta ruaj një farë “pavarësie” të mos themi izolim të vetin, që do të ishte fjala më e mirë, në një vënd të këtillë, aty buzë Evropës, në zemrën e mesdheut. Çështja është shumë vështirë të shpjegohet kur ëhstë fjala për popullin shqipëtar. Nuk është i paktë numri i vëzhguesve që bëjnë shpesh pyetjen: Si është e mundur që populli trim dhe krenar shqipëtar të mos shohë gjëndjen e paperspektivë të pozitës së tillë, si është e mundur që Shqipëria të jetë kaq e vetmuar, jashtë kohës dhe hapësirës!?

Në shikim të parë, thonë udheëtarët e rrallë nga Shqipëria, situata në vënd është stabile dhe e qetë, por askush nuk mohon se në Shqipëri ekziston trazira sociale dhe konflikte politike. Për këto rezistenca të përhershme, të thella dhe të brëndshme në shoqërinë shqiptare, flasin qartë dhe pa mëdyshje spastrimet e përhershme, të gjera e të pamëshirshme dhe dërgimet në kampet e internimit të cilat Enver Hoxha i zbaton kohë pas kohe-prej lufte e deri më sot –kundër bashkpunëtorëve të vet më të afërm dhe qytetarëve përgjithsisht, gjë që në disa raste arrin deri në në nivele të gjëra në komuna dhe ndërrmarje. Këtu Hoxha qe më efikasi dhe më konseguenti. Ç’ngjet në Shqipëri në kohën e jetës zyrtare, nuk është e lehtë të shihet. Bota di shumë pak për Shqipërinë. Shqipëria është një burg nën tokë, ajo është gati e mbyllur hermetikisht. Kur një turist i huaj e pyeti ciceronin shqipëtar t’i shpjegonte diçka nga jeta politike e vendit, ky iu përgjigj: Krejt ç’ka ju intereson për Shqipërinë, do ta gjeni në faqet e “Zërit të Popullit” ose në emisionet e “Radio Tiranës”./Memorie.al

ka-patur-apo-jo-sozi-enver-hoxha-dhjet-euml-misteret-q-euml-diktatori-i-mori-me-vete-n-euml-varr_hd-1200x630-1 20191030_160415 20191030_160516 20191030_160607 20191030_160349

20191030_160542 20191030_160607 20191030_160633 20191030_160719 20191030_160739 20191030_160802 20191030_160839

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura