Bellum omnium contra omnes, ose barbaria

Apr 30, 2016 | 11:47
SHPËRNDAJE

sander lleshiNGA SANDËR LLESHI*

Leviathan. Me emrin e këtij përbindëshi biblik njihet për shkurt vepra e filozofit britanik Thomas Hobbes (1588–1679), e publikuar në vitin 1651, kur lufta civile në Angli nuk kishte përfunduar ende. Kjo vepër klasike, që prej shekujsh çmohet si një doktrinë e rëndësishme për ndërtimin e shtetit të mbështetur në një kontratë sociale, nuk e ka humbur asnjëherë rëndësinë e saj.

I ndikuar edhe nga tmerret e luftës civile, Hobbes argumentonte asokohe se, për shkak të natyrës së tij egoiste, individi është i prirur për të zhvilluar një luftë konkurruese për më shumë fuqi, ose të paktën për të rezistuar që fuqitë e tij të mos komandohen prej të tjerëve. Këtë gjendje Hobbes e quante gjendje natyrore, ku të gjithë luftojnë kundër të gjithëve, bellum omnium contra omnes.

Në një gjendje të tillë, që ndryshe njihet edhe gjendja e barbarisë, sipas Hobbes, nuk ka vend për industrinë, për arsye se frytet e saj janë të pasigurta e, për rrjedhojë, në botë nuk do të kishte vend as për kulturën, as për navigacionin, as për përdorimin e të mirave që mund të importohen në rrugë detare, as për ndërtesa komode, as për mjete pune që lëvizin gjërat e rënda, as njohuri mbi sipërfaqen e tokës, as kuptim për llogaritjen e kohës, as arte, as letra, as shoqëri, e për më keq, do të ekzistonte frika dhe rreziku pa mbarim nga vdekja e dhunshme dhe jeta do të ishte e vetmuar, e varfër, e keqe, brutale dhe e shkurtër.

E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje, sipas Hobbes, është një kontratë sociale, në bazë të së cilës individët delegojnë te Leviathani autoritetin për të qeverisur mbi ta. Leviathani, kjo monstër biblike, personifikon shtetin, të cilit i delegohet fuqia dhe autoriteti i pushtetit. Dalja nga barbaria, shoqërohet me një çmim të pashmangshëm, kufizimin e lirisë individuale brenda kufijve që vendos ligji. Baroni De Montesquieu thoshte se “liria është e drejta për të bërë atë që ligji lejon…

Nëse një qytetar do të mund të bënte atë që ligji e ndalon, nuk do të kishte më liri, pasi edhe të tjerët do të kishin të njëjtat fuqi”. Këto mësime klasike kanë qenë dhe vijojnë të jenë në bazë të qytetërimit modern. Aq të vetëkuptueshme janë ato, sa pothuajse pak trajtohen në ditët e sotme. I vetmi diskutim rreth tyre bëhet për shkallën e ndë- rhyrjes së shtetit te liritë individuale. Qasjet më liberale sugjerojnë një reduktim të rolit të shtetit te minimumi. Ato synojnë të zbehin dukshëm rolin e tij në ekonomi, në edukim, arsimim, kulturë etj…

Ndryshe janë qasjet totalitare që kërkojnë një prani maksimaliste të shtetit. Përkufizimit të shtetit mund t’i shtohen apo hiqen shumë cilësorë në vartësi të natyrës, llojit, qëllimit apo orientimit të tij. Por vetëm një atribut nuk vihet në diskutim, monopoli mbi dhunën. Monopoli shtetëror mbi dhunën apo forcën, mbetet një karakteristikë e padiskutueshme si për demokracitë liberale, ashtu dhe për shtetet autoritare. Shteti nuk mund të heqë dorë asnjëherë nga ky monopol që është arsyeja e parë dhe e fundit e vetëkuptimit të ekzistencës së tij.

Diskutimi i kërkuar nga Sali Berisha para disa ditësh për “armatosjen e shqiptarëve” si “masë mbrojtëse ndaj krimit” ka befasuar cilindo që e ka, ndofta edhe në trajtë embrionale, idenë e shtetit. Ftesa për ta zgjidhur në mënyrë individuale nevojën për siguri, nëpërmjet armatosjes së civilëve, është ftesë për të kaluar në gjendjen parasociale dhe parashtetërore ku zbatohet parimi bellum omnium contra omnes. Një thirrje e tillë i mungoi Shqipërisë edhe atëherë kur duhej shembur regjimi i diktaturës komuniste. Udhëheqësit e protestave të stuhishme të atyre ditëve bënë përpjekje të qarta për të frenuar turmat e revoltuara.

Përballë zërave të revoltës së të shtypurve u artikulua slogani paradoksal “të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Ngarkimi i viktimave me një pjesë të fajit dhe i persekutorëve me një pjesë të vuajtjes, duket se ishte narkoza më e mirë për t’i mbajtur shqiptarët larg armëve edhe në ndeshjen me diktaturën komuniste.

Vetëm në vitin e mbrapshtë 1997 depot e armëve u hapën, qytetarët u armatosën deri edhe me raketa portative dhe vendi u katapultua në gjendjen e kaosit dhe të dhunës, përsëri në bellum omnium contra omnes. Kjo ishte hera e dytë. Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, shqiptarët ishin armatosur masivisht kur Italia fashiste, e kapitulluar në 1943-shin, kishte lënë rrugëve të Shqipërisë me dhjetëra mijëra ushtarë të braktisur dhe depot e armëve italiane ishin bërë pre e qytetarëve që nuk kishin më një shtet. Rishfaqja e thirrjes për armë sot, në shekullin dhe në mijëvjeçarin e ri, në një vend që, për më tepër, i ka bashkuar armët dhe sigurinë e tij me aleatët e fuqishëm të NATO-s, është jashtë çdo përfytyrimi racional.

Ka shumë argumente për të skualifikuar idenë e çartur të armëve në popull si në planin politik, legjislativ, sociologjik, psikologjik etj… Por po ndalem vetëm në një aspekt të mirëfilltë teknik. Ndër të tjera, ashtu si arsimi apo shëndetësia, edhe siguria është një çështje profesionale që i përket një sistemi të mirorganizuar dhe profesional. Ajo realizohet nga profesionistë të arsimuar, të trajnuar dhe me përvojë të mjaftueshme. Të kërkosh që qytetarë bashkë me armët të marrin në dorën e tyre përgjegjësinë e sigurisë, është njëlloj sikur t’u kërkosh atyre të marrin në dorë edhe përgjegjësinë e kujdesit shëndetësor apo të arsimit.

Siguria nuk mund të ndërtohet kurrsesi në mënyrë individuale. Më shumë se çdo fushë tjetër, ajo kërkon profesionistë të inkuadruar në sistemet përkatëse. Nëse kemi probleme me arsimimin, zgjidhja nuk është që të heqim fëmijët nga shkolla për t’i bërë ata autodidaktë; nëse kemi probleme me shëndetësinë, zgjidhja nuk është mbyllja e spitaleve dhe ushtrimi i vetëmjekimit.

E njëjta logjikë vlen aq më shumë për sigurinë. Edhe nëse ndihemi të pasigurt, zgjidhja nuk është armatosja e individëve, por përsosja dhe modernizimi i institucioneve të sigurisë. Edhe argumenti “amerikan” në favor të armëve është krejtësisht pa vend. Nëse në SHBA, me gjithë praninë e gjerë të armëve në duar të popullsisë regjistrohen mesatarisht 5 vrasje me dashje për 100 000 banorë, në Bashkimin Europian, ku disponimi i armëve në duar të civilëve është krejt i kufizuar, kjo shifër është nën 2, pra më shumë se 200% më e vogël se në SHBA.

Kjo është një provë e qartë se siguria realizohet, madje shumë më mirë, edhe kur populli nuk është i armatosur. Por as argumentet patetike e deri folklorike nuk kanë kuptim të përdorën më në këtë shekull. Dashuria për armët, e nxitur ndër shqiptarë prej shumë drejtimesh, përmban një tragjikë të rëndë në vetvete. Arma, si makinë e prodhimit të vdekjes, nuk mund të jetë objekt për t’u dashur në një shoqëri të civilizuar.

Ajo është një instrument fatal dhe i rrezikshëm, fatkeqësisht i pashmangshëm, por detyrimisht i destinuar për t’u administruar dhe eventualisht edhe përdorur nga profesionistë të kontrolluar nga shteti. Në vend të dashurisë për pallën, fëmijëve dhe qytetarëve të këtij vendi u duhet ushqyer dashuria për dijen dhe për punën. Duket se edhe sot mbetet aktuale thirrja e dëshpëruar e Faik Konicës, i cili përmes Plugut, personazhit të urtë, patriotit të mirë dhe të ditur nga Zululandi, u lutej më kot bashkatdhetarëve trima:

“Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E përmbi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën. Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Po mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot, sa s’qaj dot. Dhe më në fund, aq di, aq them; Jini të lirë të bëni si të doni.

*Këshilltar i Kryeministrit për Sigurinë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura