Belina Budini sjell në shqip 32 teoricienët më të mëdhenj të komunikimit

Apr 11, 2016 | 9:47
SHPËRNDAJE

Tanimë 32 teoricienë të komunikimit, më të rëndësishmit në botë, flasin shqip për herë të parë në një tekst universitar me përdorim të gjerë në mbarë botën, publikim i McGraw Hill Education.

Gjatë promovimit të librit “Vështrim i parë mbi teorinë e komunikimit”
Gjatë promovimit të librit “Vështrim i parë mbi teorinë e komunikimit”

Libri “Vështrim i parë mbi teorinë e komunikimit”, i përkthyer nga dr. Belina Budini dhe me redaktim shkencor të prof.asoc. Bashkim Gjergji, është prezantuar në mjediset e Hotel Tiranës për pedagogë, studiues dhe studentë të shkencave sociale dhe humane. Në fakt, ekspertiza në komunikim është tanimë një profesion më vete, madje një nga ato profesione që ka marrë rëndësi të veçantë në botën e sotme.

“Një vështrim i parë mbi teorinë e komunikimit” përbën tekstin e parë të plotë hyrës që vjen në gjuhën shqipe si busull e disiplinës për profesionistët e kësaj fushe, studentët e komunikimit dhe të gazetarisë, si edhe në ndihmë të vetë instruktorëve dhe pedagogëve të komunikimit në Shqipëri.

Gjatë paraqitjes së këtij libri për pedagogët dhe studiuesit universitarë, përfaqësuesja e “Educational Centre”, që e shpërndan tekstin në hapësirën shqiptare, u shpreh se ky është një publikim i McGraw Hill Education, me përdorim të gjerë në universitetet më të mira në SHBA dhe në Europë, që numëron nëntë ribotime deri tani. Dr.Budini, si përkthyese dhe bashkautore e këtij libri, shprehet se autori i parë i librit, profesori amerikan Em Griffin, është shndërruar tanimë në një emisar të teorive të komunikimit për studentët në gjithë botën, duke përcjellë mendimtarët më të rëndësishëm të fushës dhe se një sfidë të ngjashme kanë marrë së bashku me profesor Gjergjin për sa i përket përcjelljes së teorive te lexuesit dhe studentët shqiptarë.

Bëhet fjalë për 32 teori, që nga retorika e Aristotelit, dramatizmi i Burkes, semiotika e Barthesit, teoritë e mediave të Marchall McLuhan e Stuart Hall, të Elihu Katz e George Gerbner dhe emrave nga më të rëndësishmit bashkëkohorë, të cilëve u janë bashkëngjitur edhe dy versione studimore të kontekstit shqiptar nën emrat e profesorëve Budini dhe Gjergji, në dy kapituj integralë në libër.

METODIKA

Gjatë prezantimit të librit për auditorin e specializuar me pedagogë dhe studentë të interesuar në mjediset e Hotel Tirana, profesorët Gjergji dhe Budini theksuan aspektet organizuese dhe metodike të librit, gjuhën mjaft të qartë dhe të kuptueshme me të cilën janë sjellë këta autorë, pa neglizhuar aspektet kritike dhe diskutimet etike që i shoqërojnë këto teori në mjedisin akademik.

Po kështu, instruktorëve dhe pedagogëve që do ta përdorin këtë tekst do t’u vihen në dispozicion edhe mjetet vizuale dhe arkiva e teorive online, si edhe një version dixhital i librit në shqip.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Nga ana tjetër, paraqitja e librit nga pikëpamja grafike ka ruajtur të gjithë elementët metodikë të botimin amerikan, duke qenë tepër praktike për përdorim nga studentët dhe me përkufizime të termave të reja që shoqërojnë të gjithë kapitujt, atëherë kur ato shfaqen.

“Teoritë e përfshira në këtë libër janë përzgjedhur në sajë të përmbushjes së kritereve cilësore, qofshin ato të shkollës apo qasjes objektive, ose të qasjes interpretuese. Metodologjitë e tyre janë të ndryshme, mirëpo respektojnë parime të tilla si parashikimi i së ardhmes, shpjegimi i të dhënave, thjeshtësia relative, ngritja e hipotezave të vërtetueshme, dobia praktike dhe mbështetja me të dhëna sasiore në rastin e teorive objektive ose shkencore; nga ana tjetër, kriteret që përmbushin teoritë interpretuese ose humaniste kanë të bëjnë me qartësimin e vlerave, humanizmin, vlerat estetike, miratimin ose mbështetjen e specialistëve të fushës, ndërsa synojnë të jenë reformuese të shoqërisë dhe mbështeten më tepër në kërkim cilësor”, u shpreh dr.Budini, përgjegjëse e Departamentit të Komunikimit në UET.

Duke iu referuar pedagogëve të departamentit, të gjithë të pranishëm në këtë promovim, Budini u shpreh se secili prej tyre i përket ose është pasues i një prej shkollave të mësipërme në varësi të lëndëve që mbulojnë brenda departamentit, ashtu sikundër në çdo departament akademik.

“Mirëpo pozicionet tona, edhe kur shoqërohen nga tensione apo fërkime metodike, asnjëherë nuk kanë qenë të papajtueshme dhe të gjithë e njohim e përkrahim punën e njëri-tjetrit, në respekt të ekspertizës së gjithsecilit. Ky tekst mund t’u shërbejë njëherësh disiplinave fqinje me komunikimin si sociologjisë, shkencave politike, filozofisë, psikologjisë dhe edukimit,

Po kështu, vlen të theksoj se nisma për të sjellë autorët dhe tekstet e universiteteve të Oxfordit dhe Cambridge-it dhe shtëpive botuese akademike ndërkombëtare më prestigjioze, mban në UET vulën e vetë stafit akademik, që në shumë raste ka marrë përsipër vetë përkthimin dhe përcjelljen e literaturës më të mirë bashkëkohore për studentët”, u shpreh Budini për “Panoramën”.

KUJT I DUHET

Po kështu, duke iu referuar profesionistëve të ndryshëm, Gjergji theksoi në fjalën e tij gjatë paraqitjes së librit vlerën praktike dhe formuese që ky tekst ka jo vetëm për studentët e gazetarisë ose të komunikimit dhe marrëdhënieve publike, por edhe për profesionistët e ndryshëm si marketuesit, mësuesit, politikanët, psikologët etj.

“Kaq për librin, të cilin lexuesit (besojmë jo vetëm studentë e profesionistë të medias) do të kenë mundësi ta përdorin si një konsultim permanent për çdo detyrë a nismë në biznes, politikë, arsim, art, sport, ushtri, shkurt në çdo lëmë të veprimtarisë shoqërore ku komunikimi shihet, vlerësohet si një element i fuqishëm në aspektin e organizimit, të bashkëpunimit, të zgjidhjeve, përzgjedhjeve dhe aplikimit të politikave të reja drejtuese”, e mbyll fjalën e tij hyrëse në libër prof. Gjergji.

 

Një vështrim global i teorive të komunikimit dhe dy pikëvështrime mbi Shqipërinë

DR. BELINA BUDINI

“Vështrim i parë mbi teorinë e komunikimit” është një tekst bazë që përdoret nga universitetet në shumë vende të botës, duke filluar nga SHBA-të. Autori i saj, Em Griffin, është bërë kësisoj një emisar i teorive të komunikimit te studentët përmes këtij libri që ka nëntë ribotime deri tani.

Si bashkautorë të botimit në shqip të këtij teksti, kemi punuar me të në shumë nivele. Personalisht, si pedagoge e Komunikimit në UET i jam referuar këtij teksti prej vitesh, ndërsa punonim për ta sjellë në shqip.

Pas shumë etapash përkthimi, përshtatjeje, redaktimi, përzgjedhjeje të elementëve për botimin në shqip, vështrimi mbi teoritë e komunikimit vjen më në fund i plotë. Angazhimi në të gjitha rolet e mësipërme ishte sipërmarrje e vështirë dhe e pamundur për t’u realizuar pa mbështetjen e departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në Universitetin Europian të Tiranës.

Termat redaksionalë të këtij botimi dhe kapitujt kontekstualizues për aspekte të komunikimit të lidhura me Shqipërinë, janë produkt i një përkushtimi të përbashkët në cilësinë e bashkautorëve për botimin shqip të këtij libri.

Megjithëse publikimi në shqip i “Teorive të komunikimit”, si teksti i parë i plotë në këtë fushë për përdorim studentor, është në radhë të parë lajm i mirë për vetë studentët, publikimi i tij është njëherësh çlirues edhe për pedagogët, pasi krijon bazën e të kuptuarit të ndërsjellë me studentët, duke nxitur thellimin dhe avancimin e vazhdueshëm dhe të dyanshëm në studime të komunikimit.

Për botimin shqip është përzgjedhur edicioni i nëntë i tekstit “A first look at communication theory”, duke referuar në pak raste shembuj dhe studime, që autorët i kanë paraqitur në botimet e mëparshme, një pjesë e të cilëve gjenden të vendosur edhe në rrjet në anglisht. Gjuha e përdorur në këtë tekst është mjaft e përshtatshme për studentët me synimin që përmbajtja e tij të përcillet me sa më shumë qartësi.

Ky parim është ruajtur edhe në përkthimin dhe redaktimin e tekstit në shqip, duke e përshtatur terminologjinë e tij sa më afër shqipes, edhe pse kjo nuk ka qenë gjithnjë e lehtë. Përkufizimet ndihmëse në anë të faqeve të librit, aty ku shfaqen konceptet e reja, i vijnë në ndihmë studentit gjatë shqyrtimit të kapitujve teorikë.

Referencat e pasura dhe literatura e rekomanduar për thellim në fund të kapitujve, ashtu si edhe bisedat me teoricienët, janë një tjetër pasuri e këtij teksti dhe janë lënë të paprekura edhe për botimin në shqip. Kapitujt tanë si bashkautorë nga një pikëvështrim më afër konteksteve shqiptare janë vendosur në një seksion më vete, në përfundim të tekstit, për të mos prishur rendin e teorive dhe kapitujve të librit, por edhe për arsyen se ato përbëjnë zgjatime të natyrshme të teorive të këtij teksti, që edhe i kanë ushqyer ato në rend të parë. Për sqarime dhe udhëzime të mëtejshme në lidhje me përmbajtjen dhe përdorimin e këtij teksti për qëllime pedagogjike, ju lutem shihni edhe parathënien për instruktorët.

PIKËVËSHTRIM I TEORIVE, I LIDHUR ME SHQIPËRINË

Konkretisht, kapitulli 38 me titull “Paraqitje të Shqipërisë në mediat e huaja” synon të hedhë një vështrim mbi komunikimin dhe teoritë e mediave me anë të një rasti të aplikuar studimor, që lidhet me vendin tonë.

Në fakt, përmbajtja e çdo kapitulli në këtë libër ka në qendër ose si pikënisje një rast studimor që, ashtu siç pohojnë Griffin dhe të tjerët, shërben për të përcjellë reflektimet teorike mbi komunikimin te studentët, duke ndjekur parimin pedagogjik të shpjegimit të asaj që studentët s’e dinë ende me anë të ideve dhe pamjeve të njohura më parë prej tyre.

Ashtu si disa prej këtyre kapitujve, edhe kapitulli në fjalë që ka autorësinë time (Belina Budini), është i lidhur ngushtë me një projekt kërkimor të zgjeruar. Njëlloj si në rastet e mësipërme kur teoria buron prej një projekti kërkimor, edhe në këtë kapitull kërkimi është përshkruar në detaje dhe bazuar në vëzhgimet sistematike të ndërmarra.

Një version më i plotë i projektit kërkimor për sa i përket mënyrës si paraqitet Shqipëria nga mediat e huaja është vetë libri “Tri kohë të Shqipërisë në Time”, botim i “UET Press”, 2014. Në fakt, baza teorike e këtij libri dhe projektit kërkimor që referohet në kapitullin 38 është mbështetur gjerësisht në teoritë e komunikimit dhe të mediave.

Qasjet teorike të përzgjedhura u publikuan bashkë me librin, me synimin për të mbështetur dhe shpjeguar modelin aplikativ të mënyrës si paraqitet dhe ndërtohet tema e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare, mirëpo për qëllimet e studentëve, korniza e tij teorike u bë një lloj leximi bazë, duke e përdorur më tej si mbështetje teorike edhe në punët e tyre të diplomës.

Ndërkaq, modeli aplikativ i librit “Tri kohë të Shqipërisë në Time” fiton kësisoj një lloj lirie për të ekzistuar më vete, duke qenë se “Teoritë e komunikimit” ia sigurojnë bazën fillestare të njohjes dhe kuptueshmërisë për studentët. Kjo është arsyeja pse në këtë kapitull, si bashkautore në “Teoritë e komunikimit”, njëlloj si profesor Gjergji, kam zgjedhur të ndalem më gjatë te rasti i aplikuar në kontekstin e studimeve shqiptare sesa te teoritë në vetvete.

Me anë të kërkimeve sasiore dhe cilësore, janë prodhuar të dhëna nga tekstet e artikujve, shpeshtia e publikimeve, ilustrimet, konfigurimi i revistës, autorësia, burimet e informimit, tiparet organizative dhe profesionale, plotësuar me intervista marrë drejtuesve historikë të revistës amerikane “Time” dhe atyre aktualë.

Këto të dhëna janë analizuar mandej, duke u mbështetur për analizën e këtyre përmbajtjeve, të teksteve, si edhe të organizatës pikërisht në teoritë e komunikimit, një pjesë e të cilave referohen edhe në librin “Një vështrim i parë në teorinë e komunikimit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura