Bektashizmi në Shqipëri

Jul 6, 2015 | 12:21
SHPËRNDAJE

GENCIANA ABAZI-EGRO

    Bektashizmi në letërsinë shqipe dhe poeti Dalip Frashëri

Sjellja në gjuhën tonë të “Hadikasë”, veprës themelore të besimtarëve bektashinj

Letërsia fetare e bektashinjve është pothuajse e panjohur në Shqipëri. Ajo nuk është e botuar dhe përveç disa artikujve të Osman Myderrizit, të botuar në vitet ’50, për këtë letërsi mungojnë tërësisht studimet. Në historiografinë letrare moderne shqiptare përmendet kryesisht vetëm “Qerbelaja” e Naim Frashërit. Por rrethanat që sollën krijimin e kësaj vepre dhe shtrati historiko-letrar ku zuri fill ajo, mbeten probleme krejt të panjohura edhe sot. Gjatë shek. XX dihet vetëm që shteti shqiptar, besimin bektashian e njohu si një ndër katër besimet tradicionale shqiptare. Por vetëm kaq dhe asgjë më tepër. Konteksti historik dhe kulturor në të cilin ky besim ngjizet në viset shqiptare është një çështje tërësisht e panjohur, jo vetëm për opinionin e gjerë, por edhe atë intelektual e shkencor shqiptar. Në këtë kuadër, rrugëtimi që ka pasur në shqipe vepra themelore e bektashinjve, e titulluar “Hadikaja”, e sjellë në shqip nga Dalip Frashëri, mbart një peshë të rëndësishme për njohje dhe studim.

Emrin e poetit Dalip Frashëri pakkush e di në opinionin shqiptar. Naim Frashëri e klasifikon të tretin ndër poetët e mëdhenj të traditës. Konkretisht ai thotë: “Në mes të vjershëtorëve të Shqipërisë ka zënë kryet Hasan Zyko Kamberi; pas tij janë: Nezimi (nga Berati), Hixhretiu (Dalip Frashëri) etj., etj”.
Interesant është fakti që deri në fund të shek. XIX, Dalip Frashëri është në krye të poetëve shqiptarë, ndërsa në shekullin XX e shoqëron një harresë deri në mosnjohje të emrit të tij.
Kohësisht poeti Dalip Frashëri, klerik bektashi, i takon gjysmës së parë të shek. XIX. Llagapin poetik Hixhretiu (i mërguari) e ka marrë meqenëse ka lënë vendlindjen e tij, Frashërin, dhe është vendosur në teqenë e Konicës. Deri më sot rezulton të jetë i pari poet shqiptar që ka lëvruar poezinë epike dhe ka dhënë në shqip veprën e parë të plotë epike, me 65 mijë vargje. Dali Frashëri është i pari ndër frashërllinjtë që shfaqet si poet i rëndësishëm i letërsisë bektashiane dhe hyn në historinë e Shqipërisë si një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare. Më pas, ai do të ndiqet nga Shahin Frashëri që shkroi shqip më 1868 poemën tjetër epike të letërsisë bektashiane, Muhtarname (12 mijë vargje).

Njohja e këtyre dy veprave të çon në një përgjigje të pjesshme të pyetjes se përse pikërisht nga Frashëri dolën figurat më të rëndësishme që mbajtën mbi shpatulla zhvillimin e nacionalizmit shqiptar, Abdyl Frashëri në politikë, Naim Frashëri në letërsi dhe Sami Frashëri si një ndër hartuesit e ideologjisë nacionaliste shqiptare. Natyrisht kjo është një çështje që kërkon një studim më të gjerë.
Dalip Frashëri, sikurse e pohon edhe vetë, shkrimin e Hadikasë e ndërmori nisur nga dy motive: rëndësinë që ka Hadikaja për bektashinjtë dhe së dyti dëshirën që besimtarët ta lexojnë atë në shqip. Ai ka pasur një lidhje të posaçme me këtë vepër. Nëpërmjet saj ai ka njohur më mirë Perëndinë dhe peripecitë e familjes së Imam Aliut. Prandaj e quan të detyrueshëm leximin e saj. Ndërsa mënyra e transmetimit të kësaj vepre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vendimin për ta sjellë në shqip atë. Kjo vepër fillimisht është shkruar arabisht, pastaj ajo është rimarrë në persisht e turqisht. Vetë Dalip Frashëri veçon versionin turqisht të Hadikasë të shkruar nga poeti i madh turk i shek XVI, Fuzuli.

Prandaj dhe ngre pyetjen: përse një vepër e tillë të mos jetë dhe në shqip? Madje kaq shumë e ka shqetësuar ky mendim, sa bën me dije që përkthimin në shqip të Hadikasë e ka bërë qëllimin kryesor të vetë jetës së tij. Ndërkohë, ai vetë, me Hadikanë fillimisht është njohur në teqenë e Frashërit nga Tahir Babai, në kohën kur ai e lexonte gjatë ditëve të matemit. Ndërsa Ismail Babai i Teqesë së Konicës i ka dhuruar një kopje të Hadikasë të poetit Fuzuli, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në vendimin që ka marrë për ta sjellë në shqip këtë vepër. Shqetësimi kryesor i tij në këtë punë, sikurse ia bën me dije lexuesit në hyrje, ka qenë gjendja e shqipes dhe mënyra e shkrimit të saj me alfabetin arab. Mungesa e një alfabeti të ngulitur, sipas tij, vështirëson shumë leximin dhe përdorimin e saj.
Të gjitha këto opinione dhe qëndrime mbi përdorimin e shqipes në mësimin dhe përhapjen e fesë përkojnë në kohë me fillesat e nacionalizmit gjuhësor në trojet shqiptare. Gjenezën e vet ky proces e ka në ndjeshmërinë që shqiptarët e të gjitha besimeve kanë shprehur ndaj shqipes, qysh disa shekuj para epokës së nacionalizmit.

Te shqiptarët myslimanë i pari që është shqetësuar për fatin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe është poeti Nezim Berati (vd. 1760). Ky poet, hartimin e një vepre në një zhanër prestigjioz oriental, sikurse divani, e shihte si rrugën kryesore me anë të së cilës shqipja do të diferencohej dhe do të fitonte prestigj ndaj gjuhëve dominante të kohës. Ndërsa i pari që hapi rrugën e përdorimit të gjuhës shqipe në liturgjinë islame ishte Hasan Zyko Kamberi. Ky poet bën pjesë të krijimtarisë së tij poezi me natyrë fetare dhe teologjike, sikurse “Mevludi”, “Ilmihali”, apo ilahi të ndryshme, duke shprehur një ndjeshmëri të caktuar për mësimin dhe praktikimin e fesë në gjuhën amtare. Ndërsa vetë Dalip Frashëri, duke sjellë në shqip Hadikanë, e cila përveçse ka një dimension didaktik fetar, bën pjesë në praktikat fetare të kryera gjatë matemit (agjërimit bektashi) në teqetë bektashiane, është i pari që ka futur përdorimin e shqipes në ritualet fetare të këtij tarikati islam.

Një fakt tjetër interesant që ofron Hadikaja e Dalip Frashërit është versioni i poetit mbi depërtimin dhe stabilizimin e besimit bektashian në viset qendrore dhe jugore shqiptare dhe veçanërisht në Frashër. Informacioni historik që ofron Dalip Frashëri, pavarësisht shkallës së vërtetësisë së tij, është nga më të hershmit që kemi për historinë e bektashizmit në trojet shqiptare. Duke lënë mënjanë dimensionin kritik të këtij informacioni, ai mbetet i rëndësishëm pasi ofrohet nga një personalitet i kohës, kur bektashizmi në Shqipëri kishte marrë dimensionet e një prej elementëve më të fuqishëm fetarë në tokat shqiptare.
Dalip Frashëri Hadikanë e ka konceptuar në 12 kapituj, bashkangjitur ka edhe një hyrje dhe një pasthënie. Ai fillimisht jep një histori të shkurtër të fesë nga Adami deri te profeti Muhamet dhe më pas përqendrohet në historinë e familjes së Aliut dhe veçanërisht në betejën tragjike të Qerbelasë.

Poeti Dali Frashëri veprën e përcakton si një përkthim të Hadikasë së Fuzulit. Dhe vazhdimisht i referohet tekstit të origjinës. Në të vërtetë, kjo vepër ka shërbyer si burim dhe më pas poeti ka bërë një trajtim mjaft origjinal, duke shtuar episode, vlerësime, por edhe ndjenjat e veta kundrejt ngjarjeve të caktuara. Këtë punë krijuese të tijën e dëshmon një krahasim i thjeshtë; për nga volumi Hadikaja e Dalip Frashërit është dyfishi i veprës së Fuzulit.
Duke parë këtë punë origjinale të Dalip Frashërit, natyrshëm shtrohet pyetja: Përse ai e ka cilësuar veprën e tij përkthim? Me gjasë dy janë arsyet, së pari për të vendosur një lidhje direkte ndërmjet librit të përdorur gjatë ritualeve në teqe dhe versionit shqip të tij, dhe së dyti mund të konsiderohet shprehje e modestisë së poetit shqiptar ndaj poetëve të mëdhenj të Orientit që janë marrë me këtë tematikë.
Përveç kësaj, dua të bëj me dije se në traditën letrare lindore për përkthimin ka pasur një koncept krejt të ndryshëm nga ai që kemi ne sot. Veçanërisht kur bëhet fjalë për histori që kanë qarkulluar dhe janë rimarrë vazhdimisht në kohë, sikurse historia e Jusufit me Zelihanë apo dashuria e Lejlasë me Mexhnunin, përdorimi i termit “përkthim” është vetëm simbolik dhe honorifik. Çdo autor i trajtonte ato në mënyrë origjinale sipas këndvështrimit të tij, duke mbartur edhe problematikën e kohës në të cilën ai shkruante.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura