Bejl flet pas fitores së Champions-it: Te penalltitë isha i nervozuar

May 29, 2016 | 9:34
SHPËRNDAJE

I lodhur, i lumtur dhe me lot në sy nga emocionet e fitores. Garet Bejl ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Realit duke kontribuar në triumfin që mori skuadra e tij. Ai ishte autori i asistit të golit të parë të ndeshjes, por në fund ekzekutoi në mënyrë perfekte një penallti.

BejlNë sytë e tifozëve dukej shumë i qetë, por Bejl tregon se në ato momente vuajti shumë dhe po dridhej nga emocionet. “Nuk e di çfarë ndiej në këto momente. Jam i lodhur, por është një mbrëmje magjike. Në kohën shtesë ne ishim më të zotët dhe e merituam fitoren e Champions-it të 11-të.

Djemtë dhanë gjithçka dhe tifozët tanë ishin të mrekullueshëm. Kisha shumë emocione në momentin kur godita penalltinë, por edhe pas saj kisha ankth. Luajtëm mjaft mirë në shumicën e ndeshjes, por mund ta kishim mbyllur edhe brenda 90 minutave”, tha Bejl.

Ai vlerësoi gjithashtu edhe lojën që bëri Atletiko dhe tha se i vjen keq që tifozët dhe lojtarët e Simeones u mërzitën shumë pas ndeshjes.

“Më vjen shumë keq për Atletikon dhe tifozët e saj. Ata bënë një ndeshje shumë të mirë, por ne duhet të fitonim dhe nuk mund ta gabonim këtë finale. Ishte një sfidë e fortë dhe e luftuar deri në minutat e fundit”, vazhdoi më tej numri 11 i “galaktikëve”.

Numri 11 ishte lajtmotiv i mbrëmjes sepse pikërisht skuadra e Realit të Madridit fitoi trofeun e lakmuar për herë të 11-të në histori. Megjithatë, ai nuk kërkon të ndalet këtu, pasi dëshiron të bëjë një Europian për t’u mbajtur mend. “Tani do të përqendrohem maksimalisht tek Europiani dhe do të tentoj ta fitoj këtë kompeticion me kombëtaren time. Nuk kemi aspak frikë sepse kemi lojtarë me kualitet dhe të fortë”, tha Bejl

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura