Bedri Dedja, i lënë në qoshkun e harresës, mungon në librari e tekstet shkollore

Dec 9, 2019 | 19:24
SHPËRNDAJE

Në libraritë kryeqytetase ndodh jo rrallë që prindërit të ndalen duke kërkuar autorin, i cili gjatë fëmijërisë “i mori përdore” për t’u treguar shtigjet drejt zbulimit të vetvetes.

“‘Bedri Dedjen’?! Më vjen keq, nuk e kemi!”, është përgjigjja që dëgjojnë më së shumti. Akademiku, psikologu e pedagogu Bedri Dedja, i konsideruar nga kritika si babai i letërsisë për fëmijë, mungon sot edhe në tekstet shkollore. Është e vështirë të kuptosh ‘psenë’ e kësaj çoroditje, e përmbysje vlerash, madje edhe vetë e bija, artistja Edlira Dedja, tregon për “Panoramën”, se s’ka mundur të gjejë një përgjigje për vite me radhë. Si njohëse e mirë e politikave kulturore perëndimore, ajo tregon se është e paimagjinueshme mungesa e klasikëve si Zhyl Vern, Saint-Exupéry, Andersen, Rodari etj., në libraritë apo programet edukative të vendeve përkatëse. Por, në Shqipërinë e çudirave ndodh ndryshe e qysh pas ndarjes nga jeta, 15 vite më parë, poliedriku është lënë në qoshkun e harresës. “Mund të them se është akoma më tragjike kjo ‘ndarje’ me veprën e tij për brezat e fëmijëve të sotëm. Këta fëmijë mund të quhen vërtet ‘jetimë’, duke humbur rastin të njohin babanë e letërsisë së tyre si dhe personazhet e pavdekshëm që ka krijuar pena e tij”, shprehet Dedja.

78529304_2412438828973403_4028539934779375616_n

Zonja Dedja, viti 2019 shënon 15-vjetorin e ndarjes nga jeta të babait tuaj (ndërsa në vitin që pason, ai do të festonte përvjetorin e 90-të të lindjes) shkrimtar, akademik dhe psikolog. Si e kujtoni babanë tuaj?

Është e vërtetë, në nëntorin e vitit të ardhshëm ai do të festonte 90-vjetorin e lindjes. Por u largua papritur dhe në mënyrë të parakohshme nga jeta, në moshën 74-vjeçare, kur kishte ende shumë projekte letrare e shkencore për të realizuar. E kam parasysh tim atë edhe sot, të buzëqeshur, të thjeshtë e modest, shpeshherë të lotuar e ëndërrimtar, ulur në tryezën e punës, në apartamentin e tij modest në Tiranë. E kam ende të gjallë në kujtesë zërin e tij, që dikur më fliste me gjuhën e fantazisë së bukur fëminore, duke u ulur bashkë me mua në botën e ëndrrave të bashkëmoshatarëve të mi. Sytë e tij më vështronin me një dëlirësi të mahnitshme, ndërsa më tregonte përralla me fantazinë dhe imagjinatën e tij të rrallë që e karakterizonte. Mund të them me bindjen më të plotë se Bedri Dedja ishte gjithçka që simbolizon artin e të rriturit të fëmijës, një baba i ndarë në tre, pesë apo gjashtë veta: duke nisur nga prindi, pedagogu, mësuesi, shoku, moshatari, gjyshi i përrallave…

78905293_2459816054267926_7673520748652134400_n

Një kontribut shumëdimensional ai ka dhënë edhe si pedagog, akademik, psikolog e letrar, sa kujtohet sot nga institucionet Bedri Dedja?

Për sa u përket institucioneve shtetërore, është për të ardhur keq të pohosh se figura, vepra e tij letrare e shkencore, është lënë në harresë të plotë. Përveç Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sekretari shkencor i së cilës më ka folur për një projekt që ka të bëjë me botimin e veprës shkencore të Bedri Dedjes, nuk kam njoftim tjetër, as nga Ministria e Kulturës, as nga Ministria e Arsimit e as nga Instituti i Studimeve Pedagogjike, të cilin ai e themeloi vite më parë. Dua të shtoj me këtë rast se para disa vitesh më kontaktoi një hartuese tekstesh shkollore në Tiranë, e cila kishte parë rastësisht disa nga publikimet e mia në “Facebook” për veprat e Bedri Dedjes dhe kishte lexuar dëshmitë dhe mesazhet e shumta që vinin aty në emër të autorit. Ajo më kërkoi me shumë mirësjellje t’i dërgoja romanin e tij të fundit për fëmijë, “Presidenti i Planetit të Kuq”. Pasi e lexoi, hartuesja e teksteve shkollore më tregoi se kishte mbetur e befasuar nga cilësia e veprës, nga vlerat e saj të mëdha artistike dhe edukative dhe u shfajësua me sinqeritet, duke u shprehur me këto fjalë: “… Si është e mundur që unë s’kam dëgjuar kurrë më parë për një autor të përmasave të tilla?!”. Them se përgjigjja e saj i përmbledh të gjitha dhe nuk është e nevojshme të bëj koment tjetër.

Edhe pse konsiderohet si ndër më të mirët e letërsisë për fëmijë, në libraritë kryeqytetase pothuajse nuk gjenden ribotime të librave që letrari la pas, madje, përpos kësaj, emri i Bedri Dedjes nuk gjendet as në tekstet shkollore, përse ndodh diçka e tillë sipas jush?

78912332_757242728114951_4794375566214037504_n

Nga shumë personalitete brenda dhe jashtë Shqipërisë, Bedri Dedja është cilësuar si babai, themeluesi ose shtylla e letërsisë shqiptare për fëmijë, si “një vlerë e madhe e kulturës sonë kombëtare”, një “personalitet shumëplanësh: poet e prozator, përrallëtar e tregimtar, dramaturg, novelist e romancier, përkthyes e kritik, studiues e teoricien i letërsisë shqiptare për fëmijë”, “një nga përfaqësuesit më të denjë të Akademisë së Shkencave, studiuesve në fushën e psikologjisë e pedagogjisë, Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ‘Miku i Madh’ i fëmijëve, humanisti shumëdimensional, i cili me veprën e tij poliedrike, shkencore dhe letrare, edukoi dhe ushqeu me ndjenjën e dashurisë dhe solidaritetit shoqëror, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurisë artistike të shqipes mijëra e mijëra lexues, anembanë vendit”. Madje, do të shtoja se Bedri Dedja është vlerësuar gjithashtu edhe nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë një vend nderi në vëllimin XVI të biografive, si një nga autorët më të shquar të shekullit XX. Por, pyetjes suaj se pse nuk gjenden ribotime të librave të tij nëpër libraritë shqiptare, pse librat e tij nuk janë përfshirë në tekstet shkollore ose leximet jashtë klase, nuk di t’i përgjigjem dhe s’kam mundur të gjej përgjigje për vite me radhë. Madje, lidhur me këtë temë, pra, nëse vepra letrare e Bedri Dedjes është ende aktuale në kohën e sotme, kam dëshirë të bashkëngjis mendimin e shkrimtarit dhe gazetarit Hysen Sinani, i cili, me të drejtë, shkruan në vitin 2004: “…Bedri Dedja, që në vitet e ngurtësisë më të madhe të konformizmit të përgjithshëm komunist, mendonte se edukimi njerëzor i fëmijëve vinte shumë më përpara edukimit ideologjik të tyre. Ndonëse akademik, nuk u deformua nga asnjë sforcim tendencash politike… Në fillim e deri në fund të viteve 80-të, kur eksperimentit komunist kishte nisur t’i rrëzoheshin një e nga një pancirët e ndryshkura, me të cilat kishte shushatur për vite me radhë të pamësuarit dhe të paditurit, Bedri Dedja ishte i mendimit se këtij sistemi i kishte ardhur fundi. Ai ishte një pedagog dhe shkrimtar humanist, më tepër se moralist”.

Së fundmi, Ministria e Kulturës ka ngritur një fond për letërsinë për fëmijë. Besoni se kjo iniciativë do të përfshijë edhe letërsinë që rriti breza fëmijësh e që i reziston kohës, si krijimtaria e babit tuaj?

79454167_624581431415087_7450948409432735744_n

Kam dëgjuar dhe dua ta përgëzoj ministren e re të Kulturës, zonjën Elva Margariti, për një iniciativë të tillë, me shpresën se ky fond do të nxjerrë me të vërtetë në pah vlerat e vërteta të letërsisë shqiptare për fëmijë. Por, për t’u realizuar një ide e tillë, nuk mund të neglizhohet kurrë letërsia që rriti dhe edukoi breza të tërë fëmijësh, sidomos ajo letërsi që i rezistoi dhe i reziston ende kohës që jetojmë, me të gjitha tematikat dhe kërkesat e saj. Misioni i letërsisë për fëmijë duhet të jetë në radhë të parë edukativ, ashtu siç duhet të jetë edhe estetik. Prandaj, përzgjedhja e veprave që u ofrohen fëmijëve duhet të bëhet me shumë kujdes, pasi le gjurmë të pashlyeshme në formimin dhe kujtesën e tyre. Në veprën letrare për fëmijë të Bedri Dedjes, siç shkruan me të drejtë kritikja e letërsisë për fëmijë, zonja Klara Kodra, “…ndërthuren probleme të mprehta aktuale si diktatura dhe demokracia, lufta dhe paqja, terrorizmi dhe EUropa e bashkuar, roli i shkencës dhe i informacionit bashkëkohor në edukimin e drejtë të fëmijëve të sotëm, që do të marrin stafetën e drejtimit të shoqërisë së ardhme shqiptare. Këtë mesazh, Bedri Dedja e jep përmes një fantazie të harlisur, gjetjeve të këndshme dhe sidomos humorit, që është një nga çelësat e rëndësishëm të botës së fëmijëve, që çelet si lule në diellin e vogël dhe të ndritshëm të tij”. Një tjetër arsimtare nga Berati, Elvira Dollomaja, shkruan: “Për t’iu përshtatur këtij zhvillimi shumëdimensional të fëmijëve të sotëm, Bedri Dedja ka sjellë një libër sa bashkëkohës, aq edhe vizionar për të ardhmen. Ai duket se e njeh në thellësi botën e fëmijëve dhe kërkesat e tyre, mbasi në këtë roman ai ka ndërthurur dijen, fantazinë, shkencën, ëndrrat dhe edukimin. Pra, letërsia e Bedri Dedjes, jo vetëm që i reziston kohës, por mendoj se është një ushqim i domosdoshëm dhe një busull drejtimi për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë të ditëve të sotme”.

Ka ndodhur në librari të kryeqytetit, që prindër, të cilët janë rritur me librat e Bedri Dedjes, kërkojnë po ato tekste letrare për fëmijët e tyre. Po juve vetë, a ju ka kontaktuar ndokush për të mësuar më shumë për ribotime të mundshme?

Gati çdo ditë marr mesazhe dhe kontaktohem nëpërmjet rrjeteve sociale nga njerëz të njohur e të panjohur, brenda e jashtë Shqipërisë, nga Kosova e Maqedonia, nga shumë vende të Europës, Amerikës dhe Kanadasë. Këta lexues kërkojnë të dinë se ku mund të gjejnë botime ose ribotime të veprave të Bedri Dedjes për t’ua transmetuar edhe fëmijëve të tyre. Përveç këtyre kërkesave, kam marrë me qindra mesazhe dhe dëshmi prekëse, të cilat, nëse do t’i përmblidhja në këtë intervistë, nuk do të nxinin as faqet e një gazete të tërë. Shumëkush më tregon se librat e Bedri Dedjes i ka marrë me vete edhe jashtë atdheut, ku jeton sot dhe i ruan si reliktet më të shtrenjta që e lidhin me të kaluarën, me vendlindjen, me ëndrrat më të bukura të fëmijërisë.

79600698_2643145935775644_3074357879902306304_n

Si njeri i artit dhe kulturës, njëherazi specialiste e politikave kulturore në Zvicër, a mund të na thoni se ç’ndodh me botimin e autorëve të këtij kalibri në vendet perëndimore?

Shteti zviceran, ashtu si edhe shumë vende të tjera të zhvilluara me kulturë demokratike, kudo në botë, i kushton një rëndësi shumë të madhe edukimit të fëmijëve dhe rinisë. Po ashtu, ka programe politike të përcaktuara mjaft qartë në këtë drejtim. Mund të dëshmoj se veprat e autorëve klasikë të letërsisë për fëmijë ndodhen çdo vit në vitrinat e panaireve të librit, në çdo librari dhe program mësimor. Madje, ato janë të parat që të bien në sy dhe që blihen nga lexues të shumtë të të gjitha moshave. Këtu mund të përmend romanet e Zhyl Vernit, të Xhani Rodarit, përrallat e Andersenit, “Princin e vogël” të Saint-Exypéri-së, “Liza në botën e çudirave”, përrallat e Grimit, “Robinson Kruzonë”, “Aventurat e Tom Sojerit”, “David Koperfildin”, “Aventurat e Guliverit”, “Piter Panin”, “Harri Poter” e shumë e shumë të tjerë.

Botimi i veprës së Bedri Dedjes ka qenë edhe meraku i madh i nënës suaj të ndjerë, Pandorës. A ka dorëshkrime ende të pabotuara të tij?

Nëna ime, Pandora, ishte bashkudhëtarja e palodhur e jetës krijuese të Bedri Dedjes, redaktorja dhe vlerësuesja e parë e veprës së tij. Ajo u shua shumë pak kohë pas tij, gjithnjë me shqetësimin e dorëshkrimeve që kishin mbetur ende pa botuar, të cilat i ruante si kapitalin më të shtrenjtë. Me të drejtë, Bedri Dedja e ka quajtur “të dashurën e tij Pandorën” si “gruan, bashkëshorten, miken, kolegen, bashkëpunëtoren e palodhur”. Për sa u përket dorëshkrimeve, janë ende disa të tilla që kanë të bëjnë me veprën shkencore psikologjike dhe pedagogjike të Bedri Dedjes, me të cilat po merrem intensivisht kohët e fundit, për t’ia bashkangjitur botimit të plotë të veprës së tij shkencore, që besoj do të bëhet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Përfitoj nga rasti të përmend edhe dy tituj prej tyre, të cilat mund të paraqesin shumë interes për lexuesin e gjerë, dy vepra autentike, ndoshta të parat në llojin e tyre : “Drejt enigmave të psikikës së njeriut” (1989) dhe “Sekreti i talentit” (1998). Kjo e fundit është cilësuar nga akademikët Rexhep Qosja dhe Pajazit Nushi si “një vepër e mrekullueshme” dhe nga specialistë të tjerë të kësaj fushe si “një arritje e re në krijimtarinë e autorit, një vepër dinjitoze, e veçantë në llojin e vet, me një temë të madhe të kohës, psikologjinë e krijimtarisë”. Ata mendojnë se kjo vepër është një punim i mirëfilltë shkencor, që nuk u drejtohet vetëm shkencëtarëve, por një auditori të gjerë dhe është i kuptueshëm njëlloj, si për psikologët, ashtu edhe për prindërit, mësuesit, artistët, studentët dhe për çdo lexues tjetër.

Nga ajo që mbani mend, si e përjetonte Bedri Dedja procesin e krijimit të një vepre të re dhe botimin e saj?

Botimin dhe daljen nga shtypi të veprave të tij, ai e ka përjetuar gjithmonë si lindjen e një fëmije, siç shprehej jo rrallë. E merrte në dorë me emocion të madh veprën e re dhe disa kopje i ruante me fanatizëm në fondin e bibliotekës së tij.

Cili është libri i tij për fëmijë që ju keni më përzemër dhe pse?

Kësaj pyetjeje kam vështirësi t’i përgjigjem, pasi menjëherë më vijnë në mendje tituj të shumtë, të cilët s’mund t’i ndaj nga njëri- tjetri. Ndoshta “Një udhëtim i rrezikshëm” ose “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Shkolla e Pyllit”, “Kalamajtë e Pallatit tim”, “Kërcënimi i thonjve kozmikë”, “Kacamicri rreth globit”, “Alarmet e qytetit Sdikuisht”, “Republika e 1100 çudirave”, “Kallzimet e gjyshe pastërtores”, “Përralla e tre vëllezërve”, “Sikuriada”, “Kryengritje në pallat” etj. Por në këtë rast, do të doja të veçoj romanin për fëmijë, “Presidenti i Planetit të kuq” (botuar në vitin 2008 nga “Rilindja” në Prishtinë), të cilin Bedri Dedja e la dorëshkrim pas vdekjes dhe unë e përgatita me shumë dashuri për botim. Ky libër më është dukur gjithmonë jo vetëm si një amanet, por edhe si një testament, të cilin ai ua la trashëgim të gjithë fëmijëve shqiptarë në periudhën e vështirë të tranzicionit, kur ata kërkonin përgjigje të shumta për problemet e mëdha që kalonte Shqipëria, si dhe për ngjarjet e ndërlikuara që zhvilloheshin në arenën ndërkombëtare. Në hyrjen e këtij botimi, unë kam shkruar: “Ndodhesha e vetmuar në studion modeste të xhaxhi Bedriut, rrethuar nga librat e shumtë… Papritmas, nga raftet e bibliotekës nisën të dalin me radhë të gjitha personazhet e librave të tij. Me kokën ulur pashë të afrohej Fatbardh Pikaloshi; me kokat ulur ishin Genti, Sokoli, Qerosi i Përrallës së tre vëllezërve, Artan Burizani, Taulanti, Jeta, Rudina, Erleti Mendjelehti, Qetësor Diktatori, Gjyshe Myneveri, Flamur Teli, Met Partizani, Gjyshe Pastërtorja, Kokëtapa e Kokëfirifiu e madje edhe Kokëdruthi, që qëndronte i zbehtë mes turmës së kësulëkuqëve të babagjyshit me mjekër të bardhë, mendje të ndritur e zemër të artë… Pas pak, Fatbardh Pikaloshi më mori nga dora dhe më drejtoi për nga tavolina e punës së xhaxhi Bedriut. Hapa sirtarin dhe me duart që më dridheshin, i mblodha fletët e shkruara prej dorës së tij një e nga një. Në faqen e parë, me një shkrim të bukur e mjaft të qartë, lexova këto fjalë që m’u dukën sikur m’i diktoi në veshët e mi zëri i ngrohtë i xhaxhi Bedriut: “Gjer më sot, unë kam ruajtur një sekret të madh, të cilin nuk ka mundur ta zbulojë asnjeri… E pra, mua më duket se erdhi koha…”

Sipas publicistes italiane, Katerina Xukaro, Bedri Dedja e shikonte shpëtimin e shoqërisë te fëmijët. Në një kohë të tillë, kur lexuesve të vegjël u ofrohen tekste komerciale, si mund të ndikojë në formimin e tyre një libër i mirë letrar?

Është e dhimbshme të mendosh që fëmijët e sotëm në Shqipëri marrin në duar tekste komerciale, që mund t’u ofrohen nga mësues të pandërgjegjshëm apo botues me interesa të ngushta financiare. Këto lloj botimesh rrezikojnë jo vetëm t’i largojnë përgjithnjë këta fëmijë nga libri dhe interesi për letërsinë, por edhe t’u propagandojnë antivlera dhe shembuj që s’duhen ndjekur. Kam mendimin se në veprën letrare të Bedri Dedjes, fëmijët do të gjenin shumë përgjigje nga pena e një eksperti të pedagogjisë dhe të psikologjisë fëmijërore. Madje, mund të zbulonin edhe interesa të reja për të ardhmen, pasi autori e njeh në thellësi botën e fëmijëve dhe kërkesat e tyre, duke ditur t’i ndërthurë më së miri dijen me fantazinë, shkencën me ëndrrat, interesat e tyre me edukimin. Duke iu referuar një shprehje të Alma Miles vite më parë se ”…Të gjithë ata të rritur, që dikur harroheshin pas aventurave të Fatbardh Pikaloshit, me fyej magjikë e katallanë, dje janë ndierë nga pak jetimë…

Babai i letërsisë për fëmijë dhe akademiku Bedri Dedja është ndarë nga jeta…”, unë do të shtoja se është akoma më tragjike kjo “ndarje” me veprën e tij për brezat e fëmijëve të sotëm. Këta fëmijë mund të quhen vërtet “jetimë”, duke humbur rastin të njohin babanë e letërsisë së tyre, si dhe personazhet e pavdekshme që ka krijuar pena e tij. Këta breza mund të humbasin shumë nëse nuk do të kenë mundësi të përkunden në djepin e ëndrrave të bukura dhe të dijes, që xhaxhi Bedriu krijoi me aq dashuri për ta. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj të mësipërme në lidhje me pohimin e publicistes italiane, Katerina Xukaro, do të shprehesha me fjalët e saj kur thotë se në veprën e tij “…Bedri Dedja kërkon të thotë se shpëtimi i shoqërisë sonë nga rrënimi dhe dekadenca nuk qëndron në kënetën e bindjeve sociale, të cilave u nënshtrohen të rriturit, por është te fëmijët, te fantazia e tyre dhe tek aftësia e tyre për të besuar tek e pamundura, duke shndërruar kështu çdo përrallë të bukur në realitet”. Ajo e mbyll shkrimin e saj: “Vepra e Dedjes është një ftesë për të mbetur fëmijë në zemër, nga ana e një njeriu që, duke vepruar kështu, u bë monument i letërsisë për fëmijë. Dhe jo vetëm për fëmijët, më lejoni ta them”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura