BE pas Covid-19 më e fortë, jo më e dobët

Dec 1, 2020 | 10:10
SHPËRNDAJE

arben-malaj

NGA PROF. ARBEN MALAJ

“Të dashur miq, historia na shikon. Le të bëjmë gjënë e duhur së bashku – me një zemër të madhe, jo me 27 zemra të vogla”. Von Der Leyen, President i Komisionit Europian.

Europa aktualisht po përballet me një krizë të parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Krizat janë gjithnjë momente testimi dhe reflektimi.

Ato kanë momentin e tyre kritik, sidomos në aspektin psikologjik, sepse të parët lajmëtarë të tyre janë ata që e shikojnë çdo gjë pa shpresë dhe që përhapin virusin e panikut vrastar. Kështu ka ndodhur gjithmonë, sapo kthetrat e krizave financiare apo natyrore zgjaten mbi të sotmen dhe të ardhmen. Por, historia njerëzore disaqindravjeçare vërteton të kundërtën e “ogurzinjve”.

Revolucioni në shëndetësi bashkë me mirarsimimin konsiderohen sot dy kolonat kryesore të zhvillimit njerëzore. Bota është bërë më e fortë, më e madhe dhe më e zhvilluar. Ajo, pas gripit spanjoll, është rritur nga rreth 1.5 miliardë në rreth 7.8 miliardë në 2020. Krahasoni viktimat e pandemive të tjera me viktimat e Covid-19? Shkoni shkurtimin maksimal të kohës për ekzaminim e të prekurve dhe për zbulimin e vaksinave. Covid-19 do ta bëjnë më të fortë BE-në, sepse testoi dhe imponoi solidaritetin shoqëror të menjëhershëm, inspiroi sakrificën e përbashkët dhe inkurajoi politikat dhe instrumentet e reja monetare, fiskale dhe financiare që do të jenë më efektive përballë çdo pandemia/krize tjetër. Edhe në kulmin e pandemisë, anëtarë të rinj të BE-së janë në proces anëtarësimi në Eurozonë.

“Ogurzeza” ishin parashikimet për BE-në në kulmin e krizës financiare 2008. Shumë ekspertë me influencë publike e shkencore parashikuan rënien e euros deri edhe shpërbërjen e BE-së. U parashikua dalja e Greqisë nga euro. Greqia u konsiderua dominoja e parë që do të rrëzonte euron dhe BE-në. Bastet në tregjet e kapitaleve se kush është “i dyti në rradhë/who is next” dominuan tituj drithërues të gazetave dhe televizioneve kryesore.

Listën e dominosë së radhës e vazhdonte Spanja, Portugalia, Irlanda, por jo larg ndodheshin Italia dhe Franca. E vërteta në 2008 rezultoi ndryshe. Deklarata e Presidentit të Bankës Qendrore Europian (BQE), Mario Draghit, se do të bëjmë gjithçka që të shpëtojmë euron dhe mesazhi se në kohë krize ne na duhet më shumë dhe jo më pak Europë e Bashkuar – qetësuan tregjet e parasë dhe kapitaleve, qartësuan dhe harmonizuan politikat e përbashkëta për eurozonën dhe për menaxhimin më mirë të stabilitetit të financave publike të shteteve anëtare.

Rregullat e Bazelit u shoqëruan me projektin e “Unionin Bankar”, duke synuar parandalimin e krizave bankare të ushqyera nga krizat ekonomike e financiare. Ndërsa në përballjen me krizën globale 2008, BE reagoi me vonesë, sepse u pengua nga mospërputhjet dhe grindjet e brendshme, në rastin e Covid19 uniteti ishte qartë, i plotë dhe i menjëhershëm. Të tria institucionet e BE-së si: Këshilli, Parlamenti, Komisioni Europian dhe BQE, unifikuan shumë shpejt reagimin e tyre anti-Covid-19 për domosdoshmërinë e paketave financiare në ndihmë të çdo vendi europian (jo vetëm për vendet anëtare) për t’u përballur me kostot shtesë kundër pandemisë dhe mbrojtjen sociale për të papunët, të varfrit dhe bizneset në risk falimentimi.

Reagimi i BQE-së kundër Covid-19 erdhi pa vonesë, Lagarde deklaroi se BQE ka në dispozicion të gjithë politikat dhe instrumentet e nevojshme për t’u garantuar vendeve të BE-së sasinë e nevojshme financiare për kapërcimin e krizës dhe se kjo ndihmë do të ishte aq e madhe dhe për aq gjatë sa do të ishte e nevojshme. Një efekt shumë pozitiv i Covid-19 ishte presioni i saj për lehtësimin e deficiteve buxhetore dhe tavanet për borxhet publike.

Kjo i detyroi liderët e BE-së të pranojnë propozimin e disa viteve më parë të ish-ministrit të Financave italiane, Tremonti, që për të ruajtur vendet e dobëta nga bastet/kostot e larta të tregjeve të parasë, BE duhet të emetonte eurobonde. Në përballje me nevojat e mëdha dhe të menjëhershme për financimin e kostove të pandemisë për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, BE, për herë të parë në historinë e saj, emetoi koronabondin, i cili “do të financonte vetëm këto shpenzim dhe jo shpenzimet publike kombëtare të çfarëdo natyre tjetër”.

Emetimi i një eurobondi, qoftë edhe vetëm për qëllime dhe situata specifike, është një ndryshim cilësor në menaxhimin e financave publike të BE-së, sepse për herë të parë përdoret një instrument federativ. Për të mos nxitur “Moral Hazard” në menaxhimin e financave publike nga çdo shtet, Gjermania vazhdon të qartësojë se coronabond është një tolerimin i përkohshëm dhe jo një instrument i përhershëm. Edhe pse “këmba federative” e BE-së në pjesën e politikave të përbashkëta financiare duket çalamane, për herë të parë, për efekt të Covid-19, BE ecën duke u mbështetur në dy këmbë federative.

A do të jetë eurobondi një armë rezervë për periudha krize apo një armë e përhershme në armatimin neo-kejnsianistë kundër krizave, kjo mbetet për t’u parë. BE duhet t’i ketë sa më funksionale të dyja këmbët ku mbështetet në objektivin për të qenë një bllok ekonomik i konsoliduar dhe në rritje për demokracinë funksionale dhe prosperitetin ekonomik.

Nacionalistët, që e përgjakën dhe varfëruan Europën me dy luftëra botërore të njëpasnjëshme, 1914-1945, deri në nivelet e mbijetesës njerëzore, harrojnë se BE po konsolidohet me më shumë elemente federative edhe nga presioni i reagimit të shpejtë dhe të fortë kundër krizave. Covid19 ka një kontribut specifik për përshpejtimin e federalizimit të BE-së. Europa e Bashkuar ka jo pak sfida, të cilat mund të shmangen me një fleksibilitet në rritje edhe me reforma institucionale brenda saj, ku të gjitha shtetet anëtare kontribuojnë për një Europë më të fortë dhe më fleksibël, ndërsa liderë populistë nuk pengojnë, vonojnë apo bllokojnë thellimin dhe zgjerimin e integrimit të BE-së për t’u rritur si një fuqi kontribuuese dhe influencuese në konkurrencën dhe qeverisjen globale.

Apeli i presidentes së Komisionit Europian është sot më i domosdoshëm dhe më i dobishëm se kurrë, jo vetëm sepse e tillë është kriza e Covid-19, por sidomos sepse edhe më të rënda mund të jenë përballjet e paunifikuara me krizat e ardhshme që po bëhen më të shpeshta, më të rënda dhe më të gjata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura