BE kritikon Kuvendin për përjashtimin e gazetarëve/ Reagimi i Ambasadës: Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve

Jun 10, 2021 | 10:08
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Delegacioni i Bashkimit Europian ka rrëzuar pretendimet e Kuvendit të Shqipërisë, i cili përmes një reagimi ndaj shqetësimit të gazetarëve, u shpreh se  projekti për moslejimin e gazetarëve në  mbledhjet e komisionit është mbështetur  dhe ideuar nga BE-ja.

pjimage (87)

Përmes një postimi në “Twitter”, delegacioni i BE-së  shprehet se rregullorja e miratuar nga anëtarët e Kuvendit, ku shumica e tyre nuk do të jenë më në atë institucion si ligjvënës, nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së. Sipas tyre, qasja e mediave për të mbuluar punën e Kuvendit janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale. “Dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave  dhe komisioneve të tij janë elemente të rëndësishme të një  demokracie liberale. Keqardhje për mungesën e  konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të  reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të  udhëzimeve të BE-së ose  këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë  kontekst në vitin 2014”, rea- goi delegacioni i BE-së.

Reagimit të zyrës së BE-së në Tiranë iu bashkua edhe ambasadorja e Francës, Elisabeth  Barsacq. Ajo mbështeti qëndrimin e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri lidhur me rregullat e reja të vendosura nga Kuvendi i Shqipërisë për praninë e medias. Në një postim në  “Twitter”, Barsacq bën thirrje për të mbështetur lirinë e medias. Diplomatja franceze shprehet se liria e shtypit është baza e të gjitha  lirive të tjera. “Le të mbështesim lirinë e shtypit. Ajo  është baza e të gjitha lirive të tjera, është me anë të së cilës ne ndriçojmë ndërsjellë veten”, shkroi ambasadorja në “Twitter”.

KUVENDI 

Më herët Kuvendi i Shqipërisë sqaroi se vendimi  është marrë me qëllimin për  të ndërtuar një sistem të ri audio-video për ndjekjen dhe  transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare. Po ashtu, Kuvendi sqaroi se regjistrimet që do të ofrohen në dhomën ku do të qëndrojë media nuk do të kontrollohen nga një regji qendrore, por  nga vetë gazetarët. Në sqarimin zyrtar institucioni i  dytë më i lartë në rang hierarkik shprehet se projekti është diskutuar me BE-në. “Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar,  konceptuar dhe ndërtuar nga  Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit  IPA 2014 të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Kuvendi është përfitues i këtij  projekti/modeli të ri. Edhe specifikimet teknike të ndërtimit të këtij sistemi u përcaktuan dhe miratuan  nga Komisioni Europian, bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të parlamenteve të vendeve të BE-së.

Ndërkohë, rekomandimet e  progres-raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë e viteve 2013-2014 kishin theksuar nevojën e rritjes së transparencës dhe përfshirjes së shoqërisë civile në procesin legjislativ, si edhe përmirësimit të informimit të publikut mbi aktivitetet parlamentare dhe dokumentacionin parlamentar. Në veçanti, raportet e projektit IPA 2013  theksojnë se Kuvendi i Shqipërisë nuk disponon një platformë të unifikuar, që mundëson komunikimin efektiv në  format audio-video nga sallat e komisioneve parlamentare dhe se mungesa e një sistemi audio-video në mjediset e Kuvendit është një pengesë serioze, për të siguruar transparencë të plotë të punës në komisionet parlamentare dhe në  organet e tjera të Kuvendit”, sqaroi Kuvendi. Sipas rregullores së re, kamerat nuk do të lejohen në asnjë rast të hyjnë  në godinë, përjashtuar ato raste kur deputeti do të ketë pranuar intervistën. Gazetarët do të  rrinë vetëm në një sallë në katin e parë, ku mund të shohin  mbledhjet nga ekrani, por nuk mund të afrohen te sallat e mbledhjeve, duke i larguar kështu nga ligjvënësit apo ministrat.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura