BE-ja po e harton raportin e ri për Kosovën

Nov 21, 2018 | 13:23
SHPËRNDAJE

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, deklaroi sot se raporti i ri për Kosovën, i cili do ta mbulojë periudhën shkurt 2018 deri janar 2019 është në proces të hartimit dhe shprehu optimizmin se pas analizimit të të gjitha kontributeve, BE-ja do të ketë mundësinë që prapë të prodhojë një raport tjetër gjithëpërfshirës, i cili do t’i ndihmojë Kosovës më tej në rrugën e saj evropiane.

Ajo këto komente i bëri në takimin e fundit të Bordit të përbashkët bashkërendues për sundimin e ligjit, ku morën pjesë shefja e Misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesi i KPK-së Blerim Isufaj.

Apostolova përgëzoi autoritetet e tjera të Kosovës të përfshira për përpjekjet e vazhdueshme për zbatimin e kritereve të Agjendës së Reformave Evropiane që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, duke theksuar se ajo që mbetet të bëhen në fushën legjislative është miratimi i shpejtë i dispozitave që kanë të bëjnë me suspendimin dhe shkarkimin e zyrtarëve publikë të akuzuar dhe të dënuar përkatësisht për korrupsion.

Ndërsa, shefja e Misionit EULEX e prezantoi Raportin e Progresit për Marrëveshjen Kompakte, i cili i përfshinë aktivitetet e BPSL-së gjatë periudhës korrik 2017-qershor 2018 dhe e bën përcjelljen e progresit të bërë nga institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në fushat me fokus të miratuara, përkatësisht atë të policisë, doganës, drejtësisë, dhe zbatimit të dialogut.eulx_1542801133-2854322

Papadopoulou e nënvizoi progresin e dukshëm të bërë nga homologët vendas për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke e theksuar rolin e rëndësishëm që BPSL-ja e ka luajtur përgjatë këtyre viteve si një mekanizëm efektiv për ta lehtësuar bashkërendimin në mes të aktorëve kryesorë vendas dhe të BE-së lidhur me çështjet më të rëndësishme, si dhe duke shërbyer si një katalizator për përmirësime në fushat më të rëndësishme.

“Pasi në qershorin që shkoi EULEX-i e përfundoi mandatin ekzekutiv të tij në sistemin e drejtësisë të Kosovës dhe në mënyrë progresive është duke i ndryshuar përgjegjësitë e tij për ndërtimin e kapaciteteve në fushat tjera të rëndësishme të sundimit të ligjit, tani është koha dhe rendi që autoritetet e Kosovës ta marrin përsipër pronësinë e plotë mbi angazhimet për reforma që t’i bëjnë institucionet e tyre më të afta dhe më të qëndrueshme”, tha ajo.

Papadopoulou inkurajoi autoritetet e Kosovës që në kuadër të iniciativës Drejtësia 2020 ta vazhdojnë punën e mirë të bërë së bashku deri më tani nën ombrellën e BPPSL-së, veçanërisht në zbatimin e udhërrëfyesve të BPSL-së për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, Panelit për Ankesave të Agjencisë Kosovare të Pronës, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Krimeve të Luftës.

Duke i parë gjetjet e Raportit të Progresit për Marrëveshjen Kompakte, Shefja e Misionit EULEX përmendi performancën dhe kapacitetet e rritura të disa institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit si Policia e Kosovës, Këshillat Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, si dhe Agjencia e Regjistrimit Civil, që në veçanti ka mundësuar tërheqjen graduale të mbështetjes së EULEX-it e në anën tjetër mbështetjen në rritje në mjetet alternative të ndihmës.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka potencuar se Agjenda e Drejtësisë 2020 ka qenë e domosdoshme në qëllim të adresimit të çështjeve konkrete, të identifikuara gjatë viteve të fundit brenda sistemit të drejtësisë, me fokus në sistemin gjyqësor e prokurorial, të cilat në mënyrë absolute do të ndikojnë në ngritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor.“Një mekanizëm i këtillë koordinues do të ndihmojë në qasje më të shpejtë, më moderne dhe më kualitative në qëllim të ngritjes së efikasitetit. Në këtë mënyrë, kjo agjendë do të ndihmojë procesin e Rishikimit Funksional, duke krijuar hapësirë për diskutime të temave të mëdha që kërkojnë hulumtim më të madh dhe diskutim më të detajuar brenda grupeve punuese”, tha ai./ Gazeta Express

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura