BE anulon grantin 28 milionë euro për Portin e Durrësit, projekti parashikonte rehabilitimin e kalatave 1 dhe 2 në terminalin perëndimor

Nov 25, 2022 | 7:42
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Pasi i kërkoi qeverisë më shumë qartësi dhe transparencë në lidhje me marrëveshjen me kompaninë arabe, Bashkimi Europian vendosi të tërhiqet nga investimi i projektit për Portin e Durrësit.

projekti per portin e durresity

Granti 28 mln euro, ishte parashikuar që të mbështeste realizimin e projektit për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe 2 të terminalit. Në një vështrim në faqen zyrtare të “Western Balkan Investment Framework” (Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor) ky projekt mban tashmë statusin ‘i anuluar’.

Në përshkrimin e projektit në këtë faqe, investimi i financuar nga BE do të mundësonte rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar me qëllim ankorimin e anijeve me tonazh të madh si dhe do të rriste qëndrueshmërinë e kalatave për tonazhet e larta.

“Porti i Durrësit aktualisht trajton rreth 90% të shkëmbimit detar të vendit në tonazh dhe 53% të të gjithë tregtisë ndërkombëtare. Terminali ka gjithsej pesë kalata dhe ka një sipërfaqe prej 92,680 m2. Kalatat 1 dhe 2 janë në gjendje të keqe dhe të parregullt. E para u ndërtua në vitin 1972 dhe e dyta midis viteve 1945 dhe 1951. Disa rehabilitime u kryen në vitin 1994. Megjithatë, elementët strukturorë nën ujë tregojnë shenja korrozioni të konsiderueshëm, gjë që pengon funksionimin e sigurt të kapaciteteve të mëdha të ngarkesave. Për më tepër, thellësia e terminalit pranë kalatave varion midis 7 dhe 8.2 m, kështu që anije mallrash më të mëdha nuk mund të akomodohen në port. Projekti synon rehabilitimin e lidhjes hekurudhore midis Tiranës dhe Durrësit, duke sjellë në përfundim të saj krijimin e një seksioni të rëndësishëm multimodal si pjesë e korridorit të rrjetit bazë të transportit, duke forcuar lidhjet e Shqipërisë me Kroacinë dhe Italinë. Përveç kësaj, ata do t’i ofrojnë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut akses në rrugët e transportit detar”, thuhet në përshkrimin e projektit, nga i cili BE tashmë është tërhequr.

Projekti parash ikonte rehabilitimin e kalatave 1 dhe 2 në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit, ku përpunohen thuajse të gjitha mallrat që vijnë nga jashtë. Ndërhyrjet e vetme janë bërë më 1994. Projekti i financuar edhe nga BE-ja, parashikonte zgjerimin e sipërfaqes së kalatave, si dhe rritjen e thellësisë së projektuar, në mënyrë që të ankorohen edhe anije më të mëdha.

Ndërkohë, marrëveshja e nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar, e shndërron portin aktual në port jahtesh dhe e kthen Durrësin, siç është shprehur Kryeministri Rama, në “Dubain e Mesdheut”, ndërsa aktiviteti tregtar do të zhvendoset në Porto Romano.

Aktualisht, në këtë zonë operon një kompani private dhe aty përpunohen ngarkesa me naftë. Me një vendim të Këshillit të Ministrave në qershor të 2021 u vendos të zgjerohej porti ekzistues në Porto Romano, duke i hapur rrugë kështu transferimit të portit tregtar atje dhe ndërtimit të portit turistik nga kompania arabe.

Në përgjigjen e zyrës së BE-së në Tiranë thuhet se “sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSAnë dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare”. Edhe në gusht të këtij viti, delegacioni i BE-së në Shqipëri i kërkoi qeverisë më shumë qartësi dhe transparencë në lidhje me marrëveshjen me kompaninë arabe sa i përket projektit të marinës në Portin e Durrësit.

Projekti i investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar, për Marinën e Jahteve në Portin e Durrësit ka sjellë përplasje mes qeverisë dhe opozitës. Sipas PD-së, shkelet marrëveshja e MSA-së si dhe pas projektit fshihen interesat personale të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Marrëveshja për Portin e Durrësit u shoqërua më debate të forta dje në Kuvend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura