BE, 40 vjet ëndërr!

Feb 7, 2018 | 12:47
SHPËRNDAJE

LUTFI DERVISHI

lutfi dervishi

Ne jetojmë në një rajon, që prodhon histori më shumë se ç’është në gjendje të konsumojë,” por dita e sotme mund të quhet historike. Komisioni Europian ka paraqitur në Parlamentin Europian në Strasburg, perspektivën e 6 vendeve të Ballkanit në raport me BE.

Është ditë historike se Kosova trajtohet në një dokument zyrtar si kandidat potencial për anëtarësim.

Strategjia e paraqitur bën të qartë se, Mali i Zi dhe Serbia janë në radhën e parë me procesin e anëtarësimit. Kanë hapur bisedimet dhe po “negociojnë”. Konfirmim i progresit të këtyre dy vendeve është vizita që do të zhvillojë këtë javë komisioneri Hahn në Podgoricë dhe Beograd.

Në radhën e dytë ndodhet Shqipëria dhe Maqedonia. Nëse do të ketë rezultate, këtë pranverë komisioni mund të rekomandojë hapjen e negociatave. Dhe nëse kjo ndodh, vendimi do të merret në qershor.

Në radhën e tretë janë Kosova dhe Bosnjë – Hercegovina.

Rajoni është rrethuar nga vende anëtare të BE-së, por nuk “dorëzohet lehtë”. Për t’u anëtarësuar, dera është e hapur, por duhet t’i lëvizë vetë këmbët. Ndihma nga BE nuk mungon, por duhen sakrifica. Kryefjala është fjala “reformë”.

Entuziazmi i njerëzve për Unionin është i lartë, por jo edhe i elitës politike.

Anëtarësim nuk do të thotë vetëm – negociata qeveritare, por edhe gjithëpërfshirje e të gjithë shtesave të popullsisë.

Në dhjetor të vitit 1990, shqiptarët dolën në protesta për të rrëzuar regjimin komunist me parullën: E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Askush nuk e kishte menduar që 30 vjet nuk do të mjaftonin për t’u bërë si Europa.

Nëse Shqipëria hap negociatat këtë vit, nga përvoja e vendeve të tjera, duhen afro 10 për t’i përfunduar. Afro 40 vjet në tranzicion.

Një në tre shqiptarë gjatë këtyre 3 dekadave, afro 1 milionë qytetarë, e ka zgjidhur individualisht integrimin në Europë, – ka zgjedhur të jetoj në vende të BE. Shqiptarët në Shqipëri presin reformat e premtuara dhe transformimin e dëshiruar.

Presin jetë më të mirë, dhe mundësi më të mira.

BE mbetet një ëndërr për shqiptarët edhe pas 3 dekadave pritje. Shqiptarët mbajnë vendin e parë si azilkërkues në vendet e BE-së. BE është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë dhe mbështetësi kryesor i reformave në vend.

Shqipëria ndodhet prapa në procesin e integrimit, krejtësisht për fajin e elitës së vet politike, që në momente kyçe, secili aktor ka parë interesin e vet të ngushtë para interesit të vendit.

BE e ka pasur gjithmonë derën hapur dhe sa herë kemi mundur, kemi bërë zhurmë dhe kemi shuar dritat e shtëpisë, me qëllim që të mos i afrohemi momentit të madh transformues.

Hapja e negociatave për 35 kapitujt është edhe fillimi i fundit të tranzicionit të stërzgjatur. Detyrat e shtëpisë janë të qarta, por askush nuk do të ulet dhe t’i bëjë për ne.

Perspektiva e rajonit për integrimin në BE ka qenë e qartë dhe publike që nga samiti i Selanikut, 15 vite më parë. Premtimi është i vjetër. Ajo çfarë ndryshon tani, është angazhimi më i madh ndaj rajonit. BE është e pakonkurrueshme për rajonin, por nuk është e vetme. Kina, Rusia, Turqia, vende të Lindjes së Mesme kanë hedhur sytë nga rajoni dhe në strategjinë e re, ndonëse nuk përmendet, ndihet faktori gjeopolitik.

Që nga Samiti i qershorit të 2003, ka rrjedhur shumë ujë: kriza financiare, kriza greke, kriza e emigrantëve, BREXIT, rritja e partive ekstremiste. BE ka ndryshuar, por ndryshimi është tipik për unionin.

Strategjia e re e vë theksin te reformat, sundimi ligjit, por edhe te zhvillimi ekonomik i rajonit. Si në të gjitha rastet e mëparshme, BE kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me vendet fqinjë.

Integrimi në BE në Shqipëri është dëshirë kombëtare, por nuk ka lidhje me goglat dhe lotarinë kombëtare. BE ka nxjerrë mësime nga anëtarësimet e mëparshme dhe mësimi kryesor është: lista e punëve të kryera në realitet dhe jo lista e zotimeve që mbeten në letër.

Topi është në fushën tonë. Tani është radha për të parë nëse sërish do të shuajmë dritat apo do t’u japim këmbëve?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura