BDI-ja, ultimatum në bisedimet e krizës

Apr 28, 2016 | 19:13
SHPËRNDAJE

Bashkimi Demokratik për Integrim këmbëngul në rolin e tij të zhvillimit të një “shuttle diplomacy” për arritjen e një pajtimi mes VMRO-së dhe LSDM-së për daljen nga kriza. Pas dështimit edhe të takimit të Vjenës, zëdhënësi i kësaj partie, pranon gjithsesi se mundësitë për bisedime janë duke u shteruar.

Në një prononocim të shkurtër për ALSAT, zëdhënësi i partisë shqiptare në pushtet Bujar Osmani tha se partitë e mëdha duhet të shfrytëzojnë sot shansin, si ditë e fundit e mundshme për pajtim.

lideret-e-partive-ne-mk_1461858382-4911532

“Janë këto orët e fundit ose momentet e fundit për tu arritur ky kompromis. I ftojmë edhe një herë partitë politike maqedonase për të pranuar kompromise të cilat janë në tavolinë për ti nxjerr shtetin dhe qytetarët nga kriza. Nëse kjo nuk do të arrihet atëherë BDI-së i mbetet ti shqyrtojë politikat e saja në drejtim të mbrojtjes së interesave të shqiptarëve në Maqedoni”, tha Osmani.

Pavarësisht se nuk zbardhet shumë në rrugë zyrtare, ALSAT mëson nga burimet se opsioni i shtyrjes së zgjedhjeve, është refuzuar deri më tani nga të dyja palët në bisedime. Megjithatë, në këtë vakuum ligjor që po kalon sistemi pas shpërndarjes së kuvendit, e rënduar më tej nga vendimi i presidentit Ivanov për faljen e 56 funksionarëve, BDI-ja kërkon që në këto bisedime me LSDM e VMRO të mos cenohet Prokuroria Speciale Publike, organ ky i cili pavarësisht fatit të Marrëveshjes së Përzhinës, duhet të mbetet gjallë.

Nuk përjashtohet që në opsionet e pajtimit, të përfshihet edhe rikthimi i mundshëm i qeverisë së para-marrëveshjes së Përzhinës, e cila edhe zyrtarisht do ta shuante këtë arritje të qershor-korrikut. Burimet tona thonë se BDI-ja po kërkon gjithsesi bazë juridike që PSP-ja të vazhdojë punën. Pavarësisht ofertave në tryezë, por edhe vakuumit ligjor për veprim, nga LSDM-ja sot theksuan se nuk kanë marrë ndonjë ofertë konkrete për shqyrtim

“Deri te LSDM-ja nuk ka dorëzuar asnjë propozim i cili do të ndikonte në pozitën tonë, asnjëri nga subjektet nënshkrues të marrëveshjes së Përzhinës dhe nuk ka për çka të thellohemi në këtë çështje. Thash edhe më herët dhe po përsëris që nëse nuk tejkalohen këto dy pika nevralgjike, nuk ekziston temë mbi të cilën do të diskutohej”, deklaroi Petre Shilegov, Zëdhënës i LSDM-së.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja vetëm kanë sqaruar se mbeten me qëndrim se zgjidhja duhet të jetë në pajtim me kushtetutën dhe ligjet dhe konform marrëveshjes politike mes palëve të përfshira.

Ngërçi politik i cili po zgjat tashmë një kohë të gjatë ka rezultuar edhe me protesta masive të cilat ka dy javë që nuk po ndalen.

ALSAT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura