BB: Më shumë se 23 për qind e shqiptarëve jetojnë në varfëri! Në 2022 inflacioni 6.7 për qind

Jan 19, 2023 | 7:55
SHPËRNDAJE

Banka Botërore raporton se në vitin 2022, më shumë se 23 për qind e shqiptarëve jetojnë në varfëri. Rritja e përgjithshme e çmimeve ishte 6.7 për qind, duke shënuar nivelin më të lartë të 24 viteve të fundit, që nga viti 1998 ku treguesi shënoi 21.6% prej çrregullimeve që krijuan në ekonomi ngjarjet e vitit 1997.

BANKA-BOTERORE

Ky nivel i ri i inflacionit vjen pas një stabiliteti të gjatë ku që nga 2012, inflacioni vjetor ka qenë gjithnjë më i ulët se 2%. Gjatë kësaj periudhe, kushtet e financimit si për individët, edhe për qeverinë, ishin favorizuese. Rritja e inflacionit përtej mesatares historike të periudhës së tranzicionit nuk është një fenomen shqiptar, por global që u nxit fillimisht nga pandemia Covid-19 dhe më pas lufta në Ukrainë.

Të dyja këto ngjarje dëmtuan zinxhirët e furnizimit për disa produkte jetike si energjia, nafta dhe ushqimet. Banka Botërore ka analizuar se në vendet me varfëri të lartë, ku bën pjesë edhe Shqipëria, rritja e çmimeve është edhe më e dëmshme, për faktin se gjysmën e konsumit mujor, popullsia e përdor për ushqime.

INSTAT raportoi se familjet shqiptare në vitin 2021 çuan 41% të shpenzimeve mujore për ushqime. Në vitin 2022, inflacioni i grupit të ushqimeve u rrit me 12% gati dyfishi i rritjes së përgjithshme të çmimeve. Banka Botërore pak kohë më parë vlerësoi se inflacioni në Shqipëri, më së shumti shpreh ndryshimin e çmimeve për shtresën e mesme teksa theksoi se familjet e varfra në Shqipëri përballen me një inflacion më të lartë se sa raportimet e INSTAT. 20 përqindëshi i poshtëm i popullsisë që ka të ardhurat më të ulëta, ka një peshë më të lartë të shpenzimeve mujore për ushqime që arrin më shumë se 60%. Inflacioni është tregues kryesor i ekonomisë, në bazë të të cilit qeveria dhe bizneset indeksojnë të gjitha shpenzimet. P.sh., qeveria me masën e inflacionit duhet të indeksojë pagat e administratës shtetërore, pensionet, pagesat e ndihmës ekonomike, të papunësisë etj.

Nisur nga situata e re që ka krijuar inflacioni i lartë, Banka Botërore ka indeksuar kufijtë varfërisë duke marrë në konsideratë zhvillimet në inflacion. Kufiri i varfërisë në vendet me të ardhura mesatare, ku bën pjesë edhe Shqipëria, u rrit në 6.85 USD në ditë nga 5.5 USD në ditë (e matur sipas barazisë së fuqisë blerëse) që ishte vitin e kaluar, me një indeksim me 21%. Me përllogaritjen e re çdo shqiptar që shpenzon më pak se 6.85 USD në ditë quhet i varfër më 2022. Qoftë edhe statistikisht varfëria si fenomen mund të rritet në Shqipëri nga indeksimi i kufirit të varfërisë. Banka përllogariti se më shumë se 23% e popullsisë së vendit jeton në varfëri në vitin 2022, por fenomeni pritet të zgjerohet më tej me rreth 8.4% nga kriza e çmimeve të larta. Edhe në perspektivën afatmesme, Shqipëria do të mbetet si vendi me varfërinë më të lartë në rajon, por edhe më gjerë në Europë./MONITOR

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura