BATUTAT/ Rama, Berisha e Topalli, replikat që nuk u dëgjuan në TV

Oct 9, 2015 | 9:36
SHPËRNDAJE

Seanca e djeshme e Parlamentit është shoqëruar me debate dhe batuta mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-kreut të demokratëve, Sali Berisha. Si rrallë më parë, Rama dhe Berisha janë bërë protagonistë të një fjalimi ndryshe nga herët e tjera.

Në një kohë që Berisha kërkoi të bënte replikë, foltoren e kishte zënë Kryeministri Rama. Berisha u ngrit dhe mbajti fjalim afër Ramës, i cili gjatë gjithë kohës e ka ironizuar atë, duke i thënë se shifrat që po tregonte nuk ishin të shkruara në letrat që ai mbante.

Rama e Berisha dje ne Kuvend
Rama e Berisha dje ne Kuvend

Po ashtu mes Ramës ka shkëmbyer batuta me demokratët, duke i quajtur “dumbabista” e “dummamista”, ndërsa e ka quajtur opozitën si të pafytyrë. Këto deklarata kanë acaruar tonet mes Ramës dhe deputetëve Flamur Noka e Jozefina Topalli, të cilët kanë kërkuar largimin e Kryeministrit nga salla për shkelje etike.

“Si je katandisur, të ka ngel shpresa te Ballisti që të bëjë ndonjë gjë. Je zhgënjyer nga Luli, ti ia le partinë gati dhe ta katandisi kashtë e koqe. Tani të ka ngel te kuqezinjtë”, tha Rama gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura.

Batuta mes Ramës dhe Berishës u bënë dhe për gjyshen, në një kohë që Kryeministri i tha deputetit të PD-së që të mos i ngacmojë gjyshen, por të merret me Jozefina Topallin.

Ndërsa Berisha e ka quajtur Ramën si konsumues droge që s’e mbajnë nervat. Ish-kreu i PD-së tha se Rama duhet të pranojë hetimin ndërkombëtar, nëse ia mban të zbardhet skandali i CEZ-it.

REPLIKAT DHE BATUTAT NË KUVEND
Damian Gjiknuri: Sa herë lëshoheshin llokma në favor të pushtetit, siç ishte rasti i kompanive të mbledhjes së borxheve, shihet tolerancë ndaj kompanisë CEZ. E kundërta ndodhte kur pazarprishësit dhe furia qeveritare, policore dhe përmbarimore vërsuleshin ndaj kompanisë si një shenjë ndëshkimi.

Sali Berisha:
Po flet si avokat i CEZ-it. E shikoni ku jeni katandisur, po bëni avokaturën e kompanisë.

Ilir Beqja: Boll, ore, dëgjo aty…

Damian Gjiknuri:S’e prisja që edhe ti të bëje zhurmuesin.

Edmond Spaho: Zoti Ministër, na konsiderove haxhiqamilista këtu. Haxhi Qamili ishte një rronxho-ponxho shqiptar, i cili shpirtin e tij kishte turkun, sulltanin, babën. Këta dy rreshtat këtu, kryeministri ju ka thënë që keni turkun në shpirt…

Arben Ahmetaj: Na e fute eee?

Edi Rama: Ju jeni dumbabista, dummamista…

Edmond Spaho: Pra, haxhiqamilista jeni ju këtu… dhe dumbabista jeni ju te këta dy rreshta (u drejtohet ministrave)…

Edi Rama: Ju jeni dummamista, duam babin, duam mamin…

Edmond Spaho: Po të bëhet lista e dumbabistave, fillon me ty (Ramës), je më i thekuri i haxhiqamilistave…

Ilir Meta: Fjalën e ka kërkuar zoti Rama…

Sali Berisha: Për replikë, zotëri… Jo, zotëri, do bëj replikë.
(Kryeministri Rama kishte zënë vendin në foltoren e Kuvendit)

Ilir Meta: Replika është vetëm 2 minuta. Zoti Kryeministër, mund ta bëjë replikën zoti Berisha…?

Edi Rama: Po, vazhdo.
(Berisha ngrihet nga vendi e i drejtohet foltores ku ishte Kryeministri Rama)

Ilir Meta: Zoti Berisha nuk shkon… dakord.
(Rama dhe Berisha qëndrojnë të dy në foltore).

Një duartrokitje, ju lutem…

Sali Berisha: Meqenëse avokati i pafytyrë i CEZ-it lexoi një orë dhe bëri avokatinë e CEZ-it, nuk do të lexoj këtu materiale të qeverisë sime, as të institucioneve që vareshin nga unë.

Edi Rama: Braçe, i kaloi një minutë… Mbaroi koha, ngrihu dhe fol prapë pastaj…

Sali Berisha: Unë e di që ty të lëshojnë nervat kollaj, e kam të qartë që je njeri me nerva të lodhura, aq më tepër këto s’i dëgjon dot tani.

(Rama ironizon me Berishën): Pse i shton këto, s’i ke në letër…

Sali Berisha: He se kështu e ka ky… Ata të cilët kishin marrë paratë dhe ky zotëria që rri këtu në këmbë, i cili në kulisa me Stefan Fulen dhe me të tjerë ishte zotuar se do të shkelmonte çdo interes kombëtar për kompaninë CEZ. Ishte zotuar se do të votonte nenin 19 të marrëveshjes për të përjashtuar nga çdo lloj padie… Ti (Ramës), duhet të jesh në bankën e të akuzuarve sot.

Edi Rama: Dihet botërisht që vetëm Doris Pack është e virgjër, ndërsa Stefan Fule dhe të tjerët janë të përshirë në llojlloj aferash…

Sali Berisha: Zotëri, e tha Kopaci, zotëri, e tha Kopaci… Marrëveshjen e ke firmosur në zyrën e tij…

Edi Rama: Kopac quheshin ato komçat e palltove ushtarake, dhe e ke mësuar kur ke ardhur në Tiranë që luanin kalamajtë me kupaca… Ai quhet kopaç, jo kopac…

Sali Berisha: Ti je kopac, ai larg është kopaçe… Njëlloj jeni të dy, keni gjet tenxherja kapakun.

Edi Rama: Me një vendim skandaloz të ERE-s, në dhjetor të 2010-s, dhe me një tjetër vendim në qershor të 2012-s, “iu futën tamam si turku hallvës” KESH-it…

Flamur Noka: Po ja ku i ke turkoshakët…

Arben Ahmetaj: Po fole ti, o parizien…

Flamur Noka: Ua ka thënë ai, jo unë…

Edi Rama: Këta dhe letrat e shtetit janë dy epoka që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Këta kanë qeverisur si në kohën e vikingëve…

Sali Berisha: Ti je aty si aksident. Je një aksident…

Edi Rama-Jozefina Topallit: Jozefinë, qeshu, Jozefinë, po nuk je ma rinia që i qeshte se bota është e jotja… Vetëm ti mos qesh se ty të shkaktun, po nuk po them që ke qenë e përfshime në këtë çështje. Mos u jep buzëqeshje solidare atyre që nesër do të shkojnë të përgjigjen para hetuesve.

Jozefina Topalli: 140 milionë euro, e ke për Ilir Metën ket…

Edi Rama: Nigjoje, Jozefinë, nigjoje… Konsulentët teknikë ku t’i gjenin këta… Këta gjetën atë si e kishte emrin ai “banaku” apo “dollapi” (Seit Dollapi). E nisën atje dhe i thanë futi në dollap të gjithë.

******

Edi Rama: Jeni thellësisht të pafytyrë.

Flamur Noka: Ore, mos na thuaj ne të pafytyrë ti… Ti je i pafytyrë.

Ilir Meta: Nuk e kishte me ty… Ju lutem, ruani qetësinë.

Flamur Noka: Si mund të flasësh për opozitën kështu? Ti je hajdut dhe i pafytyrë.

Jozefina Topalli: Ilir, nxirre jashtë, nxirre jashtë…

Edi Rama: E di si është puna, të gjithë në këtë sallë, Jozefinë, jemi në një moshë që mbajmë përgjegjësi për fytyrën që kemi.

Flamur Noka: O ku ke fytyrë ti, ore… O i pafytyrë…

Edi Rama: Për pafytyrësinë tuaj nuk do të mbaj përgjegjësi unë. Po të vihesh në pozitën time dhe t’ju shofsh ju, do të thuash: Ore, ç’janë këta të pafytyrës kështu… Po të viheni në pozitën time, do të thoni: Paska pas të drejtë. Hajde këtu dhe shihni që kam të drejtë. Nuk po të ofendoj, që ju jeni thellësisht të pafytyrë është konstatim, nuk është ofendim.

(Deputetët Flamur Noka dhe Jozefina Topalli rrethojnë Kryeministrin, para tij vendosen efektivët e Gardës)

Ilir Meta: 5 minuta pushim…

Jozefina Topalli: Dil jashtë, nxirreni jashtë. Edi Rama-deputetëve të opozitës: Uluni se jeni bërë si ato vajzat e gjindshme…

Jozefina Topalli: Dil përjashta, o palaço…

Edi Rama: Si je katandisur, të ka ngel shpresa te Ballisti që të bëjë ndonjë gjë. Je zhgënjyer nga Luli, ti ia le partinë gati dhe ta katandisi kashtë e koqe. Tani të ka ngel te kuqezinjtë…

(Pas rifillimit të seancës, ministri Ilir Beqaj pengohet te shkallët)

Edi Rama: Janë ca nga ju këtu që merren me 1X2-sha, bëni baste dhe për targat, është çift apo tek…

Flamur Noka: Atë e ke trafikant ti dhe hiqe…

Edi Rama: Ky është hetimi, të cilit duhet t’i nënshtrohet i pari ish-kryeministri. Nëse ka një person që duhet të zbardhë lidhjet e tij me këtë çështje, ky është vetëm Sali Ramë Berisha. Është hera e fundit që ia përmend emrin e babës, se ndoshta e ke harruar.

Sali Berisha: Në këtë foltore vjen një person aksidentalisht në postin e kryeministrit, i akuzuar si përdorues droge. E them këtë se nuk kontrollon dot fjalorin e tij…

Edi Rama: Fol për CEZ-in, dhe fol për Dollapin tënd…

Sali Berisha: Kam kohën time tani… Unë e di që Carapuli është fitimtari qoftë i kullës falike të Korçës…

Edi Rama: Ta tregoj unë ty Carapulin…

Sali Berisha: Korrupsioni me tenderët është dytësor në krahasim me korrupsionin e CEZ-it. Zotëria foli pa asnjë dokument, pa asnjë fakt…

Edi Rama: Janë të shkruara nga avokatët që ke marrë ti… Ça gënjeva.

Sali Berisha: Unë nuk të ndërpreva kur fole ti.

Edi Rama: Ke të drejtë, më fal, nuk më ndërpreve. Ti nuk mban mend çfarë the para një minute…

Sali Berisha: Po ty të ka mësuar gjyshja të gënjesh se s’prish punë.

Edi Rama: Po ç’punë ke me gjyshen time. O njeri pa gjyshe…

Sali Berisha: Ti po gënjen sy më sy…

Edi Rama: Po të kishe pas gjyshe, do të ishe njeri normal. S’ka pas gjyshe për vete dhe merret me gjyshen time.

Sali Berisha: Kam pas gjyshe a s’kam pas, atë nuk e di ti. Ajo nuk qe në pallatin mbretëror, por qe me patllake gjyshja ime.

Edi Rama: Po, me patllake si Ballist Morina… Unë u mora me gjyshen tënde, apo ti me gjyshen time?!

Sali Berisha: Po rri ti se nuk e di historinë e gjyshes sime.

Edi Rama: Unë gjyshen tënde ta lë, ti gjyshen time ta ngacmosh…

Sali Berisha: Jo, jo, e kam shprehur këtu, kam respekt, është familje shumë e mirë.

Edi Rama: Në fakt, s’ke faj se vetëm gjyshet të kanë mbetur… Sali, ja ku e ke Jozefinën, lëre gjyshen time rehat. Ja ku e ke Jozefinën, e ke gati të rregulluar.

Sali Berisha: Ajo ishte një familje e mirë, ishte guvernante në pallatin mbretëror, unë kam vetëm respekt.

Edi Rama: Merru me Jozefinën, lëre gjyshen time.

Sali Berisha: Të vjen inat se ju thashë që jeni djemt e gjysheve…

Edi Rama: Po ç’ka me gjyshen time, pse ma ngacmon?

Sali Berisha: Çfarë i shtyn këta të veprojnë në këtë mënyrë? Kastrioti është lule, çfarë është Rama dhe ky ushtari i tij Gjiknuri. Ato që ka vjedhur dhe përvetësuar Kastrioti janë pakrahasimisht më të ulëta se ato që ka vjedhur Edi Rama me këtë.

Edi Rama: Do të shkosh të deponosh ti, mos ki merak. Do të bëhet hetim i plotë.

Sali Berisha: Ndërprerja e padisë nga Ina Rama nuk është padi. Me ndërmjetësimin tënd. Se ti e kontrolloje atë zonjë, atë zonjëzën. Në Vjenë çfarë deshët në vitin 2015, o mashtrues ordiner që s’keni pikë respekti për veten… Në qoftë se keni mbyllur aferën DIA-CEZ, me ndihmën e Rebekës, pse ikët në Vjenë?! Ky është 2 metra, por shkurtohet si gogël, bëhet gogol kur gënjen…

Damian Gjiknuri: Po flet si më ka thënë baba për luftën në Kuvajt.

Sali Berisha: Ti shko dorëzo atë kusurin tënd që e ke në kërkim për vepra penale. Atë gramshiotin tënd. Shko në polici. Shko dorëzo nipin në polici.

Taulant Balla: Kur do të mbarosh se na le këtu, do të ikim të shohim Kombëtaren.

Sali Berisha: Zoëtri, ndeshja është ndeshje, i uroj fitore. Por hajnitë janë hajni. Nuk mbulohen me ndeshjen.

Erion Braçe: Kujt po i uron fitoren se nuk e morëm vesh, Shqipërisë apo Serbisë?!

Taulant Balla: Se ti je me shkjaun, jo me Shqipërinë.

Edi Rama: Po kaq i paaftë është Luli, o Sali, sa të la në punë, dhe s’të la një orë të shijosh pensionin rehat.

Sali Berisha: Ty nuk do të të ndahet kjo aferë, në qoftë se ta mban ajo që e di vetë për të cilën e kam… Për hetim ndërkombëtar. Në ta mban ajo që di mirë ti, lëri llafet dhe retorikën, mos u nervozo, hajde të votojmë ligjin të hetohet nga alfa te beta.

Taulant Balla: Ti s’ke fare ashtu…

Edi Rama: Jo, atë e ka nga mosha ai…

(Sali Berisha largohet nga salla pas fjalimit, po ashtu dhe Jozefina Topalli)

Taulant Balla: Çojeni deri në shtëpi.

Edi Rama: Jozefinë, po ikën dhe ti? Ma shpëto gjyshen se e kam nga Shkodra, mos ma ngacmojë Saliu. Jepi akses Saliut, jepi akses se ngacmon gjyshen time pastaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura