Batutat që nuk u dëgjuan në Kuvend, Rama- Pollos: Ti je kuqo, nuk je biond

Dec 18, 2015 | 12:42
SHPËRNDAJE

Dekorimi i xhelatëve të diktaturës ka shkaktuar sërish debate në Parlamentin e Shqipërisë. Ish-kryeministri Sali Berisha ka propozuar dje që të miratohet një rezolutë e posaçme, në të cilën të dënohen kriminelët e komunizmit dhe t’u hiqen dekoratat xhelatëve të diktaturës.

rama pollo

Por Berisha është përplasur me Kryeministrin Edi Rama, i cili ka deklaruar se qeveria i ka tërhequr medaljet duke fajësuar ishkreun e PD-së se i ka dhënë status të veçantë dhe pension të posaçëm Nexhmije Hoxhës, Arianit Çelës dhe Shyqyri Çokut.

 DEBATI NË PARLAMENT

Sali Berisha: Të ngrihet një grup të hartojë një rezolutë ku të imponohet me vullnetin e hekurt të Parlamentit heqja e menjëhershme e dekoratave të atyre që kanë kryer krim ndaj njerëzimit.

Mimi Kodheli: Zotërinj të opozitës, jeni kujtuar vonë, kanë kaluar 25 vjet për të bërë këtë propozim që vjen si shkak i një ligji e VKM-je. Ne ndërkohë e kemi filluar punën nga ky qorrsokak ku na keni futur. Kemi nisur punën për tërheqjen e atyre medaljeve të dhëna padrejtësisht. S’mund të kemi mbi kurriz një faj, sepse s’jemi ne gjeneruesit.

Jozefina Topalli: Ndjesën ta kërkoni se ju i keni dhënë dekoratat.

Mimi Kodheli: Kemi kërkuar ndjesën përmes së cilës duhej ta kishit kërkuar ju vite më parë. Kur me vendimet e këtij komisioni të ngritur me VKM të vitit…

Sali Berisha: Fajin e ka Saliu, kjo është bërë kaq bajate…

Mimi Kodheli: Ju u keni dhënë një status të caktuar dhe pension të veçantë.

Jozefina Topalli: Oj zonjë, anulo dekoratat. Ligji ka kritere, s’ka emra. Dekoratat janë nominale.

Sali Berisha: Ligji e ndalon këtë që keni bërë. Ligji në ’94 e ndalon dekorimin.

Mimi Kodheli: Ju u keni dhënë status të veçantë.

Sali Berisha: Pse i keni dhënë dekoratat…? Të vijë Rama në sallë, të mos fshihet pas saj (Mimi Kodhelit). Të tregojë burrëri, të vijë këtu.

Mimi Kodheli: Kemi çuar në qeveri propozimin për ndryshimin e VKM-së dhe të ligjit ’94 me qëllim pastrimin e listave nga kjo kategori.

Sali Berisha: Hiqini dekoratat.

Jozefina Topalli: T’u hiqen dekoratat…

Sadri Abazi: Ulu nej, ulu… Mbaj qetësi.

Ilir Meta: Kjo çështje mund të diskutohet ditën e hënë, mund të hartoni një draft dhe ta diskutojmë herën tjetër. Nuk ka seancë vetëm seancën e sotme.

Sali Berisha: Këtu duhej të ishte ai që dekoroi xhelatët. Pasardhësi i Spiro Kolekës që çoi në varr qindra shqiptarë që u shkolluan në Perëndim. Të vijë këtu njeriu që sapo u bë kryeministër, që kremtoi 70-vjetorin e Çlirimit me portretin e Enver Hoxhës.

(Edi Rama vjen në sallën e Parlamentit)

Sali Berisha: Të vijë këtu…

Deputetët e PS-së në kor: Erdhi…

Sali Berisha: Erdhi? Të qëndrojë këtu, të mos ikë, të mos fshihet prapa Mimit. Të vijë këtu njeriu që çoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin e dytë që bëmë ne si shumicë.

Arben Çuko: Marrëveshjen e detit?

Sali Berisha: Ligjin për përjashtimin nga funksionet publike të xhelatëve.

Sadri Abazi: Të vrasjeve në bulevard? Të vrasjeve të 21 janarit?!

Sali Berisha: Ti flet shpesh nga vendi… Por ta dish që unë kam një vetëpërmbajtje… Por mund të të them ca gjëra ty…

Taulant Balla: E ke karakteristike ti…

Sali Berisha: Jo, por po ma bëri borxh kaq shumë, e di ai… i di historitë e pengjeve ti…

Sadri Abazi: Pengje?!

Sali Berisha: i di, i di mirë ti ato. Prandaj mbylle gojën, rri aty ti se ti vjen këtu për të mbrojtur krimet e tua… Pasuritë e krimit, po ne jemi këtu për të denoncuar krimin. Ne jemi digë kundër krimit… Ai (Rama) për revoltën popullore që përpiqet ta shpërndaje te ju, revolta është për të, urrejtja është për të. i dridhet zëri, i dridhet shpirti dhe i dridhen leqet e këmbës dhe ka tri ditë që ditë e natë nuk shqipton gjë tjetër veçse Sali, PD, Lul Basha etj… Ndaj, urdhëroni të miratojmë rezolutën, të bëjmë hapin e dytë, lustracionin. Nuk duan të vënë zjarre njerëzit, nuk ishte flakë zjarri ajo, por ishte flakë urrejtjeje ndaj teje, provokator, provokator!

Edi Rama: “Kuvendi kundërmon drogë. Thinjat tuaja, sot janë pudër droge. Turp! Turp për ju zotërinj!” – Sali Berisha, viti 2003. “Ti je autori kryesor i shtetit oktapod, i shtetit të trafiqeve, i parave të pista, i shtetit të trafikantëve amoralë, cinikë, shpirtkazmë, të ulët, të pamëshirshëm, primitivë, që nuk kanë asgjë njerëzore. Bashkë me ta merr përfitime të paligjshme, vjedh, merr peng, djeg njerëz të gjallë, ekzekuton pa gjyqe, mashtron, torturon, rreh, përdhunon. Njerëzit po e lënë Shqipërinë, po ikin, sepse ju jeni vetë krimi. Keni krijuar qeverinë me ministra që janë të lidhur me mijëra fije me krimin, me trafikun, me drogën, me prostitucioni.” – Sali Berisha, prapë.

Sali Berisha: Ndize ekranin ta shohin ata që janë jashtë ç’po thotë…

Edi Rama: Të gjitha këto janë refreni i një kënge që ka 25 vjet. Nuk ndryshon kënga, thjesht dhe vetëm ndryshojnë personazhet e këngës. Pastaj, pasi personazhi ndryshon, dilet në konferencë bashkë me personazhin dhe i thuhet “kjo ishte loja”. Nuk është faji im që “shqiptarët e marrin seriozisht politikën”, – Sali Berisha, prapë.

Eduard Ndocaj kalon para foltores

Sali Berisha: 500 mijë euro i more vetëm këtij burri ta fusje në listat e deputetëve.

Edi Rama: E njëjta lojë vazhdon prapë, thjesht kanë ndryshuar personazhet, kënga është po ajo. E njëjta lojë vazhdon edhe me Saimir Tahirin, edhe me Ilir Beqajn, edhe me Damian Gjiknurin e me këdo tjetër që mundohet të bëjë diferencën me ide, me projekte, me punë. Jeni shumë vonë, sepse ne e kemi marrë ndërkohë edhe vendimin, edhe gjithë punën e nevojshme, jo vetëm për t’i tërhequr të gjitha medaljet që u dhanë me dekretin e Sali Berishës, me vendimet e Sali Berishës, por edhe për të mos lejuar më që të tjerë pas nesh të bien pre e të njëjtit qorrsokak.

Flamur Noka: Jemi me shumë vonesë se e ke mbajtur të fshehur për një vit…

Edi Rama: Unë kërkova ndjesë për një faj që nuk e bëmë ne. Por unë besoj se i takonte, për shkak të detyrës, Kryeministrit ta kërkonte një ndjesë.

Jozefina Topalli: Kush e ka bërë dekorimin? Ti e ke bërë. Sa qesharak që je!

Edi Rama: Një ndjesë që duhet ta kishte kërkuar çdo vit, për 25 vite me radhë, fajtori i vërtetë, kryeakuzatori dhe kryefalsifikatori i këtyre 25 viteve, falsifikatori ndër më të mëdhenjtë e historisë së Shqipërisë. Sepse, torturuesin e Patër Zefit dhe Profesor Repishtit nuk e futëm ne në listë, por Sali Berisha, në vitin 1995.

Jozefina Topalli: Kush e dekoroi?

Edi Rama: Jo vetëm torturuesin e Padër Zefit dhe Profesor Repishtit, por edhe Aranit Çelën edhe Nexhmije Hoxhën, të cilët kanë gëzuar pension të veçantë me dekretin, me ligjin dhe vendimet e miratuara nga dora vetë, Sali Berisha. Kjo është e vërteta dhe është një e vërtetë shumë e hidhur…

Sali Berisha: Kur të shoh ty (Ramën), kur më citon ti mua duke t’u dridhur zëri, të them që nga njëra anë më bëhet zemra mal se ti tregon atë që je. Unë jam një ish-kryeministër, s’jam më as kryeministër, jam një deputet si të gjithë ju të tjerët këtu dhe vetëm ty të ka mbetur mendja se unë jam gjithçka, se unë jam kryeministër… Po ne këtu jemi dhe absolutisht do të qëndrojmë, vetëm ty të këshilloj, lexoje mirë flakën e bunkerit, nuk ishte flakë për çimenton dhe çelikun ajo. Lexoje mirë!

Edi Rama: Sa për revoltën popullore, ti që më bën thirrje mua të lexoj flakët e bunkerit, duhet të gjesh aftësinë të lexosh rezultatet e zgjedhjeve. Të lexosh rezultatet e 2013-s, të 2015-s dhe bëhu gati të lexosh edhe 2017-n…

Sali Berisha: Ky zotëri që shkoi pardje në Shkodër, me 730 policë dhe ushtarë të Gardës, dy batalione. S’ka ndodhur kurrë që nga koha e Enver Hoxhës të bllokohen rrugët e qytetit se kalon frikacaku nëpër to. 723 policë dhe gardistë në Shkodër. Shkodra u shpreh, për qytetarët e saj foli ajo zonja, për hir të së vërtetës, foli edhe ai militanti socialist që desh e sikterisi nga salla.

Edi Rama: Por për Viton nuk flet ti, sepse Vitos nuk i është tharë akoma fustani nga lotët e tu, kur vdiq Hysniu. i mbaje kokën në prehër dhe i thoshe “ç’na gjeti, shoqja Vito, na vdiq babushi i madh i Partisë”. Vito nuk dinte çfarë të bënte, të qante për burrin, apo të pushonte lotët e tu. Kështu që, tek rasti i Vitos, ti nuk flet dhe ia nxjerr inatin nipit të Vitos, Andit. Edhe me Andin e ke personale, se i thoshe “të të më- sojë xhaxhi si të hipësh në pemë?”. Andi donte të luante futboll, por ti dhe futbolli s’kishit lidhje, sepse ty topi të dukej si gur.

Sali Berisha: Ju bëj thirrje, asnjë qindarkë mos shpenzoni për legalizimin e shtëpisë. Të gjitha do t’i legalizojë PD-ja me 1 euro… Të vazhdojmë protestën. Edi Ramës nuk i ka hyrë lepuri në bark. i ka hyrë Saliu në bark. Është i pashpresë, po vdes nga frika.

Taulant Balla: Lepuri qenka bërë Saliu tani…

Edi Rama: E morën vesh të gjithë kush është Nastradini. Ma lehtësove punën.

Genc Pollo: U fol për një person, i cili ka hetuar, marrë në pyetje, torturuar disa figura të shquara në vitet ‘40-’50. Dy prej tyre janë të spikatur, njëri është ndarë nga jeta, At Zef Pllumi. Ironikisht, zoti Edi Rama e ka mbajtur veten për mik dhe të afërt të tij.

Edi Rama: Unë nuk e mbaj veten o kuq, po kam qenë, o kuq.

Sherefedin Shehu: Është turp që po e ofendon…

Edi Rama: Pse është turp, a nuk është kuq?! Brun nuk është…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura