BATUTAT PA MIKROFON/ Berisha-Ramës: Cito gjyshen. Kryeministri: Fol për rakinë e rrushit, fol…

Jul 22, 2015 | 15:29
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Projektligji për Arsimin e Lartë solli debate të forta dhe shkëmbime akuzash mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Pas deklaratave të Kryeministrit se projektligji pritet të bëjë një revolucion në universitete, reagoi edhe ish-kryeministri duke thënë se Rama “nuk kupton asgjë nga arsim i lartë’.

"Deputeti

Berisha i kujtoi Ramës gjyshen e tij duke thënë se nuk mori prej saj ndershmërinë, ndërsa shtoi se dal dhe gënjen hapur në foltoren e Kuvendit. “Gjyshen e ke pas fisnike, i përkiste një familje të fisme. Ka shërbyer në Pallatin Mbretëror. Nuk besoj kurrë t’i ketë thënë që gënje sa të duash”,-tha Berisha.

Duke u ndalur tek profesioni i Kryeministrit Rama, ish-kryeministri po përdor pushtetin për të pikturuar. “Mburresh me shkarravinat tablo që s’ti blen njeri”,-u shpreh Berisha. Duke u ndalur tek ndryshimet në godinën qeveritare, ish-kryeministri i tha Ramës se ka mashtruar edhe gazetarin e “Financial Times”, për të cilin bëri një reportazh pak ditë më parë. “Po si bëhet kurrë ajo, ti vesh neon e ta shesësh si art. Kujt i thua ti, ti vetëm kulturë nuk njeh. Ke mashtruar një gazetar të ‘Financial Times’. I thotë që është një zymtësi e komunizmit dhe unë po e pastroj. Po gazetar që u shtet shqiptarëve ndërtesën e kryeministrisë për trashëgimin komuniste, ai është fatkeq, viktimë e një mashtruesi të specializuar”,-deklaroi Berisha.

Më herët, kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij të mbajtur në Kuvend për Ligjin e Arsimit të Lartë akuzoi opozitën se gjatë qeverisjes së tyre tetëvjeçarë nuk akredituan asnjë universitet publik, por në vend të kësaj, u akredituan plot 44 universitete private, që sipas tij ishin të ngjashme me firmat piramidale.

Rama në Parlament
Rama në Parlament

Kështu, kreu i qeverisë theksoi se ky mekanizëm ishte për të blerë vota dhe se bursat, programet e studimit, doktoraturat kanë qenë “skandaloze”.

“Në shtator të vitit 2013 kishte 59 IAL-e publike dhe 44 private. Tetë herë më shumë se Britania e Madhe. U hap sistemi i studimit me kohë të pjesshme që diplomonte studentë uikendi”, tha Rama.

“Në tetë vjet nuk akredituat asnjë universitet publik, por 44 privatë”, shtoi më tej Rama. Ai ironizoi më tej me doktoraturat dhe bursat e dhëna gjatë qeverisjes së djathtë.

“Dhuro raki rrushi dhe merr një bursë. A e kuptoni se çfarë distilerish keni krijuar. Dhuro 20 sedilje furgoni dhe sisteme të brendshme furgoni dhe përfiton dy bursa dyvjeçare. Ky është Arsimi juaj i Lartë. Keni nxjerrë në rrugë të protestojnë pjesëtarë të Organizatës së Partisë së Punës së Universitetit të 89-ës që jo rastësisht mblidhet në SHQUP”, tha Rama.

Kreu i qeverisë më tej përmendi edhe disa tema doktoraturash të mbrojtura gjatë dy mandateve qeverisësë të së djathtës.

Dëgjova një nga ju që tha se u shkatërrua shkenca. Keni arritur të bëni doktoraturë për shpërndarjen e mjekëve në Prizren.  Ndërkohë që sot, procesi i doktoraturës, e dini ju si rezulton, që ka një grusht të hekurt të Organizatës së Partisë së vjetër dhe një të asaj të re, që ndërkohë që ligji juaj thotë jo më shumë se 5 studentë në udhëheqje të një profesori, e kanë çuar 15 dhe njëri dekan ka 40 studente doktorantë. Ç’janë këta superprofesorë?

Ka tema doktoraturash në Albanologji si:  “Historia e Funksionit të Noterit”, “Aktrimi në Filmin Kosovar”, “Historia e Kosovës në Botën Arabe”, “Menaxhimi Stomatologjik në Rrethin e Tiranës”. Keni arrit kulmin me gjinekologji me temën: “Si të bëhesh mami”. Ky është sistemi juaj, a e kuptoni?”, vijoi Rama.

Më tej kryeministri krahasoi universitetet private me piramidat e viteve 90-të. Ai tha se IAL-et private kanë qenë të ngjashme me piramidat, pasi në të dyja rastet janë vjedhur paratë e shqiptarëve.

DEBATI 
Edi Rama: Duke dëgjuar gjithë këto debate, m’u kujtua një shprehje: “Të jesh budalla, të jesh i vetëkënaqur dhe  te kesh shëndet të mirë janë tri kërkesat bazë që të jesh i lumtur”.

Sali Berisha: Do të preferoja që të citoje gjyshen, që s’besoj te ketë thënë se ka qenë grua fisnike, e cila sipas teje ka thënë që “burri gënjen”. Ju garantoj që s’e ka thënë, 
ka shërbyer në Pallatin Mbretëror pra…

(Rama largohet nga salla)

Iku! Mirë bëri që iku, po s’rri dot ai, s’e mbajnë nervat. E lëshojnë nervat. Para tri ditësh Gjergji, ai i statistikës, u tha shqiptarëve…

(Rama rikthehet në sallë)

Edi Rama: Kush është ky, Gjergj Fishta? 
Sali Berisha: Ai ka inteligjencë o zotëri, sa ai të kesh ti. Po lëre Gjergj Fishtën… S’ke punën me Fishtën, as për personazh nuk hyn dot te Fishta ti, jo më për të tjerat.

Edi Rama: Po fol për arsimin, fol…

Sali Berisha: Ta kam thënë me qindra herë, zotëri, që po e çon vendin drejt rrokullisjes ekonomike të këtij vendi.

Edi Rama: Fol pak për “Shevroletin” e përdorur…

Sali Berisha: Lëri ato ti, ato janë kontrolli punëtor. Kontrolli punëtor kishte alergjitë e veta…

(Jozefina Topalli në këmbë flet me Pandeli Majkon dhe përkulet drejt tavolinës së tij).

Edi Rama: Shih me sy e plas me zemër, o Pandi…(Qesh)

Sali Berisha: Ju krenaristë, me që flisni për ekonominë, a e dini sa kanë rënë eksportet, të naftës, të kromit?

Edi Rama: Fol për rakinë e rrushit, fol…

Sali Berisha: Ti s’ke faj se s’i kupton këto, s’i merr vesh… Çfarë po ndodh në këtë vend?! S’ka asnjë investim në Shqipëri, përveç atyre që lamë ne, edhe ata po ikin. Sot kisha në zyrë përfaqësuesit e HEC-it të Devollit.

Edi Rama: Po Kalivaçi? Kalivaçi…

Sali Berisha: Sa ka investuar thoni ju, 350 milionë euro. Dy mijë punëtorë janë punësuar në HEC-in e Devollit.

Erjon Braçe: Po te betoni e ke mendjen…

Sali Berisha: Është kollaj të rrahësh gjoksin me punët e të tjerëve, por duhet të mburresh me punët e tua. Ti mburresh me ato zhgarravinat në tablo që s’t’i blen njeri. (Rama qesh). Më fal, përdor pushtetin për t’u bërë piktor. Do të hapësh ekspozitë, hape, ky mendjen te bojërat e ka, s’e ka te puna…

Edi Rama: Fol për arsimin, fol…

Sali Berisha: Dëgjova një ministre që tha se nuk e prek fasadën ajo mballoma klasike. Po nuk është shtëpi e jotja ajo. Po s’i bëhet kurrë ajo veshja me neone. Shko çoji në ndonjë banjë publike, as aty s’t’i pranojnë. Apo gënjen ndonjë gazetar se ndërtesa e Geraldo Bozios qenka vepër e komunizmit? Po ti ke mashtruar botën, si mos të mashtrosh një gazetar të “Financial Times”.

Erjon Braçe: Dhe si e besojnë një herë, si?!

Sali Berisha: Ajo është një nga ndërtesat qeveritare më të mira që mund të bëhet. Dinjitoze për çdo Kryeministër që është futur aty dhe ka shprehë vlerësimet. Dhe ky, për të justifikuar ballomën që i vë në hyrje, i thotë është zymtësi e komunizmit dhe unë po e rinovoj. Ti mashtron botën, jo më mos të mashtrosh një gazetar.

Edi Rama: Letër higjienike janë gazetarët për ty…

Sali Berisha: Ai gazetari është viktimë i një mashtruesi të specializuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura