BATUTAT NË KUVEND/ Balla, Topallit: Ty ta ka hequr Luli tortën, ta hëngri Grida

Feb 27, 2015 | 19:53
SHPËRNDAJE

Ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nuk i ka shpëtuar batutave dhe ngacmimeve të deputetëve të majtë as gjatë seancës së djeshme parlamentare.

Topalli-Balla

Gjatë debatit për gjendjen e sigurisë në vend, Topalli kërkoi që kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta të ishin të pranishëm në sallë dhe të mos urdhëronin vetëm një deputet (Taulant Balla) për të bërë sharësin e opozitës.

“I vetmi që shan dhe shpif është një deputet dhe tjetër nuk ka. Kërkoj që kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri të vijnë këtu, sepse punë tjetër nuk kanë. Sa për ndarjen e tortave për zgjedhjet lokale, të gjejnë një kohë tjetër për ta bërë”, tha Topalli.

Por deputeti socialist e ka thumbur nga vendi ku ishte ulur ish numrin dy në PD, duke i thënë se tashmë vendin e saj në selinë blu e ka zënë Grida Duma.  

REPLIKAT NË KUVEND

Jozefina Topalli: Në çdo seancë plenare e nis kryetari i Parlamentit, rri gjysmë ore, pastaj zhduket dhe vjen pastaj në fund të seancës kur gjërat janë kry. Më parë, seancat plenare zhvilloheshin dy herë në jave dhe Kryeministri ishte gjithmonë aty, këtu s’kena Kryeministër. I vetmi që shan dhe shpif është një deputet dhe tjetër nuk ka. Kërkoj që kryetari i Parlamentit dhe Kryeministri të vijnë këtu, sepse punë tjetër nuk kanë. Sa për ndarjen e tortave për zgjedhjet lokale, të gjejnë një kohë tjetër për ta bërë.

Taulant Balla
: Ty të ka lënë Luli pa tortë… Ty ta hoqi Luli tortën, ta hëngri Grida…

Koço Kokëdhima: Koha ime është e çmuar dhe ajo, tani që unë jam deputet, është e destinuar vetëm për punët e popullit. Dje u informova për shpifjen e radhës të Saliut dhe të tijve. Unë jam pasuruar nën qeverinë e Saliut dhe të Fatosit, duke qenë përherë kundërshtari i tyre. Më luftuan me gjithçka mundën, si biznesmen, sepse të dy ishin xhelozë dhe e urrenin sipërmarrjen e këtij vendi, siç urrenin mirëqenien e popullit tonë.

Sali Berisha:
Më duhet t’i them byrazerit të Agron Canes, pedofilit famoz që shiste vende pune me seks ndaj fëmijëve, bashkëpunëtorit dhe vëllaut shpirtëror të sivllaut të Edi Ramës, Koço Kokëdhima, i cili i paska kursyer kohë Parlamentit, se ja ç’më shkruan një punonjës i yti mbrëmë. Më thotë sa vijon: “Jam punonjës i zotit Kokëdhima prej 10 vitesh. Dua t’ju vë në dijeni se aksionet e ‘Abissnetit’ ia ka transferuar kryefinancierit të kompanive të veta prej më shumë se  15 vitesh, Ylli Alimema. Ai ka dhe vajzën Jola në punë në gazetën online të sportit. Pra, merre me mend se çfarë është sot ‘Abissnet’”…

Koço Kokëdhima
: Ti erdhe në politikë i varfër zotëri dhe i thirre edhe të tutë nga emigracioni, po të varfër, për t’u pasuruar me ndihmën e pushtetit dhe me pasuritë e popullit shqiptar. Unë erdha në politikë i pasur dhe nuk erdha për të bërë pasuri për vete, por për popullin, për qytetarët dhe për sipërmarrësit e Shqipërisë. Unë nuk kam frikë zotëri, nga asgjë e nga askush. Ti ke frikë, prandaj je këtu, ke frikë për të gjitha ato që bërë në pushtet. Unë dua t’ju them se që nga dita që unë jam shpallur deputet nga KQZ dhe deri kur kjo kompani është shitur nga unë, kjo kompani nuk ka bërë asnjë kontratë as me institucionet shtetërore dhe as me  njësitë e pushtetit vendor.

Sali Berisha: Po të njëjtën gjë mund të thuhet për Endri Pukën, ish-drejtori i tij, të cilin e bëri drejtor të Albpetrolit, që sot i sjell nga të katër anët miqtë e Koços dhe i punëson në Albpetrol. Pra, këshilla ime e fundit është të këshillohesh me Beqen. Kaq kam me ty unë, se ti nuk je më deputet, ti je njeri që ke përvetësuar fonde publike në thyerje flagrante të Kushtetutës.

Koço Kokëdhima:
Nuk kam asnjë detyrim ligjor të pyes Saliun se kujt do t’ia shesë pasuritë e mia. Do t’ia shesë kujtdo personi, brenda vullnetit tim dhe brenda ligjit. Sali, të them që ti ke dështuar dhe këtë e di gjithë dynjaja. Unë nuk të them ty, për të gjitha këto dështime e sjellje, se je një plak i paaftë, se paaftësia mund konsiderohet si e metë fizike, dhe nuk është në etikën time të vë në dukje një të metë fizike të një personi. Por, për të gjithë sjelljet që ke bërë në këtë Parlament dhe në jetë ndaj meje, ndaj njerëzve të mi dhe kryesisht ndaj popullit tonë, një vlerësim e ke hak të ta them: Sali nuk je plak i lartë!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura