Batutat e Takajt që shtensionuan situatën pas humbjes në Zagreb

Aug 27, 2015 | 10:37
SHPËRNDAJE

Përfundon pa mrekulli udhëtimi i bardhekuqve në Zagreb. Korçarët janë eliminuar në “play off” të Champions Ligës, duke kaluar kështu në grupet e Europa Ligës. Një arritje më vete kjo e Skënderbeut në një kompeticion europian, duke bërë që ëndrra të realizohet.

Ardian Takaj
Ardian Takaj

Pavarësisht kësaj, eliminimi nga Champions-i duket se ka mërzitur më shumë nga të gjithë presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili duket se ishte mësuar me këtë kompeticion. Megjithatë, pas një bisede në lidhje me eliminimin mes miqsh dhe gazetarësh, ai ka filluar nga batutat e tij: “Të paktën po mërzitemi për eliminimin nga Champions-i dhe pjesëmarrjen në Europa Ligë.

Askush më parë nuk e ka bërë këtë. Ne jemi në Europa Ligë dhe mërzitemi sërish, kushdo do të ishte kënaqur. Por kjo ndoshta do të thotë se kemi shumë ambicie”, deklaroi fillimisht Takaj. Më tej, presidenti i korçarëve e ka vijuar disi më i qetë udhëtimin e kthimit për në Shqipëri, natyrisht duke shkëmbyer batuta dhe të qeshura me miqtë e tij më të afërt që e shoqëronin në këtë udhëtim. Por sërish, pavarësisht kësaj, kuptohej në pamjen e tij një farë mërzie rreth eliminimit nga Champions Liga.

Ekipi dhe personat që e shoqëronin në këtë udhëtim u larguan me të shpejtë nga stadiumi, për vetë faktin se aeroporti i Zagrebit ishte i mbyllur si pasojë e disa punimeve në sistem atë ditë dhe ishte bërë një përjashtim vetëm për Skënderbeun. Kjo solli që gjithçka të organizohej për nisje në një kohë rekord. Menjëherë pas konferencës për shtyp të trajnerit Josa, në dalje të stadiumit nuk munguan as tifozët kroatë të Skënderbeut.

Një grup i madh personash, miq dhe familjarë të Radasit e përshëndetën ngrohtësisht presidentin Takaj dhe trajnerin Josa, duke u uruar fluturim të mbarë dhe fat në kompeticionet e tjera ku ekipi do të marrë pjesë. Natyrisht, me t’u grumbulluar të gjithë pjesëtarët e këtij udhëtimi, nisi rruga drejt aeroportit të Zagrebit. Sigurisht që edhe këtu nuk kanë munguar të qeshurat me protagonist sërish “hajmalinë” bardhekuqe, Tan Mezen.

Dikush ka dashur të bëjë shaka me të, duke i thënë se Dinamo rrezikonte pezullim ngaqë kishte aktivizuar një lojtar të pezulluar dhe, aty për aty, “fatsjellësi” i Skënderbeut hidhet përpjetë. “Do Zoti! Çfarë nuk ndodh sot… Por po të jetë kështu, t’i skualifikojnë”. Mirëpo ishte vetëm diçka e momentit, pasi shumë shpejt “rrengu” u zbulua dhe gjithçka mori një pamje krejt tjetër, më normale dhe më të qetë.

Protagonistët kryesorë të këtij Skënderbeu, si dhe stafi teknik gjatë gjithë udhëtimit ishin të qetë, ndoshta ende me mendjen te takimi, duke menduar realisht se mundësitë e kualifikimit përballë kësaj Dinamoje ishin vërtet të pakta. Fluturimi kaloi ashtu i heshtur dhe, brenda diçka më pak se një ore, ekipi arriti në Rinas, atje ku të gjithë po u drejtoheshin destinacioneve të tyre. Dikush me makina private e dikush me autobusin e skuadrës.

Normalisht, gjatë rrugës drejt terminalit të Rinasit, situata ishte disi më e qetë dhe gjithkush e kishte harruar shpejt atë takim. Në veçanti, trajneri Mirel Josa. Numri një i pankinës së Skënderbeut, prej ditës së djeshme, filloi të mendojë për takimin në kampionat kundër Kukësit që do të luhet të shtunën në Korçë.

Sigurisht, diçka e tillë pritej nga trajneri, që gjithmonë është treguar mjaft “koherent”, duke mos u ndalur te gjërat e tjera, por vetëm te takimi që ka përpara. Pikërisht një gjë të tillë numri një i pankinës korçare e shprehu hapur duke deklaruar se: “Tani pres që ekipi të kthehet sa më parë në realitetin e futbollit shqiptar dhe të mendojë pa humbur kohë për ndeshjen me Kukësin”.

Pas mbërritjes në “Tropikal Resort”, ku një pjesë e lojtarëve qëndruan për të marrë makinat personale, i përshëndetur edhe nga bashkëshortja e presidentit, autobusi mori i qetë rrugën drejt Korçës.

Dikush preferon të qëndrojë në fillim të autobusit, dikush në fund si Nimaga apo Peter Olainka, që për gjatë gjithë udhëtimit fjetën në sediljet e mjetit që transportonte kampionët drejt Korçës, atje ku nga dje kanë nisur përgatitjet për ndeshjen me Kukësin.

Nga i dërguari në Zagreb, LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura