PAJTIM MELANI*
Zhvillimi ekonomik i një vendi varet shumë nga infrastruktura e tregjeve bankare dhe financiare e nuk mund të ketë vend të zhvilluar pa treg financiar e nuk ka treg financiar të zhvilluar pa bursë. Bursat e para datojnë rreth vitit 1400 në Venedik të Italisë ku bëhej tregtimi i borxheve publike dhe hartohej një listë e blerësve të borxhit dhe kalendari i shlyerjeve. Në vazhdim, gjenovezët dhe milanezët i dhanë një shtytje të madhe panaireve të këmbimit. Ndërkohë, që në vitin 1531, në Anverse (Belgjikë), lindi e para bursë e madhe e letrave me vlerë. Por, duhej pritur viti 1785 që bursa e Amsterdamit (Holandë), të ishte e organizuar zyrtarisht. Sot, kemi mbërritur në një numër shumë të madh bursash, ku ndër më të rëndësishmet mund të përmendim bursat si ajo e New Jork-ut (NYSE), atë të Tokios (TSE), Bursën e Londrës (LSE) etj.. Ne në Shqipëri kemi ALSE(Albanian Secutiry Exchange ose Bursa Shqiptare e Titujve). Rreth 1 vit më parë kur diskutonim në bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare konkludimin e një procesi të gjatë për licencimin e bursës së parë private shqiptare, dilemat dhe skeptikët nuk mungonin. Në Shqipëri formalisht ishte licencuar Bursa e Tiranës, por për shumë arsye nuk kishte funksionuar ndër vite dhe ishte pezulluar nga viti 2014.
Atëkohë, në një intervistë te “Zëri Amerikës”, pyetesha se pse ishim të sigurt që mund të funksiononte si private, kur s’kishte funksionuar asnjë ditë si bursë me kapital shtetëror? Sqarova se nuk jam dakord për ndarjen absolute që sipërmarrjet private ecin gjithmonë më mirë se ato publike, por në këtë rast, unë besoj që fakti e tregon. Atëherë, AMF si rregullator, pavarësisht kohës relativisht të gjatë që ka mbajtur nën monitorim dhe shqyrtim kërkesën për licencë, vjen një moment që, në fund të fundit, të themi që edhe Shqipëria ka nevojë për një treg kapitalesh dhe bursa është një nismë, e cila do ofron një instrument ku investitorët në kohë reale, në mënyrë transparente, do të duhet të shkëmbejnë letrat me vlerë mes tyre.
Me vendimin Nr. 88, datë 03.07.2017, Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare vendosi për miratimin e dhënies së licencës për ushtrimin e veprimtarisë si bursë e titujve shoqërisë “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a.. Vitin e parë, Bursa u licencua vetëm me letrat me vlerë për të bërë edhe një lloj testi të tregut dhe në këtë mënyrë, ne menduam se pas rreth 1 viti të ecim drejt licencimit për listimin e aksioneve të shoqërive shqiptare, që tashmë besoj se kanë kaluar fazat e para të tranzicionit.
Si Autoritet i Mbikëqyrjes Financiare, ne mendojmë se kemi marrë të gjithë masat e duhura që, nga njëra anë, të rrisim kapacitetet mbikëqyrëse të kësaj Burse në kohë reale, nga ana tjetër, ne po asistohemi nga projekte shumë të rëndësishme të financuara nga qeveria zvicerane apo nga Banka Botërore për rritjen e kapaciteteve të Autoritetit për mbikëqyrjen e tregut të kapitaleve, që është projekti për fondet e investimit.
Para një viti, mendoja se kishim instrumentet, burimet njerëzore, por kemi edhe kërkesën e tregut për ta zhvilluar këtë produkt. Sigurisht që një lloj kujdesi nga ana jonë, me mirëkuptimin edhe të aplikantëve për licencë, për ta pasur këtë Bursë si një test me letrat me vlerë të qeverisë, që sigurisht kanë një risk më të moderuar, për të kaluar pastaj tek aksionet dhe tek obligacionet e shoqërive private.
Koha na dha të drejtë dhe që nga data 22 shkurt 2018 Bursa Shqiptare e Titujve është aktive. Të dhënat më të fundit tregojnë se në pak më shumë se tre muaj vlera e tregtimit është 1 miliardë e 256 milionë lekë ose rreth 10 milionë euro, ndërkohë që numri total i transaksioneve të kryera nga 22 Shkurt 2018 është 46 dhe numri total i titujve të tregtuar është 72,038.
Bursa arriti të bindë edhe më skeptikët se nëse vendosen rregulla të qarta, një kuadër rregullator transparent dhe një mbikëqyrje efeciente, tregu i kapitalit do të ketë zhvillime të qëndrueshme dhe progresive.
Komisioni Europian në raportin e fundit të progresit e ka vlerësuar me nota pozitive AMF-në kur shprehet se “…progres është bërë në drejtim të infrastrukturës së tregjeve financiare me licencimin e bursës së parë private shqiptare, që filloi punën në shkurt të vitit 2018. Ndërsa bursa me kapital shtetëror, ndërkohë vijon të jetë e mbyllur”.
Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në përfundim të Monitorimit të Parë të kryer pas Përfundimit të Programit me Shqipërinë, ka vlerësuar pozitivisht punën e bërë nga AMF dhe thekson se “Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë një progres rrënjësor lidhur me përmirësimin dhe adoptimin e kuadrit të ri rregullator në lidhje me mbikëqyrjen e tregut të kapitaleve dhe fondeve, duke përmendur hartimin e rregulloreve të reja mbi administrimin e likuiditetit të fondeve të investimeve, transaksionet me palët e lidhura, etj..
Autoriteti është i angazhuar për plotësimin e gjithë rekomandimeve të lëna nga Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me krijimin e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe rregullator për instrumentet e reja, për bursën e sapolicencuar, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.
* Kryetari i Bordit të AMF
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al