Bastet e “Nobelit”, Kadare pretendent kryesor

Oct 2, 2015 | 12:45
SHPËRNDAJE

Ismail Kadare, në krye të listës për çmimin “Nobel” 2015, në qendrat e basteve. Prej shumë vitesh tashmë, tetori është muaji i çmimeve “Nobel” për letërsinë. Ky çmim pritet t’i shkojë autorit që ka arritur të shquhet në letërsinë botërore përmes veprave të tij.

Shkrimtari Ismail Kadare
Shkrimtari Ismail Kadare

Që prej vitit 1901, Akademia Suedeze bën publik emrin në një konferencë publike, por, si çdo vit, në javët pararendëse, faqet e basteve hedhin hipotezat e tyre. Tashmë bastet janë hedhur dhe ka dalë edhe lista e favoritëve.

Pak a shumë janë sërish të njëjtët emra që lakohen, por, siç ndodh zakonisht, çmimin e fiton ndonjë autor që nuk është fare mes të diskutuarve, madje ndonjë fare i panjohur. Akademia Suedeze ka dhënë shembuj se është e paparashikueshme në këtë drejtim.

Sipas “Sports.ladbrokes.com”, shkrimtarët për të cilët po vihen më shumë para janë Svetlana Aleksijevitj (me koeficientin 5/1), sërish Haruki Murakami (6/1), Ngugi Wa Thiong’o (7/1), “i përjetshmi” kandidat, Philip Roth (8/1), e sërish Joyce Carol Oates (12/1), e po ashtu Adonis (16/1), Ismail Kadare (16/1), Peter Handke (20/1).

Edhe pse pak më larg, por gjithnjë në listë janë edhe John Banville (33/1), Bob Dylan (33/1) e Umberto Eco (50/1). U bënë vite tashmë që emri i shkrimtarit shqiptar është ndër më të lakuarit si fitues i mundshëm i çmimit “Nobel”.

Vetë shkrimtari është shprehur se nuk e shqetëson shumë fakti nëse e fiton ose jo atë. E megjithatë, edhe të qenët në atë listë për kaq shumë vite është si ta kishte fituar atë. Një vit më parë, fitorja i shkoi shkrimtarit Patrick Modiano. Ndërsa për këtë vit pritet që emri i fituesit të zbardhet mes datave 5-12 tetor. Data e saktë nuk është përcaktuar ende.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura