‘Bashkimi më Kosovën’, ambasadori rus: Rama të shmangë deklartatat provokuese, të zgjidhë problemet brenda vendit

May 5, 2015 | 12:40
SHPËRNDAJE

Ambasadori i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Alexander Karpushin, i quan shqetësuese deklaratat e kryeministrit Rama për bashkimin me Kosovën, duke thënë se cdo aludim për ndryshim kufijsh duhet të ngjallë shqetësim.

Ambasadori i Rusise

“Sigurisht që unë i ndjek me vëmendje deklaratat e zotit Rama mbi çështjet kyçe të politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Nuk mund të mos vësh re se muajt e fundit deklaratat kritike të kryeministrit shqiptar ndaj Brukselit bëhen gjithnjë e më të forta. Kulmi i kësaj retorike ishte deklarata e lartpërmendur që Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen “në mënyrën klasike”, nëse BE-ja nuk do të përshpejtojë proceset e integrimit evropian në rajon”- ka thënë ai në një intervistë për “Gazeta shqiptare”.

Ai thekson se është dakord me liderët shqiptarë se sot vendet e Ballkanit duhet të përfitojnë në mënyrë sa më efektive nga paqja në rajon, duke shtuar se asnjë nuk do përsëritjen e ngjarjeve tragjike pas shpërbërjes së  Jugosllavisë.

“Prandaj, jam i sigurt se zoti Rama u shpreh jo tamam ashtu siç donte, aq më tepër se zyrtarët në Tiranë, duke përfshirë zëvendësministren e Jashtme, znj. Barbullushi dhe vetë ministrin Bushati, pohuan se fjalët e kreut të qeverisë ishin keqinterpretuar dhe se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është i mundur vetëm brenda familjes së përbashkët evropiane. Moska është e interesuar për ruajtjen e stabilitetit dhe klimës së fqinjësisë së mirë në Ballkan. Dhe jam plotësisht dakord me komentet zyrtare edhe të Brukselit, edhe të MPJ-së së Rusisë që duhet të shmangësh deklarata provokuese dhe të përqendrohesh te zgjidhja e problemeve konkrete brenda vendit”- thotë ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura