Bashkimi i ujësjellësve, 11 bashki mbeten ende jashtë reformës

Mar 3, 2023 | 17:34
SHPËRNDAJE

Bashkimi i ndërmarrjeve të ujësjellësve dhe kanalizimeve në vend për të krijuar shoqëri më të mëdha dhe ekonomikisht më të qëndrueshme është një reformë që ka nisur gjatë vitit të shkuar dhe duket se shumica e bashkive e kanë hedhur këtë hap.

Ujesjellsi

Të dhënat e Entit Rregullator të Ujit tregojnë se janë krijuar deri më tani 12 shoqëri.

“Deri në fund të vitit 2022 janë arritur marrëveshjet e transferimit të aktivitetit të shërbimeve UK ndërmjet 50 bashkive dhe si rrjedhojë janë krijuar 12 shoqëri UK Rajonale nga 15 të parashikuara sipas reformës. Shoqëritë e reja Rajonale të krijuara janë UK Korçë, UK Pogradec, UK Durrës, UK Lezhë, UK Dibër, UK Kukës, UK Berat, UK Elbasan, UK Gjirokastër, UK Fier, UK Lushnje dhe UK Sarandë” thuhet në raportin vjetor të ERRU.

I njëjti sjell në vëmendje se janë ende disa shoqëri që mbeten akoma të pakrijuara dhe procesi i tyre po merr kohë më të gjatë për shkak të pikëpamjeve të ndryshme që kanë hallkat e përfshira në këtë proces.

E pakrijuar mbetet në fakt shoqëria më e madhe në vend që është ajo që do të përfshijë Tiranën, Kamzën dhe Vorën.

“Mbeten akoma 11 bashki të cilat sipas parashikimeve të reformës në sektor përbëjnë 3 shoqëri UK Rajonale përkatësisht UK Shkodër me bashkitë (Shkodër, Vau Dejës, Malësi e Madhe, Fushë Arrëz, Pukë) UK Tiranë me bashkitë (Tiranë, Kamëz, Vorë) dhe UK Vlorë me bashkitë (Vlorë, Selenicë, Himarë).

Nga ana e këshillave bashkiake janë marrë vendimet përkatëse për autorizimin e kryetarëve të bashkive për nënshkrim e marrëveshjeve me MIE/AKUM dhe për të vijuar më tej me marrëveshjen e transferimit të aktivitetit, por si rezultat i pikëpamjeve të ndryshme nga ana e drejtuesve të pushteteve vendore në aspektin manaxherial të shoqërive UK, palët janë akoma në diskutim të marrëveshjes përfundimtare” thuhet në dokument.

Vetëm një ditë më parë Bashkia e Tiranës rihapi procedurën për studimin e fizibilitetit i cili do të analizojë riorganizimin e shoqërive.

Në faqen e APP u publikua procedura me objekt “Studim fizibiliteti për analizën ligjore financiare dhe teknike të riorganizimit të shoqërive aksionare aktuale të Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, Kamzës dhe Vorës” me fond limit 9.8 milionë lekë.

Pikërisht ky studim duket se do të nxjerrë në pah edhe treguesit e leverdishmërisë për bashkimin e tre shoqërive në një të vetme. /Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura