Bashkimi Evropian kritika Bullgarisë: Nuk mund të vazhdojmë kështu. Po bllokoni gjithçka

Jun 24, 2022 | 7:53
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Liderët e Bashkimit Evropian shprehën dje keqardhje që as në samitin e djeshëm nuk mundën të vendosnin për hapjen e negociatave me tri vendet e Ballkanit Perëndimor.

lideret e be

Fillimi i negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është bllokuar nga vetoja e Sofjes për shkak të një mosmarrëveshjeje identiteti me Shkupin. Por BE paralajmëroi Bullgarinë se nuk mund të vazhdojë bashkëpunimin me një vend që bllokon gjithçka.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke hyrë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, deklaroi dje se ky është një moment i rëndësishëm për të ringjallur procesin e zgjerimit në rajon dhe për të dërguar një sinjal të qartë. “Ka diskutime të vazhdueshme me Bullgarinë dhe ne po e ndjekim situatën nga afër”, shtoi Michel, duke nënvizuar angazhimin e BE-së për të kapërcyer ngërçin e krijuar nga vetoja e Sofjes për Shkupin.

Michel konfirmoi se prioriteti kryesor i BE-së tani për tani është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe vazhdimi i kontakteve intensive me Bullgarinë, për të dhënë dritën jeshile për fillimin e procesit. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se samiti është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të rajonit në familjen evropiane.

“Këto vende kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të mundësojmë që kjo (anëtarësimi në BE) të ndodhë”, theksoi Kancelari gjerman. Lidhur me këtë çështje reagoi dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. “Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi në Ballkan, duhet të nisim negociatat me Shqipërinë dhe MV dhe nuk mund të mos e fsheh keqardhjen time: ka ende shpresë, nuk e di se çfarë mund të bëjë Parlamenti në Bullgari, por duket se nuk po shkon mirë. Ne do të duhet të përpiqemi të zgjidhim situatën dhe kjo tregon se unanimiteti është një problem, nuk mund të vazhdojmë me një vend që bllokon gjithçka. Sot nuk është një ditë e mirë”, theksoi Borrell.

Komisioneri për Zgjerim në BE, Varhelyi, bëri një thirrje para nisjes së samitit të BE-së, duke kërkuar që të merren në konsideratë kërkesat për Shqipërinë dhe MV.

“Ne i bëjmë thirrje Parlamentit bullgar dhe të gjitha palëve që të përmbushin angazhimin e tyre dhe ta vendosin propozimin në axhendën e Kuvendit për miratim sot siç është propozuar. Opozita e Boyko Borissov tashmë ka treguar lidership, duke e hedhur propozimin në tryezë. Ne kemi nevojë që të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë. BEja duhet të lëvizë. BE i merr shumë seriozisht të gjitha shqetësimet bullgare dhe tani ato janë pjesë e procesit të negociatave. Momenti për vendime të përgjegjshme është tani. Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e BE-së. Së bashku do të jemi më të fortë”, tha Varhelyi.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në samtin e BE-së përsëriti qëndrimin e tij se BP duhet të jetë pjesë e BE-së brenda 2033. “Sugjerimi im për KE është që ky moment historik të jetë në vitin 2033, 30 vjet pas Samitit të Selanikut, në mënyrë që BP dhe qytetarët e tyre ta dinë se në fund të këtij procesi të gjatë ata mund ta presin me padurim, familjen evropiane. Greqia do të qëndrojë pranë këtyre shteteve”, tha Mitsotakis.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura