Bashkimi dhe kundërshtarët e tij

Mar 24, 2015 | 12:13
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

   Dje u zhvillua në Tiranë mbledhja e dytë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ofronte disa momente për të arsyetuar përtej saj. Po e nisim me momentin estetiko-simbolik dhe atë organizativ të takimit të Tiranës. Tirana nuk imponoi thjesht diferencë estetike apo organizative, momente që u përmirësuan shumë prej dorës së Ramës përkundër simbolikës që bartte Prizreni themelues i idesë së Pavarësisë. Slogani i takimit të Tiranës për shembull simbolikisht dhe plot dykuptimësi shënjonte ëndrrën e përbashkët të një populli (më saktë do ishte fjala komb) që jeton në një tokë të përbashkët, dikur të ndarë. Mirëpo cilën ëndërr? Qëllimisht kishte disa ëndrra që mund të identifikoheshin nga ngjyrat kuq e blu, apo dhe shqiponja e zezë në mes: ëndrra për bashkim kombëtar; ëndrra për integrim europian; apo ëndrra për bashkim kombëtar që bashkohet në Europën e Bashkuar?
Simbolika megjithatë mund të kapërcehet nga pesha e kohës, e ngjarjeve, e rezultateve të një procesi që s’mund të jetë përjetësisht rutinë. Shndërrimi në aktivitet rutinor i takimit të dy qeverive, diçka që as mund të imagjinohej para pak vitesh, i bën më imponuese pikëpyetjet rreth të ardhmes reale të një procesi historik. A po ecin dy popujt, pjesë e një kombi, drejt bashkimit kombëtar, domethënë bashkimit në një shtet të vetëm, apo drejt diferencimit të tyre në dy degë kombëtare si ka ndodhur në historinë e afërt europiane me Austrinë dhe Gjermaninë, apo me popuj të tjerë që janë bashkuar dhe pastaj janë ndarë si Çekia me Sllovakinë? A ka një ndikim në këtë kurs eventual të historisë procesi që ka zënë fill ekzekutivisht me mbledhjet e dy qeverive dhe në pikëpamje ideore me Arbën Xhaferin? Cilët janë kundërshtarët e këtij procesi brenda nesh?
 Raporti i liderit me historinë
Nuk ka lider që, ndërsa bën veprime politike me karakter simbolik ose jo si takimi i Tiranës, të mos e ketë mendjen te historia. Edi Rama mbase mund të jetë lideri që mendon më shumë se të tjerët për historinë, por kjo s’ka rëndësi. Takimi i djeshëm ofronte realisht shumë shanse për të projektuar të ardhmen e bashkimit kombëtar nëpërmjet dorës së tij, vendimeve të tij, fjalimeve të tij, simbolikës që ai përcaktoi. Rama me autoritet të shtuar në viset kombëtare, veçanërisht pas vizitës në Serbi, nuk iu drejtua një audience thjesht kombëtare, por dhe asaj ndërkombëtare, bash si i pari i gjithë shqiptarëve. Në shumë raste ai foli në emër të dy vendeve, madje dhe kur “kritikoi me forcë” Europën, besnik i një stili të troçtë edhe në komunikimin diplomatik. Këtu ishim në një realitet viziv, por jo thjesht viziv: kur shqiptarët arrijnë maksimumin e forcës së tyre ndikuese në rajon, Europë, apo më gjerë? Kur janë bashkë në një tavolinë dhe harmonizojnë qëndrimet e tyre. Rama e ka ndier ndikimin e këtij realiteti viziv dhe këtu simbolika e konceptuar nga një mjeshtër i simbolikës arrin kulmin e vet të ndikimit.
 Po shkojmë kah bashkimi, apo ndarjes?
Por le të kapërcejmë simbolikën dhe le të shkojmë te realiteti brenda saj. Ka një mori prirjesh, të harmonizuara, kundërthënëse, në dy vendet tona përkundrejt njëra-tjetrës pas çlirimit të Kosovës. Disa prej këtyre prirjeve orientojnë energjitë e dy shoqërive, e dy shteteve, e dy popujve kah bashkimi. Disa të tjera kah ndarja. Si vendoset përkundrejt këtyre prirjeve, procesi që zë fill nga ideja e Komunuelthit e Arbën Xhaferit dhe që me Edi Ramën po gjen ekzekutimin e vet politik? Nuk ka diskutim që Edi Rama, një figurë kozmopolite e botës shqiptare, tashmë i konvertuar në patriot të dorës së parë, për arsye, për nevojë, për pragmatizëm, e dëshiron bashkimin kombëtar sipas secilës prej ëndrrave. Nuk ka diskutim që bashkimi ekonomik, dimensioni më i dëshiruar që rezulton prej dy takimeve, atij të Prizrenit dhe atij të Tiranës, është themeli ku mund të ndërtohet bashkimi kombëtar. Po cilat janë forcat kundër këtij bashkimi? Nuk po u referohem faktorëve gjeopolitikë, por ata brenda nesh.
Nëse do të analizojmë këto forca, atëherë do të kuptojmë pse ky proces afrimi, dhe brenda tij nënprocesi i bashkimit ekonomik, nuk po ecën me ritmet e duhura. Mbledhja e Tiranës shënoi firmosjen e 11 marrëveshjeve, tematika e të cilave tregon se më në fund janë identifikuar fushat prioritare: bujqësia, financat, arsimi, rendi, kultura. Por pse nuk i ka ritmet e duhura ky proces?
Kundërshtarët e bashkimit
Në rend të parë, kundërshtari kryesor i bashkimit ekonomik kombëtar janë interesat e konsoliduara ekonomike të grupeve të caktuara të biznesit që kontrollojnë tregjet respektive, të ndërlidhur me interesa me grupe homologe të vendeve fqinje. Kjo u shfaq me energjinë, miellin, me çimenton, me verën, me patatet, duket me kompanitë celulare që imponojnë cilësi të ulët me çmimet e roaming-ut më të lartat në Europë, etj., etj. Këto grupe të fuqishme ndikojnë qeveritë e të dy vendeve për ta penguar krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike, por jo vetëm. Kjo përbërëse armiqësore e shoqërive të dy vendeve është e strukturuar pse vepron prej një kohe të gjatë, zotëron media, ndikon elitën shoqërore, por dhe atë politike nëpërmjet financimit elektoral. Duke kundërshtuar bashkimin ekonomik, kjo elitë biznesore është duke penguar praktikisht dhe procesin e bashkimit kombëtar.
Armikja numër dy e vetë bashkimit kombëtar janë një pjesë e elitës kulturore, e elitës politike, kryesisht asaj kosovare, por që ka gjegjës dhe në Shqipëri. Kjo përbërëse ndoshta nuk është e strukturuar së brendshmi, por reagon në mënyrë kundërshtuese për shkak të prekjes aktuale dhe perspektive të interesave apo statusit të vet. Pavarësisht se ky kundërshtim nuk bëhet gjithmonë hapur, ekzistojnë p.sh. disa lloj ideologësh të kombit kosovar, që kundërshtojnë bashkimin mbi premisa teorike, por nga pozita megalomane. Në këtë udhëkryq historik dy pjesët e kombit dhe jo të popullit shqiptar mund dhe të ndahen, por është gabim të mendohet se ato janë tashmë përfundimisht të ndara, apo aq më tepër t’i shërbesh ndarjes së këtyre dy pjesëve. Ndërkohë me frymëzim personal me gjasë kundër bashkimit mund të jetë një pjesë e politikës në të dy vendet, kryesisht në Kosovë, që  i mendon të kufizuara apo të zvogëluara pozitat e veta në një shtet të bashkuar, ku në rast se do të votohet brenda një hapësire politike do ketë 0 shanse zgjedhjeje.
Ka dhe një kundërshtare tjetër inerciale, gjithmonë reaksionare ndaj së resë, që janë administratat respektive, ato tatimore, doganore, stafet e stimuluara dobët të administratës publike në përgjithësi. Në emër të ruajtjes së statuskuosë, të dembelizmit, mungesës së stimujve financiarë, mungesës së përgatitjes profesionale etj., ata do vonojnë gjithmonë përkthimin në rezultate konkrete të marrëveshjeve që u firmosën. Ata njëlloj i kundërvihen të resë, edhe kur tematika e saj s’ka lidhje me bashkimin kombëtar, por me rinovimin, apo me modele të reja zhvillimi.
Ndaj Rama, apo kushdo kryeministër tjetër në Shqipëri dhe Kosovë, nëse duan të luajnë për historinë, përkatësisht për ëndrrën e madhe të bashkimit kombëtar, duhet të përziejnë kartat e aleatëve të vet. Nuk mund të mbështeten më tek elitat e kalcifikuara ekonomike të ndërlidhura me interesa antishqiptare me qarqe homologe të vendeve fqinje, sepse ato do rremojnë gjithmonë në kahje të kundërt. Nuk mund të mbështeten më tek elitat fiktive kuaziintelektuale të shteteve respektive që preferojnë më mirë të jenë “gjela në qymeza të vegjël”, apo “të parët e fshatit sesa të fundit të qytetit”. Duhen krijuar struktura të reja, institucione të reja, duhet nxitur energji e re nga diaspora, nga elita intelektuale, menaxheriale e diasporës, që në mënyrë natyrale i shërben bashkimit. Duhen krijuar forume të përhershme dialogu me biznesin, duhet një Tru Kombëtar që të projektojë zhvillimin kombëtar, duke ofruar projekte konkrete, duke zëvendësuar administratat që tradicionalisht janë reaksionare, janë kundër së resë.
Nëse nuk do të nxitet ardhja në skenë e kësaj force të re, e kësaj energjie të re, edhe takimi i radhës do të jetë nënshkrim marrëveshjesh që identifikojnë saktë prioritetet, ndërsa ëndrra historike e kombit (popullit) për bashkim do jetë gjithmonë e më e largët. Përballë kësaj force të re, energjie të re probashkimit, edhe faktorët e rëndësishëm gjeopolitikë jashtë nesh do të pranojnë vendimin historik të pjesëve të kombit për të krijuar një realitet të ri shtetëror shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura