Bashkim Zeneli tregon rolin e Gorbaçovit në shembjen e Murit të Berlinit

Nov 10, 2019 | 18:33
SHPËRNDAJE

Ambasadori Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, në librin e tij, “Për Gjermaninë”, tregon zhvillimet politike në Gjermaninë Lindore që çuan në rënien e Murit të Berlinit, i cili ndante dy Gjermanitë. Muri u ndërtua më 13 gusht 1961, me urdhër të Nikita Hrushovit dhe qëndroi deri më 9 nëntor 1989, plot 28 vite. Para ndërtimit, Presidenti amerikan, Kenedy, do të deklaronte: “Do të mbrojmë lirinë e Berlinit, po qe nevoja edhe me mjete ushtarake..të ndalen kërcënimet ndaj njerëzve të lirë në Berlinin Perëndimor”.

Udhëheqësi gjerman, Vili Brandt, do të deklaronte: “Urdhri për ndërtimin e Murit nga Hrushovi do të ndante jo vetëm Berlinin, jo vetëm Gjermaninë, por edhe Europën e botën. Ndërsa Presidenti amerikan, Regan, më 1987, do t’i kërkonte Gorbaçovit nga Berlini: “Shembeni atë mur, zoti President!”.zeneli-bashkim1

BASHKIM ZENELI

VJESHTA E AMBASADAVE Në Lindjen komuniste, çdo gjë ecën me shpejtësi drejt demokracisë dhe lirisë. Gjermano-lindorët tashmë dynden drejt Hungarisë, Polonisë dhe Çekosllovakisë. Udhëheqja ishte tepër e shqetësuar, por mendonte vetëm si të mundte të qëndronte ende në pushtet. Qeveria Lindore refuzon edhe bashkëpunimin me RFGJ për zgjidhjen e krizës së largimeve në masë. Madje, çdo kërkesë për këtë çështje e quan “ndërhyrje në punët e brendshme”.

Kohl bisedon pothuajse përditë me Gorbaçovin. Të njëjtën gjë bën ministri i Jashtëm, Gensher, me ministrin Shevarnadze. Ata sigurojnë se Bashkimi Sovjetik jo vetëm nuk do të bëhet asnjëherë pengesë për bashkimin e RFGJ me RDGJ, dhe, në përgjithësi në zhvillimet në Lindje, por i mbështet ato pa asnjë rezervë. Gensher bisedon shpesh ato ditë edhe me homologun e tij gjermano-lindor, Oskar Fischer. Por ai ishte krejtësisht i hutuar e pa asnjë reagim. Tashmë, Moska e shikon qartë se Muri i Berlinit nuk do të mund të qëndrojë më gjatë.

Ai duhej shembur. Në një bisedë telefonike, Shevarnadze i thotë Gensherit se “edhe muri i Berlinit do të bjerë, natyrisht kur të piqen kushtet. Për këtë ne duhet të krijojmë atmosferën e besimit të plotë në raportet tona”. Sigurisht, deri në ato momente, raportet Bon – Moskë po shkonin shumë mirë. Shtete e Bashkuara të Amerikës i ndjekin me shumë vëmendje të gjitha këto zhvillime. Ato inkurajojnë Lindjen komuniste drejt demokracisë dhe kundër diktaturës. Presidenti Bush dërgon në Bon nënsekretarin e Shtetit, Igëllberger. Në takimin me Gensherin, ai e siguron për mbështetje të plotë dhe aktive. Ai nxit RFGJ, që pavarësisht qëndrimeve të RDGJ, të vazhdojë të kërkojë bashkëpunim, bisedime, të bëjnë çdo gjë për të punuar së bashku. Eksodi i gjermano-lindorëve ishte i pandërprerë…

Muri është ende në këmbë dhe qëndron, paturpësisht, me të njëjtat rregulla, ligje, me të njëjtin regjim, në të gjithë vijën kufitare me Perëndimin. 16 mijë gjermano-lindorë largohen në shtator 1989 për në Pragë, me trena, por edhe me makina. Ata nisen të hyjnë në ambasadën e RFGJ. Disa mundin, disa nuk i lejon Policia. Ajo përdor dhunën ndaj tyre. 14 mijë kanë mundur të hyjnë. Të tjerët gjejnë çdo rast për t’u futur edhe nëpërmjet hekurave të lartë të ambasadës. Është vërtet një luftë dramatike për liri. Në fund të vitit 2014, në prag të 25-vjetorit të rënies së Murit, u ndodha në Gjermani, në Garmish, te vajza Valbona. Një koleg i saj amerikan, Joe Vann, profesor në Qendrën Marshall për Studimet e Sigurisë, më dhuroi një libër shumë interesant. Me Joe ishim bërë prej kohësh miq. Ai më kishte ftuar disa herë në shtëpinë e tij.

Ka një grua të mrekullueshme franceze, Poska dhe Joe dy djem fisnikë e të zgjuar, ka qenë disa herë edhe në Shqipëri, i dërguar nga Qendra Marshall dhe disa herë ka qenë edhe në shtëpinë time në Tiranë. Ai është një burrë i shkëlqyer, i hapur, miqësor, shumë i aftë në profesionin e tij dhe me një kulturë shumë të gjerë. Ballkanin e njihte shumë mirë dhe Shqipërinë po kaq mirë. Ishte i informuar për gjithçka… Unë i kisha dhuruar 2-3 libra të Kadaresë në anglisht. Ai ishte shprehur me entuziazëm për to dhe për Kadarenë fliste edhe në raste kur ishim duke pirë kafe në shëtitoren e kalldrëmtë të Garmishit, me profesorë të Qendrës Marshall. Joe më dhuroi një libër të Hans Dietrich Gensher, me bashkautor publicistin dhe politologun Karol Vodicka. Ata së bashku kishin shkruar librin “Zundfunke aus Prag, wie 1989 die Mut zur Freiheit die Geschichte veranderte”, botuar nga “Deutscher Taschebuch Verlag”.

Janë mbi 300 faqe dokumentacion, mesazhe, raporte të ambasadorit, udhëzime të qeverisë gjermane, letra qytetarësh, takime politike, fjalime nga Praga, letërkëmbime të Pragës me Berlinin Lindor, etj., etj. Gensher e quan Pragën “qytet të artë, qytetin më e europian të të gjithë qyteteve të Europës”. Dhjetëra-mijëra gjermano-lindorë pushtojnë ambasadën e RFGJ, në Palais Lobkowiez.

Gensher kujton se atë që pamë në ambasadë, nuk ishim mësuar ta shihnim kurrë më parë në histori. Këtu mori edhe goditjet më të forta regjimi i Honeckerit. Por këtu mori edhe regjimi i Pragës goditje të forta… Jo me bori e trumbeta, por për këdo ishte paralajmëruar me kohë që donte të kuptonte se ç’po ndodhte. Hungaria i kishte hapur kufijtë. Pushtimi i ambasadës gjermane kishte ndodhur edhe në Varshavë, natyrisht jo në përmasat e Pragës. Udhëheqja e RDGJ vazhdonte të akuzonte RFGJ për organizimin e këtyre eksodeve dhe u bënte thirrje qytetarëve të saj të mos ndiqnin shembullin e “tradhtarëve të vendit”.

Më 11 shtator 1989, Komiteti Qendror i Partisë (SED) hapjen e kufirit me Hungarinë e kishte quajtur një “kryqëzatë të imperializmit kundër socializmit”.

Po kjo gazetë, një ditë më vonë, kritikon ashpër një artikull të gazetarit të ADN, Horst Schäfer, që pasqyronte realitetin tronditës të atyre ditëve në Berlin. Më 17 shtator, Egon Krenz, Sekretar i KQ të SED, që pas 1 muaji do të zëvendësonte Honeckerin, në një mbledhje të Byrosë Politike, deklaron se: “Faji për këtë situatë duhet kërkuar jo te kursi politik i partisë, por te propaganda e Gjermanisë Perëndimore”. Arrihet me këto qëndrime të udhëheqjes së partisë deri aty sa të deklarohet se “e gjithë kjo situatë u shërben vetëm revanshistëve, rivendosjes së politikës së Gjermanisë së madhe, të “Rajhut të Gjermanisë së Madhe në kufijtë e 1937”. Deri këtu arrin propaganda komuniste e Lindjes.

Nuk ka nevojë për koment! Por më mirë do të thosha është vështirë t’u bësh koment këtyre qëndrimeve politike, dhe kur?… Vetëm 7 javë para shembjes së Murit. Gensheri, në fund të shtatorit, takohet me homologun e tij Lindor, Oskar Fischer, gjatë punimeve të OKB-së. Gensher ia paraqet gjendjen në ato momente në RDGJ si dramatike. Largimet nuk kanë të mbaruar. Ai i kërkon të bashkëpunojnë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe për të lënë mënjanë, si të turpshme, akuzat ndaj “imperializmit gjermano-perëndimor”.

Ai propozon dy rrugë se si mund të zgjidhej largimi i qytetarëve që kishin pushtuar ambasadat në Pragë dhe Varshavë: Ose të rregulloheshin në Pragë (ku ishte pjesa dërrmuese e të larguarve) të gjitha formalitetet e udhëtimit të tyre për në RFGJ, ose së dyti, ata të largoheshin pa asnjë problem, me trena, nëpërmjet RDGJ për në Perëndim. Sigurisht, pajisja me leje kalimi apo pasaporta do të bëhej në Pragë, në ambasadën e RFGJ nga përfaqësues të RDGJ. Fischer i premton Gensherit se ai do të vërë në dijeni Honeckerin sapo të kthehet në Berlin. Gensher bisedon edhe me ministrin e Jashtëm të Çekosllovakisë, Johanes, dhe i kërkon të gjendet sa më shpejt një zgjidhje. Ai i përgjigjet se “kjo çështje duhet të zgjidhet midis Bonit dhe Berlinit.

Qeveria e tij nuk mban përgjegjësi për gjendjen e krijuar”. Bëhej falë për të shpëtuar njerëzit. Boni kishte dërguar mijëra tonë ushqime, barna, veshmbathje dhe ekipe të specializuara të mjekëve. Aty ishte edhe një numër i madh i punonjësve të MPJ, që u dilnin zot shtetasve të tyre për çdo gjë. Dhe kjo situatë dramatike merrte një kuptim, por edhe një përgjegjësi të madhe për të ardhmen e marrëdhënieve gjermano-gjermane. RDGJ duhej të hiqte dorë nga qëndrimet e pakuptimta që mbante. Dhe ministri i Jashtëm, Fischer, vë në dijeni Gensherin se qeveria e RDGJ kishte rënë dakord për të zbatuar variantin e dytë: kalimin me trena nga Praga në RDGJ e prej aty në RFGJ.

Boni e pranon këtë zgjidhje, por kërkon garanci të plota, siguri të plotë për udhëtimin. Qeverisë gjermano-lindore iu kërkua që ky transport, gjatë gjithë udhëtimit, të monitorohej nga zyrtarë të lartë të RFGJ. Kjo iu bë e njohur menjëherë edhe të gjithë qytetarëve në ambasadë. Por ata nuk besonin. Atëherë, Kancelari Kohl i kërkon qeverisë së RDGJ që të njohë si përfaqësues të plotfuqishëm në tërë këtë aksion ministrin Federal për marrëdhëniet me RDGJ, Seiters. Berlini pranon. Gensher në OKB kishte folur edhe për mosprekjen e kufijve me Poloninë dhe se do të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë në Europë. Fjala e tij kishte pasur një jehonë shumë të madhe. Në Nju Jork, ministri i Jashtëm gjerman ishte takuar edhe me ministrin sovjetik, Schevarnadze, por ai ishte shprehur jo shumë qartë, në raport me çfarë ishte thënë më parë edhe nga Gorbaçovi. Schervanadze ishte shprehur se “është dëshpëruese se si disa politikanë, tani gjysmë shekulli pas Luftës së Dytë Botërore, po fillojnë të harrojnë mësimet e saj”.

Ai i flet Gensherit edhe për forca revanshiste që duan të ndryshojnë realitetin në Europë dhe po bëhen aktive para syve tanë… Kjo ishte krejt e papritur! Është shumë interesante të shënoj se Kohl flet menjëherë në telefon me Gorbaçovin, i njoftuar nga Gensher nga Nju Jorku, dhe udhëheqësi sovjetik e qetëson Kancelarin, duke i thënë se mbështet çdo aksion të Bonit. Pas kësaj, Schevarnadze fton për darkë Gensherin në rezidencën e ambasadorit sovjetik në Nju Jork. Duket se e kishte marrë kritikën e Gorbaçovit për çfarë kishte deklaruar.

Miqësisht, Schevarnadze i thotë Gensherit: “Ne do t’ju ndihmojmë… A ka edhe fëmijë aty… Sa janë?. Duhet folur me Berlinin, – i drejtohet Gensheri Schevarnadzes”. Udhëheqja në RDGJ nuk po kuptonte asgjë dhe vendi po shkonte drejt fundit të tij. Ajo nuk po kuptonte aspak qëndrimet e Moskës edhe për këtë çështje, të paktën heshtjen aprovuese të saj se çfarë po ndodhte në Varshavë e sidomos në Pragë. Më 30 shtator 1989, i sapokthyer nga SHBA, Gensher niset për në Pragë, i shoqëruar nga shumë bashkëpunëtorë. Ai tashmë kishte edhe përgjigjen e qeverisë së Lindjes për variantin e kalimit me tren nga Praga në RDGJ e në RFGJ. Ai shkon menjëherë në ambasadë. Territori i saj ishte i mbushur me çadra e dyshekë me ajër. Ai i thotë ambasadorit Herbert se tani ishte koha të dilnin në ballkon e t’u flisnin njerëzve. Ata prisnin… Dhe Gensheri mban një falim të mrekullueshëm… Në mbrëmjen e 30 shtatorit, treni i parë me qytetarët gjermano-lindorë niset nga Praga drejt RDGJ, për në RFGJ. Nuk ndodh asgjë. Por dyndja për në Pragë vazhdon. Ambasada është në vazhdimësi “e pushtuar”.

Ambasadori Herbert proteston pranë qeverisë së Çekosllovakisë për pengesat që u bëhen qytetarëve gjermano-lindorë nga policia për t’u futur në ambasadë. Më 6 qershor, edhe qeveria e RFGJ i dërgon një notë proteste qeverisë së Çekosllovakisë dhe midis të tjerash i sqaron se “nuk ka asnjë dakordësi me RDGJ që qytetarët e saj të hyjnë në ambasadën e RFGJ. Dhe nuk do të ketë asnjëherë një dakordësi të tillë”. Ministri i jashtëm çekosllovak njofton po atë ditë se “me trena kishin mbërritur në qytetin Usti mbi 6000 vetë, që më pas u drejtuan për në Pragë.

Në të gjithë kufirin gjermanolindor me Çekosllovakinë, grupe qytetarësh gjermano-lindorë kalojnë pa ndërprerje… Ata shfrytëzojnë edhe taksitë në të zezë”. Kancelari Kohl kërkon të bisedojë me Honeckerin në telefon për t’i paraqitur shqetësimin e madh për situatën. Por përgjigjja nga Berlini Lindor vjen: “Për shkak të angazhimeve që ka, Sekretari i Përgjithshëm nuk është i disponueshëm të kontaktojë deri më 7 tetor”.

Ndërkohë, Kohl flet me Kryeministrin e Çekosllovakisë, Ladislav Adamec: “Jam thellësisht i shqetësuar për situatën dhe shpresoj se në orët e ardhshme do të gjeni një zgjidhje të dëshiruar. Unë shpresoj që, për arsye humanitare, Çekosllovakia do të kontribuojë në këtë drejtim”. Qeveria gjermane kishte mësuar se po atë ditë do të mbyllej kufiri midis RDGJ dhe Çekosllovakisë. Në Dresden kishte pasur përleshje me policinë që i pengonte qytetarët të hipnin në trena. Ajo përdori edhe pompat e ujit dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë njerëzit. Qeveria e RFGJ vazhdonte të konsiderohej “nxitëse dhe revanshiste”.

Kohl i telefonon edhe Gorbaçovit dhe i thekson se “RFGJ nuk është në asnjë rrethanë për një kaos në RDGJ… Ne shpresojmë që zhvillimet atje të mos dalin jashtë kontrollit. Interesi ynë është shumë i madh që RDGJ të ndjekë kursin e reformave dhe që njerëzit të qëndrojnë në RDGJ”. Dhe Gorbaçovi i përgjigjet: “Është me rëndësi të madhe të dëgjoj fjalë të tilla nga goja e Kancelarit federal”. Të dy udhëheqësit bien dakord për të folur disa herë në ditë, për çdo situatë të re e problem që del.

GORBAÇOV: KUSH VONOHET, E DËNON HISTORIA

Më 6 dhe 7 tetor 1989, Republika Demokratike Gjermane feston 40-vjetorin e themelimit. Kishte ardhur dhe udhëheqësi sovjetik Gorbaçov. Njerëzit kishin dalë nëpër rrugë. Pjesa më e madhe e popullit i kishin lidhur shpresat për liri dhe demokraci te Gorbaçovi. Udhëheqësi sovjetik, në fjalimin e tij, kërkon reforma të thella politike, ekonomike dhe shoqërore. Populli e duartroket i entuziazmuar.

Kjo nuk i pëlqen aspak Honeckerit që deklaron se “R.D.Gjermane është në kursin e duhur”. Fillon menjëherë një revoltë e fuqishme. Populli përleshet me policinë. Në ato momente, Gorbaçovi, me një gjest të hapur publik, duke vënë gishtin tregues tek ora e dorës, i drejtohet Honecekrit: “Kush është i vonuar, atë e dënon historia”. Honecker vazhdon të flasë për “sukseset e mëdha të socializmit në RDGJ, sidomos me programin e ndërtimit të shtëpive të banimit për qytetarët dhe me arritjet e industrisë mikroelektronike”. Në takimin që kishin zhvilluar më parë kokë më kokë, Gorbaçovi i thotë Honeckerit se “zgjedhja e rrugës së reformave, sigurisht është një çështje sovrane e çdo populli…

Ne duhet të bindim edhe partnerët tanë ndërkombëtarë se zgjidhja e çështjeve, me të cilat po ndeshet RDGJ, nuk vendoset në Moskë, por në Berlin”. Por Honecker vazhdon me pikëpamjet e tij. “Unë u çudita me të, – tregon Gorbaçovi, – 3 orë bisedova me Honeckerin. Dhe ai u përpoq të më bindte për fuqinë dhe fitoret e RDGJ”. Dy ditë pas festimeve të 40-vjetorit të RDGJ, Kancelari Kohl, me cilësinë e Kryetarit të CDU-së, nga zyrat e saj, del në një konferencë për shtyp.

Ai deklaron: “Kur udhëheqja e SED feston me marshime, me ushtarë, me hapa rreshtorë dhe me paradë ushtarake, bota bëhet dëshmitare se si Policia dhe STAS-i i RDGJ shpërndajnë me dhunë brutale demonstruesit paqësorë. Burgje të mbimbushura, të plagosur të shumtë, largimet e pandalshme nga vendi, janë simbol i një sistemi të ngurtë autoritar, RDGJ e mban e vetme përgjegjësinë e plotë për një politikë të tillë të pakënaqshme brenda dhe jashtë vendit”. Më 9 tetor, po atë ditë që flet Kohl, në Leipzig zhvillohet një manifestim me mbi 100 mijë pjesëmarrës. Hidhen parulla politike kundër regjimit. Kërkohen zgjedhje të lira e demokratike. “Edhe Berlini zien nga protestat.

Rruga “Nikolai Kirche” është e mbushur me 150 mijë qytetarë, sidomos të rinj. Hidhet parulla: “Ne jemi populli”, “Jo dhunës”. Në kor thërritet: Gorbi, Gorbi. Populli kërkon reforma të thella, kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e udhëheqjes komuniste. Drejtori i përgjithshëm i policisë jep dorëheqjen. Honecker kërkon angazhimin me forcë të policisë, por ajo tashmë nuk e dëgjon… SED fillon të shpërbëhet në masë, anëtarët e saj dorëzojnë teserat. Nis të krijohet opozita e vërtetë “Demokracia tani”, “Nisja 89”, “Forumi i ri, etj.”Krahas demonstrimeve të përditshme, ikjet nga vendi bëhen më të mëdha. Gjendja në RDGJ po shkon drejt katastrofës. Çekosllovakia acarohet me Berlinin Lindor dhe i kërkon “të administrojë situatën”. Tashmë, nga RDGJ “kanë hyrë në Çekosllovaki mbi 60 mijë vetë, midis të cilëve shumë të rinj dhe forca të kualifikuara pune”. Udhëheqja çekosllovake shkon deri aty sa të deklaronte se “këta të ardhur në ambasadë, në kushte krize, kanë qëllim të aktivizojnë struktura ilegale kundër politikës së SED”.

Po kështu informon edhe ambasadori i Pragës në Berlin, Frantisek Langer, se “presioni për ndryshime në RDGJ bëhet nga demonstruesit, nga kisha dhe opozita ilegale, por edhe lëvizjet e reja qytetare”. Në Republikën Demokratike Gjermane ndodh një ngjarje, që pavarësisht jehonës së parë, nuk iu kushtua asnjë vëmendje. Më 18 tetor, në kulmin e largimeve nga vendi dhe futjes në ambasadën e Gjermanisë në Pragë dhe Varshavë, udhëheqësi komunist Honecker jep dorëheqjen “me dëshirën e tij”. Dukej edhe si rastësi, por edhe si një inskenim. Ishte vetëm 10 ditë pas vizitës së Gorbaçovit në Berlin dhe përplasjeve që nuk kishin qenë të pakta me Honeckerin.

Ky do të shprehej më vonë se “ishte i zhgënjyer nga mbështetja e Gorbaçovit”. Gjithsesi, për qytetarët e RDGJ ky ishte një sinjal i fortë. Dukej se regjimi po shkonte drejt rënies. Qytetarët gjermano-lindorë, të ndërgjegjësuar po zgjidhnin fatin e tyre. Tashmë ishin të pandalshëm. Në vend të Honeckerit vjen Egon Krenz, Sekretar i KQ-së të Partisë për çështjet e sigurisë dhe drejtësisë. Dukej se ishte një zgjidhje e shpejtë, provizore. Në deklaratën e parë që bën pas zgjedhjes, po atë ditë, drejtuesi i ri i Partisë, midis të tjerash flet për dialog dhe reforma. Ai gjithashtu do të deklaronte: “Do të përgatisim menjëherë një ligj për lëvizjen e njerëzve jashtë vendit”… vijon nesër

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura