Bashkim Fino kandidat për FSHF, Duka: Nëse garon, Partia Socialiste duhet të…

Dec 24, 2017 | 22:03
SHPËRNDAJE

Armand Duka rrëfen një prapaskenë në bisedimet me Sedorfin për trajnerin e Kombëtares. Në intervistën e dhënë për Vilma Mashën në “Supersport”, kreu i federatës thotë se ish-ylli holandez i Milanit ishte super i edukuar dhe një intelektual i vërtetë, por nuk bënte për trajner. Në rrëfimin 360 gradë, presidenti i FSHF-së flet për të gjitha ngjarjet e ndodhura në vitin 2017 dhe jo vetëm.

Duka2

A jeni i kënaqur me renditjen në eliminatoret e Botërorit?

I kënaqur me renditjen, duke parë ekipet që kishim në grup, por jo plotësisht i kënaqur me performancën e skuadrës. Kishim mundësi për të dhënë më shumë, qoftë për të kënaqur më shumë spektatorët, qoftë për të mbledhur ndonjë pikë më shumë. Post Euro 2016-a pati atë rënie, që mendoja se do të përfundonte më shpejt, por për mendimin tim, përfundoi vetëm në Izrael, ku fituam 0-3. Për skuadra jo shumë të mëdha, të pamësuara me suksese, ai grafik në rënie mund të ishte edhe më i gjatë, por mund të ishte edhe më i shkurtër dhe për këtë pjesë nuk jam i kënaqur. Nuk jam i kënaqur për humbjen në shtëpi me Izraelin, por jo për renditjen, pasi nuk besoj se mund të arrinim më shumë me atë grup që kishim.

Nëse do të ishte Shqipëria në vend të Italisë, përballë Suedisë në play off, a do të shpresohej për një kualifikim?

Më erdhi keq për Italinë, pasi është një humbje e madhe për Botërorin, por Suedia tregoi në fushë se e meritoi kualifikimin. Nëse do të ishim ne në vend të Italisë, mendoj se do të ishim një kundërshtar shumë më i fortë për suedezët, të paktën me atë që pamë në fushën e lojës.

Duka6

Kalimi nga De Biasi te Panuçi u duk se ishte pa shumë kosto. A mund të konsiderohet ky një sukses?

Nëse është apo jo i suksesshëm vendimi për të ndryshuar staf, do ta shohim në vazhdim. Vendimi për të ndryshuar stafin në 4 ndeshjet e fundit zyrtare, u mor për t’i shërbyer objektivit madhor, që është pjesëmarrja jonë në Europianin e Vitit 2020 dhe nuk mund të themi që ky është një bast i fituar, pasi duhet ta shohim në vijimësi. Shenjat janë të mira dhe kemi zhvilluar në përgjithësi ndeshje pozitive, pavarësisht se ka vend për vërejtje.

Çfarë ndodhi në momentin e divorcit me De Biazin, pas ndeshjes me Luksemburgun? Konferenca për shtyp… Ai erdhi në zyrën tuaj… na trego diçka më tepër që publiku nuk e di? U duk sikur e bindët…

Nuk ka pasur ndonjë gjë të veçantë. Humbja me Luksemburgun, fatmirësisht që ishte miqësore. Ishte ndaj një skuadre të vogël në letër, por që faktikisht është rritur shumë. Për gjithë këto rezultatet e viteve të fundit, për ne ishte e papranueshme. Edhe për De Biazin ishte e papranueshme sepse gjatë kohës që ishte trajner i Shqipërisë, e thoshte me shaka: Ju kam gjetur kur ju rrihte Luksemburgu. Dhe faktikisht, e la kur na mundi Luksemburgu (qesh…).

Në futboll ndodh gjithçka, pavarësisht se është e dhimbshme një humbje ndaj një skuadre të vogël, por nuk duhet bërë dramë. Nëse e bën të tillë, ajo mund të sjellë pasoja akoma më negative. Ajo humbja, mbase i bëri mirë periudhës së rënies së skuadrës, pasi edhe vetë çunat, me të cilët kemi diskutuar gjatë në Antalia para ndeshjes me Izraelin, e kuptuan që thika po shkonte në kockë. Ndofta ajo e Luksemburgut i bëri që ta ndjejnë thikën në kockë dhe të reflektojnë që në ndeshjen me Izraelin dhe kanë bërë mirë, besoj pas kësaj ndeshje.

Shumë shpejt e gjeti punën De Biazi, por shumë shpejt e humbi… Vetëm tetë javë në krye të Alaveshit?

Duhet me qenë i duruar në futboll. Edhe ata duhet të ishin më të duruar dhe të prisnin më shumë. Nëse ne do të bënim të njëjtën gjë me De Biazin, duhet ta kishim larguar në vitin e parë. Mendoj që bëmë mirë që ishim të duruar.

Zgjedhja e trajnerit të ri… 

“Në atë kohë, janë publikuar emrat. Kanë qenë kandidatë që ne i kemi intervistuar: Sedorf, Zenga, Ish-trajneri i Udinezes. Vërtetë që ishin trajnerë të mirë me karakteristikat e tyre. Sedorf, për mua, ishte një nga njerëzit më intelektualë, më i përgatitur, i superedukuar, me gjithë të mirat që mund të ketë një person. Nga më të mirët që unë kam parë në botën e futbollit. Por, nuk më bindte për postin e trajnerit.

Është një tjetër gjë. Nëse do ta zgjidhja për çdo gjë tjetër, ishte një super intelektual. Më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Dhe nuk e mendoja që mund të vinte një ditë, që ne përfaqësuesit e Shqipërisë, do t’i thoshim jo, ose do të refuzonim një kandidaturë të tillë, kaq të madhe, kaq të përgatitur dhe kaq intelektuale.

duka10

Edhe të tjetër gjithashtu. Di Kanio, një njeri me shumë eksperiencë, shumë i përgatitur dhe shumë i qetë. Edhe ai mund ta ndihmonte skuadrën. Por, Panuçi më ka bindur me një dëshirë dhe pasion shumë më të madh se të tjerët. Me grintë shumë më të madhe dhe këto janë të rëndësishme për mua në futboll. Edhe De Biazin e kam zgjedhur për të njëjtat karakteristika”, tha Duka.

A e vendosi titullin e vitit të kaluar arbitri Enea Jorgji?

Presidenti i FSHF-së përgjigjet kështu: “Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim negativ për arbitrimin, nga 2016 te 2017. Për mua, siç kanë ecur të gjitha gjërat në futboll, ka ecur edhe arbitrimi, pozitivisht. Nuk mund të them në asnjë rast që janë eliminuar gabimet njerëzore apo jo njerëzore. Këto ekzistojnë, prandaj ekzistojnë edhe të gjithë njerëzit që merren me përgatitjen, përmirësimin, trajnimin, kontrollin e arbitrave.

Që gabimet e tyre të minimizohen sa më shumë. Niveli i arbitrimit në Shqiopëri, është i barabartë me nivelin e futbollit. Nuk është gjë e veçantë. Për sa e mbaj mend unë lojën dhe për sa kam lexuar, si dhe për sa të ekzistojë, pjesëmarrësit në garë dhe ata që e ndjekin, do të kenë kontestime për arbitrin. Është lojë e gabimeve arbitrare, futbollistike, teknike. Kemi me plot trajnerë që e pranojnë se mbas ndeshjes: Është lojë, gabova”, deklaroi Duka në “Supersport”.

Një emër i madh i futbollit shqiptar si Tirana, ra nga kategoria. Komenti juaj për këtë ngjarje?

Patjetër që është një ngjarje, pasi për herë të parë në histori, fatkeqësisht, një ekip i madh me shumë trofe, me më shumë trofe në Shqipëri, ra nga kategoria. Kjo është një lojë, që duhet të kontribuohesh, organizohesh mirë, të luash mirë dhe në fund të kesh edhe pak fat. Nuk mund të themi që Tirana ishte skuadra më e dobët e kampionatit.

Duka5

Por, ndofta edhe fati nuk e ndihmoi dhe e thashë fatkeqësisht. Unë personalisht kam keqardhje. Jam munduar me të gjithë mundësitë e mija, jo sportive, pasi nuk kam mundësi sportive të kontribuoj që Tirana të mos binte nga Kategoria ose të ringrihet. Realisht, që Tirana të ringrihet dhe të kthehet aty ku ka qenë, duhet të bëjë mirë gjithçka nga ana organizative, manaxheriale e sportive. Duket se këtë vit po i bën mirë dhe uroj që vitin e ardhshëm të kemi një Tiranë më të mirë.

Uroj që të mos kemi një skuadër tjetër me emër po kaq të madh si Tirana… Të gjitha ekipet e Kategorisë Superiore që janë në fundin e klasifikimit dhe që luftojnë realisht për mbijetesë, janë vërtetë skuadra me shumë histori në Shqipëri. Për çdo njeri të futbollit do të jetë dhimbje koke a keqardhje në fund të sezonit, nëse ndopnjë nga këta do të bjerë nga kategoria. Kjo është mënyra, ekonomia e tregut. Nuk ka më klube të mëdha, apo të vegjël, por ka klube që organizohen mirë dhe keq.

Akuzat e Partizanit dhe Flamurtarit…

Çdo ekip që humb, ose nuk arrin atë që dëshiron, e kërkon gabimin te tjetër. Edhe kur nuk ka drita, thonë që fajin e ka federata. Fajin e kanë vetë dhe jo ne. Në fund në çdo ndeshje skuadrat marrin atë që dëshirojnë. Në momentin që çdo përgjegjësi sportive ja delegon diku tjetër kjo ndikon negativisht në ekip. Nëse ke probleme dhe halle duhet t’i zgjidhësh brenda familjes, dhe ankesat që ke duhet t’i paraqesësh te organet kompetente. Mendoj se më mirë do ishte ankesa institucionale dhe jo publike apo në media.

Duka3

A ka ndeshje të trukuara në futbollin shqiptar?

Në një periudhë kur ne bëmë Kupën e Shqipërisë me grupe kishte shumë ndeshje të dyshuara. Në Kategotrinë Superiore mund të numërohen me gishtat e një dore. Ka të dyshuara, por jo të provuara. Është 20 herë më i vogël numri i ndeshjeve të dyshuara. Nuk i bëjmë publike sepse i dëmtojmë imazhin një klubi. Për sa kohë nuk janë të vërtetuara nuk mund të akuzojmë.

Opinioni thotë se një ka kundërshtarët që do të keni përballë është Bashkim Fino, edhe pse ende ai nuk e ka bërë publike. Në emisionin e Sokol Ballës ju keni deklaruar se nëse ai e bën këtë gjë, le ta bëjë nga zyra e PS-së? Pse kjo deklaratë? Vazhdoni të mendoni ende kështu?

Federata është institucioni më i mirë në Shqipëri. Jemi në sport dhe nuk kemi kundërshtarë dhe armiq. Jemi në garë sportive alternativash. Për kandidatin aktual, unë kam njohje personale dhe e vlerësoj si njeri. Kemi bërë shkollën bashkë dhe e kam respektuar periudhën e tij si kryeministër në një moment të vështirë për Shqipërinë. Nëse Bashkimi do të jetë kandidat për president si përfaqësues i Partisë Socialiste, ai duhet të dalë nga zyrat e saj.

Nëse jo, partia duhet të bëjë të kundërtën dhe të thotë se distancohet nga kjo iniciativë që është e drejta e plotë e zotit Fino, e cila mund të jetë private. Partia Socialiste patjetër që do ta bëjë këtë gjë. Ose do ta vendosë si kandidatin e saj, ose do të thotë që është iniciativë private. Kjo do të jetë në të mirën e lojës që futbolli të mos jetë i varur nga politika.

Pse duhet t’ju votojnë anëtarët e futbollit shqiptar dhe a nuk mendoni se përgjatë këtyre 15 viteve jeni konsumuar?

15 vite janë të mbushura me eksperiencë. Një vedim që para 15 viteve ndoshta më duhej një orë për ta marrë, sot më duhet vetëm një minutë. 15 vite nuk i konsideroj konsum, por eksperiencë për ta bërë më mirë këtë punë. Anjëherë anëtarët e FSHF-së nuk duhet të më votojnë mua apo ndonjë kandidat tjetër nëse nuk binden. Në rastin konkret duhet të votojnë për premtimet që kemi bërë, nëse i kemi realizuar apo jo. Për atë që s’ka patur mundësi për të bërë diçka duhet të shohin “background”-in e tij në jetë për projektin që propozon. Duhet të mendohen mirë, sepse është për të ardhmen e tyre, për të ardhmen e lojës që ata drejtojnë.

Nëse një ditë to të thoshit mjaft, nga se do të vinte kjo, nga lodhja apo ndoshta nga ndonjë arsye tjetër?

Nga Zoti. Vetëm Zoti duhet të të thotë mjaft. Mjaft duhet të thotë ai që nuk ka asgjë, ai që ka duhet të luftojë gjithmonë për më shumë. Ai që ndien që mund të japë, duhet të vazhdojë të japë me maksimumin e tij, me përkushtim e tij dhe me ndërgjegjen e tij. Mjaft thotë vetëm Zoti, kur ta ndërpret jetën.

Nuk ka asnjë mes nesh që mund të t’ju thotë mjaft, një kanditat i fortë, një kanditat i zoti?

Mjaft në lidhje me se? Mjaft thotë Zoti kur ta merr jetën.

Cilat janë zyrtarisht premtimet e katër viteve të ardhshme?

Në momentin e duhur, kur KE të vendosë për datën e zgjedhjeve, patjetër që vetë ata që do të pretendojnë për ta drejtuar federatën, qoftë dhe unë, do të kenë strategjinë e viteve të ardhshme, siç ka qenë në çdo asamble zgjedhore. Në qëfotë se do të më pyesnit për çfarë ka nevojë futbolli për katër vitet e ardhshme dhe se çfarë duhet të bëjë kushdo që do të jetë në krye të saj, është kryesisht edukimi më i mire i të gjithë niveleve në federatë, d.m.th i aktorëve në futboll. Edukimi më i mire i fëmijëve, zhvillimi i më shumë projeklteve për fëmijë, promovimi i futbollit te fëmijët, edukimi i të gjithë nvieleve manaxheriale, që duhet të kenë jo vetëm administratorët apo zyrtarët e ndeshjeve, por duke ndihmuar edhe klubet për këtë, si dhe rezultatet e ekipit kombëtar, që janë feja e shqiptarëve sot. Duhet të bësh maksimalen që kjo Kombëtare të arrijë në 2020-ën.

Klubet ankohen për nivelin e taksimit, nivelin e të ardhurave, ligjin e sponsorizimeve. A mund të bëni ju diçka me shtetin në lidhje me një taksë “free”, taksën që ata paguajnë në 23% dhe 15%?

Kemi propozuar një paketë ligjore, e kemi ripropozuar me ardhmjen e zëvendësministrit Shkurti në Ministrinë e Sporteve, sepse kështu është mënyra e organizimit në Ministrinë e Arsimit, e kemi thënë edhe më parë. Kemi propozuar një paketë ligjore e cila do të ndihmonte në zhvillimin e sportit dhe të futbollit në veçanti, e cila parashikon ndryshime qoftë për taksat, qoftë për investimet në sport, qoftë për subvencionet që mund të japë shteti dhe shumë lehtësira të tjera, të cilat janë iniciativa që do t’i bëjnë më të intetesuar qoftë lojtarët, qoftë ata që duan të investojnë në futboll. Vetëm për pasion është e vështirë që njerëzit të ivestojnë në këtë sport.

duka

Gjatë bisedës ju përmendët edhe Ligën e Futbollit. Përse nuk është krijuar deri më tani? Është utopike, sepse edhe disa vende të rajonit si Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia nuk e kanë?

Nuk është bërë ndoshta sepse nuk ka ardhur koha, nuk ishin pjekur kushtet ose aktorët nuk e kanë kuptuar aq mirë. Unë mendoj se është e domosdoshme që të krijohet Liga Profesioniste. Për mua është një arsye madhore, që aktorët të ulen në një tavolinë. Janë një grup interesi më i vogël brenda interesave të mëdha të familjes së futbollit, që kanë një produkt të përbashkët, që është elita e futbollit në Shqipëri, dhe që duhet ta trajtojnë si një produkt të vërtetë komercial, të maksimalizojnë të ardhurat e tyre për t’u shërbyer bilanceve të tyre. Jo për të çuar para në shtëpitë e tyre, por për t’i investuar në sport. Kjo nuk është një gjë e lehtë, kërkon mirëkuptim, transparencë dhe besim tek njëri-tjetri. Kjo iniciativë është e federatës, por realisht duhet të ishte e vetë klubeve. Po bëjmë maksimumin që kjo të arrihet, por ka edhe skepticizëm nga ndonjë klub. Do t’i ftoja që të mos e shohin krijimin e Ligës me emra të veçantë, se kush është sot president i një klubi apo kush është sot president i FSHF-së. Ta shohin më interesin e tyre.

Pse e ka ndërmarrë FSHF këtë iniciativë, kur duhej të ishte e klubeve?

Duke patur bindjen që ky është një zhvillim pozitiv, që do ta rriste imazhin e vetë produktit, do t’u shtonte të ardhurat klubeve, që janë aktorë dhe do t’u siguronte të ardhmen, FSHF ka marrë rolin e iniciatorit deri në momentin e uljes në tavolinë, finalizimit të statutit dhe krijimit të Ligës Profesioniste. Pastaj vetë Liga do të hyjë në partneritet me Federatën. Siç e thashë, është një federatë brenda federatës. Është një grup interesi më i vogël nga interesat që ka i gjithë futbolli. Pasi të krijohet kjo ligë duhet të marrë nga federata maksimumin që i shërben këtij grupi të vogël interesi. Do të jenë në një lloj mënyre palë e bashkuar. Patjetër që do të jenë pjesë e organeve vendimmarëse të federates, do të jenë pjesë e federatës. E rëndësishme është ta krijojmë, të mos e shohim me skepticizëm dhe mosbesim tek njëri-tjetri apo me dashakeqësi. Ka edhe nga këto skepticizmat këtë na e lënë, këtë nuk na e lënë. Duhet të bëhet ajo çfarë është më e mira për lojën dhe për vetë klubet.

Nga informacionet që keni, kur mund të jetë gati?

Jemi në rrugë të mbarë. Sot që po flasim bëhet një mbledhje me presidentët për të rënë dakort për statutin. Urojmë që të bien dakort, të bëhet statuti dhe më pas mbetet vetëm për regjistrim.

Kalojmë në disa pyetje “flash”. Kur mbaron “Arena Kombëtare”?

“Arena Kombëtare” mbaron në fund 2018-ës. Besoj në 2019-ën do të luajmë aty.

Për cilën skuadër bëni tifo në futbollin shqiptar?

Për Vllazninë.

Keni bërë më shumë miq, apo armiq?

Miq më shumë.

Gjëja më e mirë që keni bërë?

Nuk e di çfarë kam bërë më mirë, por jam përpjekur që të bëj çdo gjë mirë.

Gabimet që keni bërë?

Gabime bëj çdo ditë. Uroj që të mos bëj të njëjtin gabim çdo ditë.

De Biasi, mik apo punëmarrës?

Tani mik, kur ka filluar, punëmarrës.

Të kalojmë të familja juaj, pse nuk është bërë futbollist djali juaj?

Ai është tip që i pëlqen elektronika, nuk është shumë sportiv. Më vjen keq për këtë, sepse jam përpjekur shumë, por nuk e di, ndoshta kështu është lloji i njeriut, i pëlqejnë vetëm kompjuterat. Edhe në shkollë studion për shkenca informatike. Më shumë i pëlqen muzika dhe kompjuteri sesa sporti.

Kush është kritiku juam më i madh në familje?

Në familje, në përgjithësi, nuk janë kritikë, por bashkëpunues. Ndonjë shok, ndoshta.

Këtë vit dukeni ndoshta 20 kg më pak. A do të jetë fitnesi në projektet e tua për katër vitet e ardhshme.

Nëse do të mbaj peshën që kam, shumë mirë, shpresoj të mos shtoj sërish në peshë.

“OK”, kemi përfunduar, nuk e di nëse keni diçka për të shtuar?

Duke përfituar nga rasti, që jemi në fund të vitit, mbetet që t’i uroj të gjithë teleshikuesit tuaj, të gjithë futbollistët të gjithë trajnerët, gëzuar festat! Uroj një vit të ri të mbarë, të kenë një vit 2018 sa më të mire, sa më të suksesshëm dhe sa më të mbarë. Ju falënderoj edhe ju për konributin që jepni për zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura