Bashkia: Zmbrapsuni nga zënia e rrugëve, ndryshe gjobiteni

Aug 28, 2015 | 11:52
SHPËRNDAJE

 

Bashkia e Tiranës ka paralajmëruar sërish me gjoba personat apo bizneset që ndotin hapësirat publike.

Nenkryetarja e Bashkise, Brunilda Paskali
Nenkryetarja e Bashkise, Brunilda Paskali

Pas inspektimit të punës për lirimin e hapësirave publike në zonën e ish Bllokut, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, deklaroi se aksioni në njësinë nr. 5 do të vijojë pa ndërprerje dhe nuk do të ketë tolerime.

“Në emër të Bashkisë së Tiranës, u drejtohem të gjithë shkelësve të ligjit: Zmbrapsuni, sepse ne nuk do të tolerojmë askënd që dëmton hapësirat e përbashkëta! Qytetarët e Tiranës nuk kanë pse të paguajnë dhe të vuajnë pasojat e qytetarëve apo bizneseve që duan të përfitojnë në mënyrë të pandershme, duke pushtuar hapësirat e përbashkëta”, u shpreh Paskali për median. Sipas saj, Bashkia e Tiranës është e vendosur në vijimin e aksionit, me qëllim kthimin e të gjitha hapësirave të gjelbra publike apo që janë zënë në mënyrë të paligjshme.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës njoftoi se Policia Bashkiake dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, paralelisht me vijimin e aksionit, po vendosin gjoba për të gjithë ata që zaptojnë ose ndotin hapësirat publike. “Në rreth një javë të këtij aksioni, Policia Bashkiake dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit kanë vendosur 173 gjoba për të gjitha bizneset apo individët që kanë pushtuar hapësirat apo që kanë kryer ndërtime të tjera të paligjshme”, deklaroi Paskali. Gjithashtu, ajo theksoi se edhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur për prishjen e 23 objekteve të paligjshme në Tiranë, të cilat dëmtojnë dhe zënë hapësirat publike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura