Bashkia vendos ‘Çufon dhe Bubin Kaçurrel’ para Presidencës

Jun 22, 2018 | 11:57
SHPËRNDAJE

Lulishtes përballë Presidencës i janë shtuar dy “banorë” të rinj, aq të dashur për fëmijët, Çufoja dhe Bubi Kaçurrel, të cilët këtë vit kanë mbushur 40 vjeç. Dy personazhet, që kanë shoqëruar fëmijërinë e shumë shqiptarëve, janë përjetësuar tashmë jo vetëm në kujtesën tonë me batuat e tyre, por edhe përmes instalacionit të ideuar dhe konceptuar nga artisti Eljan Tanini.

Perurimi i vepres Cufoja dhe Bubi Kacurrel (2)

Vepra artistike “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” vjen si një promemorie në 40 vjetorin e botimit të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të dashur për fëmijë, Gaqo Bushaka, dhe imiton letrat origami të zmadhuara, si një mënyrë për të ngacmuar memorien e të rriturve, por edhe për të nxitur fëmijët të frekuentojnë këndin e lojërave aty pranë. Instalacioni u përurua nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ideatori Eljan Tanini dhe krijuesi i dy personazheve, shkrimtari Gaqo Bushaka.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi falenderoi Taninin për veprën e artit modern që i ka dhuruar Tiranës, si dhe autorin e romanit “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel”, Gaqo Bushaka, për të gjitha emocionet që ka dhuruar me librat dhe humorin e tij në fëmijërinë e çdo shqiptari. “Interesi publik për vendosjen e kësaj vepre në park, mbetet i lartë. Sa estetik, fëminor, artistik, simbolik, por edhe historik. Është e hera e parë në historinë e vendosjes së veprave të parkut në Shqipëri, ku krijohet kjo vepër arti kushtuar përrallës shqiptare që ka frymëzuar breza të tërë fëmijësh dhe të rriturish”, tha Seferi.

Artisti Eljan Tanini theksoi se “Çufoja dhe Bubi Kaçurrel”, kanë ndikuar dhe vazhdojnë të prekin ende jetët e mijëra shqiptarëve të vegjël dhe të mëdhenj me batutat e tyre, ndaj kjo vepër arti që i kushtohet të vegjëlve vjen edhe si një mirënjohje për autorin që ka krijuar dy personazhe origjinalë shqiptarë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura