Bashkëshortja e paditi në gjykatë, burri i vë flakën vetes në rrugë

Jun 29, 2016 | 10:04
SHPËRNDAJE

Një 59-vjeçar ka tentuar të vetëvritet në mes të Tiranës, duke i vënë flakën vetes, pasi ishte lyer me benzinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnate, duke gdhirë e hëna, në bregun e lumit Lana, pranë Piramidës.

Ilustruese
Ilustruese

Burime nga Policia thanë se disa kalimtarë të rastit, që kanë parë ngjarjen, i kanë telefonuar menjëherë Policisë dhe ndërhyrja në kohë bëri që ai të shpëtojë. Megjithatë, mësohet se ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin Toksikologjik, në QSUT. Sipas Policisë, mësohet se i plagosuri është shtetasi Ded Leka, nga Lezha, baba i dy vajzave.

Ndërsa mësohet se tentativën e vetëvrasjes ai e ka kryer në kushtet e depresionit, pas konflikteve të vazhdueshme që kishte pasur me të shoqen. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, fillimisht duke pyetur dëshmitarët e më pas edhe familjarët e 59- vjeçarit. Sipas kalimtarëve që kanë parë veprimin e tij, Leka ka qenë i ulur në një prej stolave përgjatë bregut të Lanës, pikërisht pranë një qendre tregtare që ndodhet afër Piramidës.

Në një moment ai ka hapur tapën e një shisheje plastike që mbante në dorë dhe e ka derdhur atë mbi kokë. Më pas i ka vënë flakën vetes me një shkrepëse. Shërbimet e Komisariatit nr.1 kanë arritur në kohë në vendngjarje, dhe pasi kanë arritur të shuajnë flakët që i kishin përfshirë të gjithë trupin 59- vjeçarit, e kanë transportuar me urgjencë te Spitali i Djegie Plastikës në QSUT.

Aty i është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar më pas te Toksikologjiku, ku edhe ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë. Nga pyetja e familjarëve, Policia ka mësuar se Ded Leka po kalonte një gjendje depresive, për shkak të konflikteve që kishte me gruan e tij, F. Leka. Kjo e fundit, një javë më parë, kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje në Gjykatën e Tiranës, pasi i shoqi e dhunonte vazhdimisht.

Por Ded Leka vetëm para pak ditësh e kishte mësuar se e shoqja e kishte dërguar në gjykatë, pasi ishte lajmëruar që të paraqitej në seancën e datës 1 korrik. Pasi kishte tentuar disa herë që të bindte gruan të tërhiqte padinë dhe ajo nuk ishte bindur, 59-vjeçari ka tentuar t’i japë fund jetës, duke u vetëdjegur me benzinë. Policia ka marrë në pyetje edhe dy vajzat e çiftit, të cilat po ashtu kanë konfirmuar problemet e prindërve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura