Bashkëpunëtori i Gustav Klimt sjell me vizatime Shqipërinë e 1917-s (FOTO)

Mar 4, 2015 | 18:08
SHPËRNDAJE

Portrete të ashpra malësorësh, veshje karakteristike, sheshe qytetesh, kisha e qiparisa të lartë…

Janë vitet e Luftës së Parë Botërore. Shqipëria ishte kthyer në një rrugë kalimi për ushtri të të gjitha ngjyrave. Një prej tyre ishte edhe ajo austrohungareze.

Rreth 20 mijë trupa luftarake dhe një personel që kapte një numër prej 100 mijë vetash, duke përfshirë skalione, xhandarë dhe specialistë të administratës, u vendos në Shqipëri gjatë viteve 1916-1918. Por, mes tyre kishte edhe shkencëtarë e artistë, të cilët shfrytëzuan shërbimin ushtarak për të zgjeruar kufijtë e dijeve të tyre. Leopold Forstner, piktori e realizuesi i mozaikëve, bashkëpunëtor i ngushtë i Gustav Klimt, ishte një prej tyre.

Po ashtu edhe fotografi Erich Nachtmann, të cilët sjellin ditëve tona një koleksion të pasur vizatimesh e fotografish, që dëshmojnë për Shqipërinë e 100 viteve më parë. Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë dhe Ministrinë e Kulturës, hapën mbrëmjen e së hënës ekspozitën “Ballkani i vitit 1917 i vizatuar nga artisti austriak i artit modern, Leopold Forstner”.

Një ekspozitë që ofron për publikun një koleksion të rrallë prej 100 vizatimesh të mëdha dhe 50 fotografi të realizuara nga Forstner dhe Nachtmann. Përmes aparatit fotografik të këtij të fundit na vijnë pamjet e një Shqipërie që sot nuk ekziston më, ndërsa Forster ka kapur portrete vendësish, por edhe elemente arkitekturore dhe etnografike, për të cilat ishte veçanërisht i interesuar.

Artisti dokumenton fakte dhe detaje nga ana etnologjike, që nga konstruksioni i një avlëmendi e deri tek elementet tipike të arkitekturës rajonale. Kështu ndiejmë përmes vizatimeve të tij zhurmën në rrugët e Elbasanit, Kavajës, të Shkodrës, Prizrenit, kambanën e kishës, përplasjen e avlëmendit, farfuritjen e kostumeve popullore… Përgjithësisht vizatimet përputhen besnikërisht me specifikimet e porositësit.

OFICERËT KOLEKSIONISTË

Kur zallamahia e luftës në Serbi, Maqedoni dhe Shqipëri ishte qetësuar, erdhi ora e shkencës. Akademikë të monarkisë mund të shkonin në vende të pushtuara nga trupat austro-hungareze. Shkencëtarët, që nga antropologët te gjeologët, e shfrytëzuan këtë mundësi për të zgjeruar dijet e tyre dhe fushat e kërkimeve, por edhe koleksionet e muzeve të Vjenës.

Ministria e Luftës Austro-Hungareze mundësoi ekspedita, duke liruar pjesëtarët e saj nga shërbimi ushtarak i mirëfilltë e duke u dhënë atyre titullin “Oficerë koleksionistë”. Shumica e pjesëtarëve në ekspedita ishin shkencëtarë akademikë, por kishte edhe përjashtime, si piktori akademik, artisti i punimeve të qelqit dhe mozaikut, Leopold Forstner, një nga emrat më në zë të artit modern në Austri.

Një tjetër “oficer koleksionist” ishte edhe Arthur Haberlandt, antropolog dhe folklorist, i cili mori pjesë si nëntoger në vitin 1916 në Ekspeditën Ballkanike të historisë së artit, arkeologjisë, etnografisë e gjuhësisë të Akademisë Perandorake të Shkencave të Ministrisë Perandorake dhe Mbretërore të Kulturës dhe Arsimit. Ka qenë për vite me radhë drejtor i Muzeut Austriak të Folklorit. Tepër i njohur për shqiptarët është linguisti e filologu Maximilian Lambertz, i cili ishte anëtar i “Komisionit letrar” në Shqipëri.

Ky komision ishte ngarkuar nga administrata ushtarake me organizimin e sistemit arsimor në Shqipëri dhe krijimin e një gjuhe letrare shqipe. Një tjetër “koleksionist” ishte edhe antropologu dhe etnografi Franz Heger. Në vitin 1917 ai arriti të mblidhte një koleksion të pasur objektesh folklorike të Mirditës.
 

Shqipëria e 100 viteve më parë në fotografi

Fotografi Erich Nachtmann mbeti gjithë jetën e tij i lidhur emocionalisht me Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Ndryshe nga shumica e kolegëve të tij, ai vlerësonte karakterin dhe mentalitetin e këtij populli dhe ishte thellësisht i prekur nga bukuria e natyrës:

“Shumë prej atyre që u ra fati ta kryenin shërbimin ushtarak në një vend, i cili përgjithësisht konsiderohej si jomiqësor, kujtojnë vetëm jetën e vështirë që kanë bërë në Shqipëri. Ata që e konsideronin veten me fat, ishin ata që nuk morën me vete në shtëpi malarien apo ndonjë sëmundje tjetër të rëndë. Sigurisht ka vetëm pak nga ata që sot kujtojnë me kënaqësi përjetimet e tyre atje, veçantinë e vendit dhe popullsisë… për fat edhe unë hyra në këtë kategori njerëzish”.

Duke qenë oficer logjistike, Nachtmann ka udhëtuar kudo nëpër Shqipëri. Këto udhëtime nëntogeri i ri i shfrytëzonte për të fotografuar. Deri në vjeshtën e vitit 1918, kishte arritur të realizonte gjithsej 107 fotografi apo kishte blerë kartolina.

Ky koleksion u ka mbijetuar shpërnguljeve të shumta. Duke qenë se refuzoi të shërbente në ushtrinë çekosllovake, oficeri me origjinë nga Bohemia iu desh të arratisej nga vendi i tij, që tani quhej Çekosllovaki. Pasuria e familjes së tij mbeti atje, ndërsa ai u vendos në Austrinë e Sipërme.

Koleksioni i tij sot është nën kujdesin e së bijës dhe është një dëshmi shumë e rëndësishme mbi praninë e ushtrisë shumëkombëshe në Shqipëri, si dhe të botës shqiptare, 100 vjet më parë.

“KRYETARI I BANDËS”, KAPEDAN KAJO

KUJTIME NGA FRONTI I LUFTËS

Në kujtesën e fotografit Erich Nachtmann kanë mbetur të fiksuara imazhet e shiut të rrëmbyeshëm, që ua vështirësonte qëndrimin trupave ushtarake në Shqipërinë e ashpër. Ndër tekstet e pakta që kanë ardhur deri më sot prej qëndrimit të forcave austro-hungareze në Ballkan, gjatë Luftës së Parë Botërore, është edhe ai i Nachtmann.

Përshkrimet e tij, edhe pse janë shkruar 100 vjet më parë, fatkeqësisht janë shumë familjare, sidomos me përmbytjet e fundit të Jugut të Shqipërisë.

“Aty-këtu na e zinte rrugën ndonjë ferrishtë e dendur, kështu që na duhej ta hapnim rrugën me një drapër të mprehtë. Mungonte uji, drutë e madje edhe vendi për 100 njerëz e 200 kuaj. E keqja më e madhe ishte shiu i vazhdueshëm që vazhdonte me javë të tëra”, shkruan Erich Nachtmann, në shënimet e tij “Kujtime nga Shqipëria”, duke shoqëruar koleksionin e fotografive.

“Në periudhat e pranverës dhe vjeshtës, sipërfaqe të tëra shndërroheshin në këneta. Shpesh zhyteshim deri në gju, ndërsa kuajt ishin aq të lodhur pas 2 ose 3 rrugësh, saqë u duhej të qëndronin shtrirë. Pellgje që nuk binin në sy, ktheheshin në rryma të rrëmbyeshme që na duhej të çanim, për t’u siguruar trupave ushqim e municion. Njerëz e kuaj zhdukeshin shpesh në këto përmbytje”.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura